Kulturë

Faruk Myrtaj, një mjeshtër i prozës së shkurtër shqipe

  • Published in Kulturë
Nga: Aleko Likaj

“Këpucë për gjyqin e fundit” është libri më i ri me tregime i shkrimtarit Faruk Myrtaj që këto ditë ka parë edhe dritën e botimit në Shqipëri.

Me nota thellësisht realiste dhe karaktere të vizatuara dhe të gdhendura si nga një dorë mjeshtri që di aq mirë të skalisë duke kaluar edhe kufijtë e emocionit në dramat që shpërfaqen nëpër faqet e tregimit të tij, Myrtaj, mbetet përherë një zë i fuqishëm në letrat tona shqipe veçanërisht në këto tre dekadat e fundit. Magjia e rrëfimit të trazon e të bën që ta vuash e përjetosh dramën si ''të zotët e hallit që i ka zënë'' në tregimet e tij, dhe që natyrisht dallojnë si nga ana shprehëse, kompozicionale, theksit, intonacionit, gjuhës dhe mesazhit që përcjellin, duke stigmatizuar kështu stilin që është i veçantë e me tiparë dalluese për këtë autor. Mendoj se këto aktualisht bëjnë edhe diferencën në morinë e zhurmshme të krijimeve që qarkullojnë sot si lumenj të vrullshëm jo vetëm nëpër website internetike që kushdo hedh, por edhe në botime të pakontrolluara dhe pa pikë përgjegjësie që nxjerrin dhe mbushin raftet e librarive nga një pjesë e mirë e enteve botuese. Shumë prej tyre nuk u intereson cilësia aspak përpara parave që derdhin ''sevdallinjtë'' e njerëz pa asnjë prirje në këtë fushë që duan të evidentohen.

Por kjo është një temë për të cilën gjithmonë ja vlen të diskutohet gjërësisht si një fenomen e që ka kapluar letërsinë, edhe pse në rastin konkret nuk ka të bëjë aspak me rastin në fjalë, ndërsa ne jemi ndalur për të hedhur një vështrim prej lexuesi, krijimit e veprës më të fundit të një autori që ka dhe ka lënë një emër dhe që kritika e vlerëson dhe e rendit ndër majat e prozës së shkurtër shqiptare

Do ta quaja ''Këpucë për gjyqin e fundit'', një risi. Një risi e bukur që shkon dhe renditet me veprat më të mira të Faruk Myrtajt, jo vetëm për faktin që të emocionon e të mban gjatë gjithë leximit në një lloj përjetimi artistik që të krijojnë zakonisht ndjenjat e çuditëshme brenda vetes sonë, por edhe për gjuhën e qëruar e të pastër të shqipes që përshfaq vlerat më të mira të saj me një leksik brilant dhe që për hir të realitetit na mungon sot në kakofoninë e shtrembërimeve, duke filluar që nga punonjësit e mediave e më gjerë në jetën sociale dhe shoqërore që bëjmë. Dhe autori këtë e realizon nëpërmjet frazës së shkurtër dhe të ngarkuar emocionalisht

Edhe në këtë vëllim Faruku është dhe qëndron tek të njëjtat tema që i preferon e që i shërbejnë si dashuritë e tij, si emigracioni, marrëdheniet sociale, burgu dhe diktatura, ku në këtë të fundit duke dalë edhe nga korniza e vëndit, por që zë realisht më fushëpamje në planin universal, si një kufizim i lirisë së individit.

Por ashtu siç theksova edhe në fillim të kêtyre rradhêve, ''Këpucë për gjyqin e fundit'' është një libër e rrëfim karakteresh. Dhe duket e ndjehet përkujdesja e autorit. Ai dallon. Është një vizatues i hollë i karaktereve që mbartin emocione të fuqishme...

Nuk ka se si të mos jetë krejt ndryshe dhe të mungojë aty Atdheu, për të cilin shkrimtari emigrant ndjen shumë dhëmbje e dashuri të pamatë. Por këtë here është krejt tjetër. Në dimension të tillë hapje që e jep dhe e pasqyron edhe tek tregimi ''Atdhe për Ciganët'', ku liria nuk njeh kufij. Personazhet në tregim, ciganët, janë të gatshëm në çdo sistem ''të shndrohen në numra midis shtetesh ku merrnin pa teklif nënshtetësi të tjera'' thotë autori duke na i dhënë ata gjithsesi në një atmosferë e mjediset e tyre tipike dhe ku mbretëron daullja, dajret, gërneta... (bënin muzikë aq të azdisur sa ariu'').

Bien në sy tregimet e karaktereve që zënë hapsirën më tê madhe në librin ''Këpucë për gjyqin e fundit''. Tek tregimi ''Bejlurçina ime'' është fati i intelektualit shqiptar që ishte arsimuar në universitetet e shkollat e perëndimit, por që përfundon në tharrjen e kënetës së Maliqit. Pastaj i kërkojnë të bëjë përkthyesin ''nga gjuha e atyre që ikën, domethënë armiqve, duke e bërë jetën si të tjerët''

Të njëjtën gjë e ndesh edhe tek tregimi ''Deri në fund Deiv'' me Diegon, ku i biri merr vesh se i ati ishte me kancer i vendos dy veta që ta ndihmojnë në përditshmërinë e punën e tij fizike për shoqërinë, por ai i përze për ta përballuar kancerin si njeri që kontribuon dhe beson tek shoqëria tê cilës i shërben

Në një tjetër tregim si tek ''E hodha firmën unë'' përveç sfondit ku jepet një shoqëri e shtypur nën komandë, dallojmë karakteret. Drama e krijuesit ku të përkëdhelurit dhe më të besuarit e regjimit firmosnin e vendosnin për burgun e tyre.

Gani Delvina një i burgosur politik i sapo dalë nga qelia e burgut me rënien e sistemit, i dehur me lirinë tij, vrapon pas mitingjeve në sfondin e zjarrtë të atyre ditëve të ndryshimit, por që kupton shumë shpejt se nuk e gjen veten aty. Nuk përfaqësohet. E megjithatë i ndjek si lirinë e tij.

“Ç'punë kam unë me ata? Ata janë në tribunë për qejfin e tyre. Unë jam aty poshtë..”.

“Ke shkuar me një femër?” është një tregim dhe rrëfim shumë i ndjerë për sinqeritetin dhe moshën e fillimit të adoleshencës, ku me nota realiste jepet Farfuria, shoqja e klasës, pylli që të nxirrte pranë shtëpisë së saj si dhe dëshira e ëndrra e shoqëruesit për ta shpëtuar nga egërsirat... Shumë vite më vonë rasti i solli pastaj që të ishin të dy mësues në të njëjtën qytezë, por që nuk mundën më ta ringrinin shoqërinë e pastër prej fëmije si të trembur dhe të paragjykuar nga ambjenti me një pyll në mes.

Tregimi ''Këpucë për gjyqin e fundit'' që mban si tituli vëllimit me tregime, është ndoshta nga më interesantët. I shkruar bukur dhe konçiz me metafora të fuqishme që të sjellin ndërmend Kafkën, pothuajse në të njëjtat mjedise e sfonde gati haluçinante të kohës, por kurrsesi jo si një imitacion, edhe pse është një faj që nuk dihet pse është i tillë. Edhe këtu heroi i tij dënohet me egzekutim por jo “këpucêt alpine të spërkatura me ca buburecë të kuq”.

Ky tregim më kujton dhe më sjell në mëndje “Turmat e Dimrit” një nga krijimet më të bukura që ka shkruar pena e Faruk Myrtajt në këto vitet e fundit i cili zbërthen metaforikisht thelbin dhe strukturën e turmës.

Interesant është edhe figura e Moit, minatorit dhe përgjegjësit të turnit, ku në shtresën e gjashtë të nëntokës pohon, e ku me ndryshe se sa aty thellë nën dhé. Kjo ndodh kur personazhin e “infektuar nga leximet” e dërgojnë që ta edukojë “kllasa”, por që njeriu i ngarkuar që do të bënte “edukimin” i a plas... “E kundërta e dijes nuk është padija. E kundërta e mos dijes sot është mashtrimi universal”. 

Por nuk do të ndalesha gjatë dhe nuk do të merrja përsipër për t'i bërë analizën e plotë vëllimit më të ri të autorit

Ajo që më mbetet si lexues dhe konstatoj do të thoja pa mëdyshje, është se në tregimet e Faruk Myrtajt ndjehet me tone të ndezura dhëmshuria e dashuria e pakufishme për njerëzit e thjeshtë e të ndershëm, që kanë në jetë ideale, e që i shërbejnë dhe i dalin në krah shoqërisë, botën që e rrethon, mjedisin ku lëvizin e gjallojnë. Dhe në fakt ky është heroi. Heroi i ditës... e ne edhe pse i kemi kaq pranë këta njerëz, pak i njohim në botën e tyre të brendëshme, por jemi dhe të pavëmëndshëm dhe individualistë në shumicën e rasteve, për të konstatuar atë që një krijues e shkrimtar me përvojë si Faruku, i zhbiron duke i skicuar e vizatuar, dhe na i sjell aq mjeshtërisht në të gjithë dimensionin e tyre real.

Eshtë ky fakti që ata të mbesin në mëndje aq gjatë, dhe që ne pastaj, dashur pa dashur brenda subkoshiencës sonë, na ndodh shpesh që ti krahasojmë me miq, shokë dhe njerëz që ndeshim në udhë, duke i portretizuar me ata. Kjo nuk është pak për një krijues serioz, me përvojë dhe shumë të talentuar

Në thelb, ajo çka kërkon nga vetja një shkrimtar dhe misioni i tij i mundur për të përcjellë e tejçuar mesazhe jete...

Faruk Myrtaj ka kohë që i a ka arritur kësaj, dhe vëllimi i ri me tregime “Këpucë për gjyqin e fundit” pa dyshim që i bashkohet dhe shkon të rrijë denjësisht përkrah botimeve të tij më të mira në prozë e të vlerësuara në këto dekadat e fundit.

Burimi: Dielli