Kulturë

Mehmet Kraja për Ibrahim Rugovën

  • Published in Kulturë

Nëse u bëhet një retrospektivë serioze ngjarjeve të kaluara, më duket se del e qartë se shqiptarët e Kosovës treguan vitalitet, pjekuri politike dhe forcë vepruese më shumë sesa e kishin pritur prej tyre ata që historikisht ishin mësuar ta nënvlerësonin potencialin e shqiptarëve në përgjithësi dhe potencialin e shqiptarëve të Kosovës në veçanti. Por, me këtë rast do të dalë poaq e qartë se shqiptarët e Kosovës nuk arritën të realizonin idealet e veta politike, madje as në shkallën fillestare. Shumë nga proceset e deritashme shkuan në disfavor të tyre dhe i vetmi ngushëllim mbetet vetëdija se mund të ndodhte edhe më keq, se substanca është ruajtur sa është ruajtur, se Kosova është ngritur në nivelin e një problemi rajonal, se Kosova ka krijuar identitetin e vet politik dhe se, sado-kudo, qëndron e hapur një perspektivë, e cila, në synimin e Evropës dhe të bashkësisë ndërkombëtare për “pacifizimin” e Ballkanit, mund të ndodhë të vendoset një raport i ri i forcave, ku potenciali biologjik i shqiptarëve nuk do të mund të injorohej. Pra, hëpërhë, Kosova vetëm ka krijuar predispozita politike dhe të tjera për proceset që do të fillojnë dhe do të zhvillohen në të ardhmen.

Ndërkohë, shqiptarët e Kosovës u desh ta njihnin vetveten, t’i njihnin mundësitë dhe pamundësitë e veta, në këtë kohë të kthesave dhe të ristrukturimeve të mëdha. Kjo ishte e domosdoshme, kur euforia dhe idealizmi mund të shkaktonin një tragjedi kombëtare me përmasa të papërballueshme. Këtu fillon vlera politike dhe e zbatueshme e filozofisë politike të Rugovës. Ai, me vokabular politik që sugjeron synime të mëdha dhe me veprime praktike disproporcionale me këto synime, ua bëri të ditur në mënyrë eksplicite shqiptarëve të Kosovës se për një kohë do të sillen në një rreth të mbyllur, se nuk do të mund të shpëtonin nga kundërshtia “gjenetike” e dëshirave të mëdha dhe e mundësive të vogla. Gjithashtu, ai bëri të ditur se veprimet politike nuk qëndrojnë në raport të drejtë me synimet, por me mundësitë, dhe njëkohësisht tregoi se, hëpërhë, shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi, nuk kanë mundësi dhe nuk janë të të gatshëm për zgjidhje të tjera, përveç se për zgjidhje politike. Mirëpo, filozofia politike e Rugovës, duke u verifikuar praktikisht në një ambient nga njëra anë euforik e në anën tjetër represiv, pak nga pak nxori shpluar edhe një nënvleftësim të potencialit shqiptar. Nga përvojat historike dhe nga përvoja aktuale, Rugova është dashur ta dinte se shqiptarët, kur zënë e tërhiqen, nuk gjejnë kufi ku të ndalen, sikundër është dashur ta dinte se për poshtërimet që sot i përjetojnë, një pjesë të mirë të përgjegjësisë do t’ia hedhin politikës së tij paqësore.

Marrë realisht, pavarësisht se veprimet e tyre ndonjëherë do të mund të ishin vetëvrasëse dhe me pasoja jashtëzakonisht të rënda për rrethanat, ky nënvlerësim i potencialit shqiptar fare lehtë mund të sjellë si rrjedhojë një zhveshje të përgjithshme nga vetitë e mira njerëzore e kombëtare, kur nënshtrimi rrezikon të bëhet mënyrë e jetës, rregull i sjelljes. Tepria në këtë drejtim, gjithashtu, rrezikon që politika paqësore të bëhet politikë e vetëzhdukjes, e vetasgjësimit.

(Nga libri “Vite të humbura”, 1995)