Kulturë

Letërsia Shqipe në Panairin Parizian të Librit

  • Published in Kulturë

Në Paris u zhvillua Panairi i Librit. Një stendë e veçantë ishte rezervuar për letrat shqipe. Ky informacion u bë me dije në Facebook nga Nezir Kraki, profesori i shkencave politike në Universitetin Paris-Est Creteil. Përmes fotove të postuara prej tij vihet re lehtë që bëhet fjalë për një panair libri, aktivitet disa ditor me stenda dhe vizitorë të shumtë. Salla me panele shkrimtarësh dhe ekspertësh që diskutojnë mbi letërsinë dhe librin dhe karrige për të ulur dëgjuesit dhe të interesuarit e letrave. Dhe nëse lexojmë statusin e profesorit të nderuar kuptojmë edhe më mirë se si organizohet një panair libri në Parisin e kulturës dhe klasit, vlera që u jepet autorëve, respekti ndaj krijuesve si dhe rëndësia e pjesëmarrjes dhe rolit të botuesve.

 “Sot n’Paris nuk folëm për politikën e Kosovës as për telenovelat e telekomit por për letërsinë shqipe si të vetmin produkt të eksportueshëm që nuk na skuq publikisht.

Kosova e kishte një orë të rezervuar në skenën e Evropës. Aty folëm rreth letërsisë shqiptare të Kosovës këto 20 vitet e pasluftës. Temat letrare dhe ndikimi i krijimit letrar në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe në mirëmbajtjen e ëndrrës për ideale fisnike.

Është kënaqësi ta takosh Kosovën tonë të vogël në Parisin ‘tim’ të madh. Shoqata e botuesve të Kosovës me kryetarin e saj Edon Zeneli, shtëpia botuese Buzuku me themeluesin e saj Abdullah Zeneli dhe autorët e krijuesit tanë të cilët na prezentojnë në raste të tilla, janë për t’u falënderuar e duartrokitur për këtë vitrinë letrare.

Kosovës së zhytur në mjegullën e shtetngrëniës i duhen momente të tilla brenda dhe jashtë saj. Dhe ne që mund të kontribuojmë në këso rastesh duhet ta shohim Kosovën si projekt në bërje dhe ta ndihmojmë.

Vetëm kështu mund ta parandalojmë zhbërjen e saj. Ndërkohë, letërsia na mundëson shpresën dhe na relativizon pritjen. Aktiviteti letrar në stendën e Kosovës rinis nesër nga ora 10:00 dhe vazhdon deri të hënën".

©Flasshqip.ca