Kulturë

Shqiptarët e Odesës – Nga Dorian Koçi

  • Published in Kulturë

Diaspora shqiptare ka pasur një qendër të rëndësishme dhe në Odesë. Shqiptarët ishin vendosur që në fillimet e themelimit të qytetit, ku shërbenin si mercenarë dhe tregtarë të vegjël, të njohur si me emrin arnautë. Në mes të shekullit të XIX, drejt Odesës pati një rrymë emigrimi nga shqiptarë ortodoksë nga Korça, Përmeti e Kolonja.

Qyteti i Odesës, ishte një qytet kozmopolit ku gjendeshin të gjitha popullsitë. Në vitet 1823-1824, aty ishte i internuar shkrimtari i madh rus Pushkin, që shkruajti se "ajri eshte i mbushur me Europë". Në Odese ka dy rruge, Arnauti i vogël dhe Arnauti i madh, të cilat sot quhen Ulica albanske dhe që dëshmojnë praninë shqiptare në këtë qendër të madhe urbane.

Fan Noli në 1911 predikoi shqip në Odesë në Kishën e Trinitisë së Shenjte ose Shën Triadhës. Ajo ndodhej mes pazarit dhe rruges Arnauti i Madh në Ekaterinskaya 67. Pas revolucionit bolshevik te vitit 1917 dhe rënies së Odesës nën sundimin bolshevik në 1920 dhe zisë së bukës në 1922, fillon gradualisht dhe pakësohet komuniteti shqiptar.

Nga komuniteti shqiptar tregëtar i Odesës ka dalë shkrimtari Milto Sotir Gurra. Milto Sotir Gurra, eshte nga fshati Marjan i Oparit të Korçës. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në emigrim, duke nisur nga Odesa, Amerikë, Stamboll, Sofje dhe Konstancë. Ai ka bashkëpunuar aktivisht me shumë organe shtypi kombëtare e letrare në mërgim, shpesh me pseudonimet Nomadhi, Gjon Zeza dhe D. Toçkas.

Ndërkaq, vetë qe botues apo bashkëbotues i një numri revistash të tilla si i organit politik e letrar Atdheu të Konstancës më 1912 dhe të Durrësit më 1914, i së përmuajshmes Shkëndija të Korçës më 1921, i organit satiro-humoristik Zegthi të Korçës më 1922, dhe i së përdyjavshmes Zëri i Popullit të Korçës më 1922. Në këto organe Gurra botoi tregimet e para, më të mirat e të cilave qenë shkruar gjatë viteve që jetoi në Rusi. Në vitin 1938 ai botoi librin me tregime “Plagët e kurbetit”. Një kontribut Gurra ka dhënë dhe në përkthimin e letërsisë ruse. Ai ka sjellë në shqip vepra në prozë të Turgenievit, Tolstoit, Çehovit, Gorkit etj.

Rruga Arnauti i Madh në Odesa