Kulturë

Galileo Galilei dhe një ndjesë publike e Kishës pas 360 vitesh

  • Published in Kulturë
Nga: Klodi Stralla

Ishte qershori i vitit 1633. Një burrë i moshuar, që mezi mbahej në këmbë, qëndronte i gjunjëzuar para gjyqit të Inkuizicionit. Ishte njeri i shkencës, njëri nga më të mirënjohurit e kohës së vet. Bindjet e tij shkencore bazoheshin në vite të tëra kërkimesh e studimesh serioze. Por tani, nëse donte të shpëtonte jetën, duhet të mohonte gjërat që ai e dinte se ishin të vërteta. Emri i tij ishte Galileo Galilei. Një konflikt i gjatë midis tij dhe hierarkisë kishtare e ktheu karrierën e këtij shkencëtari të shquar në një dramë - në “Çështjen Galileo”.

Aty nga fundi i shek. të 16-të, Galileo përqafoi teorinë e Kopernikut, sipas së cilës është Toka ajo që rrotullohet rreth Diellit dhe jo e anasjellta. Ky quhet edhe Sistemi heliocentrik (me qendër Diellin). Më 1610, pasi përdori teleskopin e tij për të zbuluar trupa qiellorë, të cilët nuk i kishin vëzhguar kurrë më parë, Galileo u bind se ato që kish parë e vrojtuar vërtetonin tezën e Sistemit heliocentrik. Një vit më pas udhëtoi në Romë, ku takoi klerikë të rangut të lartë, me qellimin e mirë t’ua bënte të njohura zbulimet e reja. E përdori teleskopin, që kishte shpikur vetë, për t’u treguar zbulimet e tij në Astronomi, por gjërat nuk shkuan siç shpresonte ai. Nga ai çast e deri sa mbylli sytë Galileo u vu nën vëzhgimin e rreptë të Inkuizicionit kishtar.

Teologët e inkuizicionit e quajtën tezën e Sistemit heliocentrik një marrëzi dhe absurditet nga pikëpamja filozofike, si dhe herezi nga pikpamja fetare, që binte ndesh me Shkrimet e Shenjta.

Galileo u takua me kardinalin Roberto Belarmino. Ky kardinal, që mbahej si teologu më i shquar katolik i asaj kohe, e quajti Galileon si «më kokëfortin e heretikëve». Ai e paralajmëroi zyrtarisht që të mos i përhapte më tej idetë e tij rreth sistemit me qendër Diellin.

Ndonëse u përpoq të vepronte me kujdes, por edhe të mos hiqte dorë nga bindjet e tij, ai nuk i shpëtoi syrit vigjilent të Inkuizicionit. Kështu në 1633, Galileoja doli para gjyqit. Ndonse Kardinali Belarmino kishte vdekur, tani kundërshtari më i madh i tij ishte vetë Papa Urbano VIII-të, i cili në të kaluarën e kishte përkrahur.

Siç shkruhet në vendimin e dënimit të tij, Galileo do t’i nënshtrohej «shqyrtimit të rreptë». Sipas Italo Mereut, një historiani të ligjit italian, kjo frazë ishte një shprehje e posaçme që përdorej në atë kohë për të nënkuptuar torturën.

Galileoja u dënua më 22 qershor 1633, në një sallë të zymtë para anëtarëve të gjyqit të Inkuizicionit. U shpall fajtor sepse «kishte mbështetur dhe kishte besuar doktrinën e rreme që ishte në kundërshtim me Shkrimet e Shenjta, sipas të cilave Toka lëviz dhe nuk është qendra e gjithesisë».

Në moshë të thyer, i dërrmuar psiqikisht, ai nuk e përballoi dot rolin e martirit, kështu që u detyrua të tërhiqej. Pasi u lexua vendimi, shkencëtari i moshuar, i ulur në gjunjë dhe i veshur si i penduar, tha solemnisht:

«Mohoj, mallkoj dhe përbuz gabimet dhe herezitë që u përmendën [teoria e Kopernikut], e në përgjithësi të gjitha, dhe çdo gabim tjetër, herezi ose sekt në kundërshtim me Kishën e Shenjtë»

Sipas një legjende, të pakonfirmuar nga ndonjë dëshmi e sigurt, thuhet se, pasi i mohoi bindjet e veta, ai përplasi këmbën në shenjë proteste dhe tha me zë të ulet: “E pur si muove!” (E megjithatë lëviz! (Toka)

Biografët e tij thonë se poshtërimi që ndiente, ngaqë kish mohuar zbulimet e tij, e torturoi gjatë gjithë jetës. Atë e dënuan me burgim, por ia ndryshuan dënimin me një arrest shtëpie të përjetshëm. Jetoi pothuajse në izolim të plotë, deri në 8 janarin e 1642, ndërkohë që gradualisht humbi edhe shikimin.

Në vitin 1992, një komision i caktuar nga Papa Gjon Pali i II-të pranoi se: «Disa teologë, bashkëkohës të Galileos, nuk arritën të kapnin domethënien e thellë dhe kuptimin jo të mirëfilltë të Shkrimeve të Shenjta kur këto përshkruajnë strukturën fizike të Universit»

Një ndjesë publike e Kishës pas 360 vitesh!