Kulturë

Thymosi, guximtarët dhe mentaliteti i skllavit

  • Published in Kulturë
Nga: Klodi Stralla

Grekët e epokës sokratike të shek. 4 p.e.r, iluministët francezë të shek. 18, rilindasit tanë në shek. 19 dhe mjaft nga ne edhe këtu në Facebook sot, ruajmë bindjen se e keqja njeriut i vjen nga padija. Kjo është arsya që të gjithë këta mendimtarë zemërartë u përpoqën pa reshtur të ndriçonin mendjet e bashkëkombasve të tyre, pra t’i ndërgjegjësonin ata të njihnin realitetin ku jetonin dhe t’u tregonin edhe rrugën se si mund të dilet prej së keqes.

E megjithatë, e keqja e ka shoqëruar racën njerëzore ndër shekuj. Me sa duket ndërgjegjësimi, njohja e së keqes, është vetëm një kusht i nevojshëm por jo edhe i mjaftueshëm për ta mposhtur atë. Atëhere çfarë na mungon?

Këtë përgjigje e dha Platoni 24 shekuj më parë dhe pas tij Hegeli në shek. 19, kur “shpirtin” njerëzor e përfytyronin të përbërë nga tre komponentë - Dëshirat, Arsyeja dhe Thymosi.

Dëshirat janë tërësia e kënaqësive fiziologjike, si e ngrëna, e veshura, banesa, seksi etj, që gjenden edhe në botën e kafshëve. Arsyeja është mekanizmi mendor që të çon në plotësimin e tyre, që gjendet, në formë të reduktuar, edhe në botën e kafshëve, ndërsa Thymosi është gadishmëria për të sakrifikuar, qoftë edhe jetën, për plotësimin e tyre, gjë që nuk e ka asnjë qenie tjetër veç njeriut. Figurativisht, e para simbolizohet me stomakun, e dyta me trurin dhe i treti me zemrën.

Thymosi është i ndryshëm në njerëz dhe popuj të ndryshëm. Ai nuk mësohet në asnjë shkollë, por lind bashkë me njeriun. Ata që e kanë thymosin të pazhvilluar kanë mentalitetin e skllavit, të njeriut të nënshtruar, servil e puthador ndaj më të fuqishmëve, ndërsa ata që e kanë thymosin të zhvilluar janë zotërinjtë, guximtarët, njerëzit me dinjitet, që kanë “etos luftëtari”, që nuk e pranojnë nënshtrimin dhe janë gati të sakrifikojnë edhe jetën për dinjitet vetjak e kombëtar. Nuk ka rëndësi nëse je shkencëtar, artist, biznesmen apo bari a gjahtar pylli për të pasur thymos të zhvilluar.

Unë, situaten e keqe ku ndodhemi e spjegoj me thymosin e pazhvilluar të shpirtit tonë. Ne, si individë e si popull, e duam të mirën, e njohim dhe e kuptojmë atë, por nuk kemi kurajon dhe vullnetin për të sakrifikuar (qoftë edhe jetën) për arritjen e saj. Jemi të prirë që, me çmimin e nënshtrimit, servilosjes dhe humbjes së dinjitetit vetjak ndaj më të pushtetshmëve, të sigurojmë plotësimin e dëshirave tona materiale e kafshërore të momentit.

Tagged under Klodi Stralla