Kulturë

Shtëpia e Kryeministrit-Nga Ilir Levonja

  • Published in Kulturë
Nga: Ilir Levonja

Meqë sot mbushen plot 54 vite nga vdekja e Fan Nolit, ish-kryeministrit dhe themeluesit të Kishës Orthodokse shqiptare, këtu në Fort Lauderdale, shteti i Floridës, këtu ku unë jetoj dhe që nuk e kam larg këtë shtëpi, as 10 minuta me makinë, kam një zakon, ose më saktë e kisha. Miqtë që bujtnin tek unë i çoja aty për një vizitë. Kësaj radhe u trishtova, shkova aty me një tjetër mik të mirë Zanel Alushin dhe vumë re se shtëpia nuk ekzistonte më. Veçse një lëndinë me bar dhe një qetësi rrethine. Megjithëse i pëlqej fotot, nuk kisha dëshirën më të vogël, madje iu luta edhe mikut tim të mos bënim pasi nuk ia vlente. Po risjell një shkrim timin para disa viteve. Për këtë shtetar, meshtar. Ai që u tha njerëzisë që, le t'i këndojmë lutjet në shqip se atje lart i rregullon Zoti. Pra poetit, përkthyesit, muzikantit, eruditit. Shkurt një pasuri e jonë kombëtare. Por edhe me keqardhjen se si nuk ishin kaq të aftë ta blinim atë shtëpi të vogël, si një souvenir të artë të shqiptarisë sonë të vrarë barbarisht... por më shumë nga të gjithë, nga vet ne..., shqiptarët.

Shtëpia e Kryeministrit

“Harxhova dy vite e ca dyke kërkuar me të djathtë e me të mëngjër.''
Fan Noli

1) Fotot që do shikoni më poshtë janë marrë më 3 prill 2015 tek shtëpia e ish-Kryeministrit shqiptar, Fan Noli. I katërmbëdhjeti në këtë post në historinë e shtetit tonë.

(Megjithëse po t'i referohemi listës nga Kryeministria, ai del i gjashtëmbëdhjeti. Ka edhe verifikime që e nxjerrin të trembëdhjetin. Ashtu sikundër ka edhe verifikime të tjera që lënë pas dore gjirokastritin Fejzi bej Alizotin, Kryeministër, pasardhësin e Ismail Qemalit. Unë i jam referuar Wikipedia-s.) Por nuk është ky thelbi i këtij shkrimi, por shtëpia e Nolit. Ai njihet në këto anale edhe si udhëheqësi i revolucionit demokratik të qershorit përmes të cilit erdhi në pushtet. (16 qershor deri më 23 dhjetor, 1924). Kjo shtëpi u ble nga fondi i grumbulluar nga Vatra prej afro 17 mijë dollarësh në vitin 1954. Fonde të cilat u siguruan pas një fushate më shumë se dy vjeçare. Edhe këtu si gjithmonë me zëra pro dhe kundër, me vështirësi, me ndërprerje. Debate. Rifillim fushate etj. Tipar i përjetshëm i grindjes shqiptare. Vetë ish-kryeministri është shprehur plot keqardhje, kur thotë se “harxhova dy vite e ca dyke kërkuar me të djathtë e me të mëngjër''. Por nuk dihet me saktësi se sa? Ashtu sikur dihet që nuk e ka kaluar këtë vlerë valute. U shit për 13 mijë dollarë nga kisha ortodokse shqiptare, pronësi e lënë me testament nga vetë ish-kryeministri, pikërisht në vitin 1971. Sot vlera e kësaj shtëpie nuk dihet. Pasi nuk është në shitje. Pasi kërkova dhe vazhdoj të jem në kërkim, mbi pronësinë etj. Thjesht një web shitjesh njofton vlerën 160 mijë dollarë. Kurse në derën kryesore të saj, qëndron e varur që nga viti 2010 një shkresë që nuk lejon banimin aty, për shkak të mos adoptimit të sistemit të kushteve të domosdoshme për banim. Në bazë të një ligji të posaçëm nga shteti i Floridës. Si thuajse 99% e shtëpive këtu, ajo është e ndërtuar me mure blloku. Çatia me rrasa guri. Dhe ashtu siç e shpjegon vet Noli, është e tipit shtëpi ranch. Fermë...

2)Vatra zë fill nga 1911. Pra ideja rreth krijimit të saj. Ose nevoja për themelimin e një shoqërie përmbi. Kjo në kuptimin e mosmarrëveshjeve që karakterizonte kohën e shqiptarëve në mërgim. Në një farë mënyre reflektohet edhe sot. Disa e donin në Detroit, disa në Boston, disa në New York etj. Në fakt nuk është e vështirë të kuptohet se, këto teka nuk ishin të bazuara aspak në ndonjë kriter. Siç është thelbësor përshembull numri më i madh i shqiptarëve të mërguar. Por egoja e mendësisë sonë provinciale, që edhe pse jeton në Amerikë, prapë kërkon t'i shkojë e veta. Ndaj edhe sot e kësaj dite e quajnë federatë. (Një farë unifikim të plotësimit të tekave dhe mëndjeve.) Po neve nuk na duhet kjo. Gjithsesi duhet thënë se fati bëri një përjashtim. Përpjekjeve të një intelektuali nga Korça me mbiemrin Floqi, iu kurorëzua ëndrra kur Fan Noli shqiptoi sugjerimin e tij. Ta quajmë Vatër. Vatra e oxhakut. Ajo i mbledh burrat, pjesëtarët e shtëpisë, familjen. Dhe sido që ta kthejmë, sido që ta gjykojmë, me minuset, pluset e peshkopit, bindjet apo ironinë e ashpër poetike. Ka një moment të madh historik, ai pas dorëheqjes së qeverisë së Vlorës. Vatra mori në dorë punët e vendit. Nëse do kishin heshtur atë kohë Vatra dhe Noli etj..., ndoshta mund të mos kishim Shqipëri fare. Pra ai është njeriu që në rrëmujën e konflikteve shqiptare, luftrave, shpërbërjes, ka sinjifikuar unifikimin. Megjithatë, as ai nuk i shpëtoi plotësisht egoizmit tonë. Nuk kishte përse bënte humor poetik me qytetet shqiptare, krahinat. Duke i krahasur me derra, kokë trashë, xhandarë etj., popullin e tij. 

3)Periudha më errët e Vatrës është diktatura e Enver Hoxhës në Shqipëri. Kjo thjesht për arsyen e izolimit. Vatrës iu pre burimi. Sado elozhe i bëri Tirana, ish Kryeministri nuk u gënjye. Ai e dinte se një kthim aty, do kishte një fund të trishtë. Më të trishtë se, nga marrëdhëniet e acaruara me mbretin. Kundërshtarin e tij politik. Ndofta edhe vdekje. Ndërkohë në Tiranë vatranë të vjetër po ekzekutoheshin me gjyqe që ta shpifnin. (Rasti, B.Omari, drejtuesit të gazetës Dielli). Edhe kësaj here peshkopi gjykoi me largëpamësi. U hapi derën të arratisurve, pavarësisht bindjeve etj..., duke mbajtur gjallë vijën e ujit. 

4)Noli ndërroi jetë tek kjo shtëpi. Që ishte pronë e tij. Këtu ka një kopësht të madh. Dikur me portokalle. Megjithëse jo më shumë se dy kilometër nga qëndra e Fort Luderdaleit, të ashtuqujturit Venecia e Amerikës, në veri të Miamit, zona duket sikur është e izoluar për shkak edhe të tipit të vjetër arkitekturor. Aty banojnë shtresa më e varfër. Por duke iu referuar aktivitetit të tij, Nolit, kjo shtëpi është edhe pronë e historisë së shtetit shqiptar. Edhe pse nuk i përket më as kishës shqiptare, as shtetit shqiptar. Ndofta ishte kjo arsyeja që më dërgoi deri aty. Pra të prek historinë e shtetit tim. Kështu u thashë edhe dy fqinjëve kureshtar. Këtu ndërroi jetë Kryeministri im.
5) Pa i mëshuar zërave se a bëri mirë apo jo, kisha ortodokse shqiptare e Bostonit, për shitjen e kësaj vlere të madhe. Ka ardhur koha të mendohet se si mund të rikuperohet kjo shtëpi. Në zonë ka shenja gjallimi dhe përmirësimi të jetës. Nuk besoj se vlera e presupozuar për shitje, është po aq. Dhe nisur edhe nga mangësitë, në kushtet e jetesës, mund të riblihet me një vlerë më të vogël. Por edhe vlera aktuale, në bazë të sipërfaqes së tokës, zonës, jo edhe shumë larg aeroportit ndërkombëtar të Fort Lauderdalit, e justifikon plotësisht një inisiativë të Shqipërisë.
Ajo mund të bëhet fare mirë një konsullatë në drejtim të vendeve të Karaibeve. Një shtëpi fushimi artistësh. Krijimi dhe arredimi të historisë sonë. Unë e mora këtë inisiativë edhe nga nisma e Kryeministrit shqiptar, në lidhje me ëndrrën qytetare.
Nuk ka asgjë të keqe, të kemi një copë Shqipërie në jugun e Amerikës. Në guidën time tashmë, me miqtë, do jetë edhe kjo shtëpi. Shtëpia e Kryeministrit.

Fort Lauderdale, 3 prill 2015.