Kulturë

Dorëshkrimet e purpurta - Nga Luan Rama

  • Published in Kulturë

«Një abaci pa bibliotekë është si një kështjellë pa depon e armëve» (Godefroy de Saint-Barbe-en-Ange, 1170)

«Kodikët e Purpurt» të Beratit, të cilat para disa vjetësh u pranuan në Unesco si «pasuri e trashëgimisë botërore» dhe hynë në atë që quhet «Mémoire du Monde», ose «Kujtesa e Botës», na dhanë shkas që të bëjmë një udhëtim historik dhe të ndërmarrim një pikëtakim me dorëshkrimet më të vyera të njerëzimit, të pikëtakojmë rabinë e murgj të shekujve të hershëm që në dorëshkrimet e para filluan rrugëtimin e letërsisë biblike apo bëmave të mëdha, që më pas do të këndoheshin nga trubadurët popullorë. Ç’ishin vallë këta «scribe» të historisë? Cila ishte jeta dhe historia e tyre personale, drama dhe tragjedia e tyre? Vështirë të mësojmë diçka rreth tyre sepse ata asnjëherë nuk kanë shkruar për vetveten. Më të shumtit kanë mbetur anonimë. Sidoqoftë, ëndra e «scribe»-ve: të shkruanin kodikët dhe librat më të bukur të botës! Në gërma ari e argjëndi, në fletë të purpurta, përkulur mbi miniatura të paharrueshme të mbrujtura me ngjarje që do tu rezistonin jo vetëm shekujve por dhe mijëvjeçarëve, ata bënë të mundur të na dëshmojnë për një kohë plot dritë dhe art.

Në arkivat e botës ruhen ende dorëshkrime të një vlerë monumentale dhe të pazëvëndësueshme, të vetmet që dëshmojnë për mendimin dhe vlerat njerëzore të atyre kohrave. Nuk është fjala vetëm për Dorëshkrimet e Detit të Vdekur, të gjetura në Kumran pas Luftës së Dytë Botërore në shkëmbenjtë e Detit të Vdekur në Izrael, rrodhanë që i përkasin shekullit III-I, para erës sonë, por dhe për kopjen e hershme të Testamentit të Vjetër, si dhe ungjijtë e parë, kodikët me jetëshkrimet e katër evangjelëve të famshëm dhe më vonë të jetës së përditëshme njerëzore, të martesave e vdekjeve të mëdha, të luftrave dhe të traktateve të para shkencore, apo mjeksore, etj. Një botë e vërtetë ku mpleksen arti, historia, puna e shkronjësve të lashtë, të këtyre murgjeve «scribe», që i lanë pas njerëzimit këtë pasuri botërore.

Çdo dorëshkrim, apo kodik, ka karakteristikat e veta, artin e vet, ashtu siç i dallojmë ato dhe në Beratinus 1 apo Beratinus 2, i pari i shekullit të VI dhe i dyti i shekullit të IX. Të zbuluar nga studjuesi francez P. Batiffoli në vitin 18, Codex Purpureus Beratinus dhe Codex Aureus Anthimi (Kodi i Artë i Anthimit, pra Beratinus 2), përbëjnë një vlerë të veçantë për fillimet e letërsisë biblike. Codex Purpureus Beratinus, është shkruar një shekull e gjysëm pas përkthimit në latinisht nga Saint Jerôme, apo Jeronimi i Eusebit, të Biblës Septante, në greqisht, e cila u quajt Vulgata dhe që ruhet në Vatikan. Kështu Beratinus 1 është një nga 5-6 kodikët më të vyer të botës për nga vlerat historike, pas kodikut Petroliptus Codex, Vindeobone-usis, Codex Purpureus Rossanensis, Codex Sinopsensis, apo Rabbula Codex e vitit 586 e erës sonë, e shkruar kjo e fundit në Mesopotami në manastirin e Shën Joanit, në gjuhën siriake, në një format 33,6x26,7cm.

Zakonisht kodikët mbajnë emrat e shkronjësve të tyre, pra të «scribe»-ve, që përgjithësisht ishin murgj si në kohën e faraonëve të Egjiptit, apo autorë me emër, të cilët i dhanë jetë dhe dritë, duke derdhur në ar apo argjënd gërmat e tyre, apo duke pikturuar mbi fletë lëkure. Nga disa prej tyre dimë vetëm emrin. Secili prej kodikëve, apo dorëshkrimeve të rralla ka një histori, një aventurë njerëzore, ngjarje që nuk kanë mundur të vijnë deri tek ne, por që mund ti imagjinojmë dhe të hyjmë në botën e pasionin e këtyre «scribe»-ve, të cilët ishin padyshim artistë të përkryer.

Ashtu si Codex Purpureus Beratinus dhe Codex Aureus Anthimi të Beratit, që në kohën e errët totalitare vazhdonin të ruheshin në fshehtësi në një gropë të një kishe në Berat, për tu zbuluar më vonë, ashtu dhe kodikët e tjerë pësuan ç’vendosje, kërcënime djegjesh e plaçkitjesh, duke u detyruar tu largohen luftrave dhe pushtimeve fetare, apo perandorëve të tjerë dhe të largohen nga vëndi i tyre i krijimit. Çdo ikje ka qënë një kalvar për jetë a vdekje. Ikje me kodikët e fshehtë për ti shpëtuar ata nga shkatërrimi. Dhe kjo ka ndodhur pikërisht në kohë përplasjesh të mëdha midis Perëndimit dhe Lindjes. Rabbula Codex, pas 900 vjetësh e la manastirin e Shën Joanit për të gjetur strehë në vitin 1497, në Firence, ku është dhe sot. Codex Purpureus Rossanensis, një nga veprat më të përmëndura në historinë e dorëshkrimeve, është i fillimit të shekullit të VI. Historianët pohojnë se ai është krijuar në Azinë e Vogël, ose në Antioche, (çka mendohet dhe për Kodikun e Anthimit), e cila në kohën e kryqëzatave banohej nga latinët dhe udhëhiqej nga mbretër latinë. Charles I d’Anjou, që ishte mbret i Napolit dhe i Shqipërisë, në fundin e viteve 1200 ishte njëkohësisht dhe mbret i Jeruzalemit. Ky kodik i mrekullueshëm me dimensione 30,5x26cm dhe me 188 fletë në linja ari dhe një tekst në bojë argjëndi, i shkruar në greqisht, ka si përmbajtje të katër evangjilët, por vetëm ai i Shën Markut është i plotë. Thuhet se ky kodik i përsosur nga ana grafike, ka mbërritur në Itali në shekujt VII-IX dhe u vendos në Rossano, një qytet i vogël i Kalabrisë. Ai është njëkohësisht një nga librat që ka kërkuar më shumë para për tu shkruar.

Kodikët e vjetër, apo dorëshkrimet e popujve të ndryshme, janë shkruar në forma, teknika, apo «suporte» të ndryshme. Codex Borgia, i Vatikanit lexohet p.sh. në formë fizarmonike, ndërkohë që dorëshkrimet e kulturës «maya» janë të afërta me konceptin perëndimor. Dorëshkrimet kineze ndryshojnë tërësisht me këto të fundit. Haxhiografët e profetëve, këta «scribe» që shkruanin edhe jetën dhe bëmat e mbretërve e perandorëve, dëshmojnë për një punë artistike të një niveli të habitshëm, aq sa sot na mahnisin me kaligrafinë dhe figurat e tyre. Ndër dorëshkrimet e rralla të njerëzimit, arkivat ruajnë dhe një sërë librash jo-biblikë, siç është p.sh. dorëshkrimi i vjetër Vergilius Vaticanus, i shekullit IV, me një format 22,5x22cm, i cili sot gjëndet në Romë dhe që është shkruar nga poeti i madh Virgjili, pra Publius Vergilius Maro. Në këtë dorëshkrim të mrekullueshëm nga ana grafike e kaligrafike, të shoqëruar nga 50 miniatura, ai përshkruan jetën fshatare, «gjeorgjikët», Eneidën, poemën e tij epike mbi origjinën e perandorisë romake. Në Romë gjëndet dhe dorëshkrimi tjetër në latinisht i Virgjilit, i titulluar Vergilius Romans, i shekullit V, me 309 faqe dhe një format 33,2x32,3cm.

Nga dorëshkrimet shkencore më famëmadhe është Diorscoride de Vienne e vitit 512, e cila i u dhurua princeshës bizantine Juliana në Konstantinopojë. Në fakt, Dioscorides, që kishte jetuar në shekullin I, ishte mjek i ushtrisë së Neronit dhe ai e shkroi këtë traktat të madh mjeksor e farmakologjie të pasur me 392 miniatura në 492 faqe, në format 38x31 cm. Në të njëjtën kohë, në Siri shkruhej në greqisht Wiener Genesis, ku përshkruhet gjeneza e botës, në bazë të Biblës Septante, apo Testamentit të Ri, (Bibla e parë e botës), që ka në bazë jetën e Krishtit, por dhe që është një vazhdim i tregimeve hebraike mbi Moisiun, Davidin, Solomonin, etj. Një shekull më vonë u shkrua në latinisht dhe dorëshkrimi tjetër i njohur me emrin Pentateuque d’Ashburuham. Historianët thonë se ky dorëshkrim duhet të jetë shkruar në Spanjë, ose në Afrikën veriore, dhe më pas, në shekullin IX, ai është transferuar në abacinë e qytetit francez Tours. Por më 1847, ai i u shit dukës anglez Ashburuham dhe që atëherë dorëshkrimi mori emrin e tij.

Kur perandori i Evropës, Charlemagne, filloi fushatën romake kundër Romës, ai i kërkoi «scribe»-t së tij Godesclac, të shkruante një libër liturgjik në gjuhën latine. Dhe ai e shkroi këtë libër prej 127 faqesh, në dimensionet 31x21cm, në Aix-la-Chapelle, midis viteve 781 dhe 783. Në Evangeliaire de Godescalc, siç titullohet ky dorëshkrim i mrekullueshëm, shkruhet për evangjilët dhe pasazhe të ndryshme lexoheshin nëpër mesha të rëndësishme. Një «evangeliaire» më i hershëm se ky është Evangiliaire de Lindisfarne i vitit 698, ku shkruhet për katër evangjilët e famshëm pas Krishtit. Kronikat historike tregojnë se për shkrimin e tij u prenë 100 viça, ndërsa për shkrimin e dorëshkrimit tjetër të njohur Evangeiaire du Tresor, një nga më të bukurit e epokës «caralingiennes», u desh lëkura e 150 viçave të therur. Por rekordin e viçave të therur e mban Bibla e Winchester, për shkrimin e së cilës u desh lëkura e 250 të tillëve. Kuptohet që angazhimi në shkrimin e kodikëve dhe dorëshkrimeve të rralla ishte i jashtzakonshëm, jo vetëm si financim dhe forcë fizike, por dhe si kohë, e mbi të gjitha si krijimtari. Për përfundimin e tyre duheshin vite pune. Kështu u krijuan librat e tjerë të famshëm si Codex Amiantinus, i vitit 716, në gjuhën latine dhe format të madh (50,5x34cm), me 1029 «folios», e punuar në abacinë Jarrow të Wearmoth; Livre de Durrow i vitit 675, mbi katër evangjelët e krijuar në Irlandë; Codex Aureus de Canterbury, i shekullit VII, në gjuhën latine dhe në format 39,5x31,4cm, apo Evangeliaire d’Henri de Lion, i cili në vitin 1983 u ble gjatë një shitje në Sotheby’s në Londër, për 16 milionë euro. Një nga pinjollët e mëvonshëm të Charles I d’Anjou, pra René d’Anjou, i cili formalisht ishte ende zot i Durrësit të Shqipërisë, (Albaniae), duke qenë një amator i madh arti dhe lojrash kalorsiakë, krijoi një nga librat më të bukur të quajtur Le livre de Tournois, të cilën do ta shkruante ai vetë.

Në atë kohë abacitë kristiane mbanin thesare të mrekullueshme, aq sa siç shkruhej në vitin 1170 nga Godefroy de Sainte-Barbe-en-Ange, «Një abaci pa bibliotekë është si një kështjellë pa depon e armëve». Dhe kjo thënie padyshim ishte e tillë edhe për abacitë shqiptare, që edhe pas një pushtimi të gjatë, arritën të shpëtojnë shumë prej kodikëve, siç janë 100 kodikët shqiptarë, mes të cilëve dhe kodikët e Korçës, Vlorës, etj.

Dhe padyshim kodikët e Beratit të zbuluara nga Pierre Batiffol dhe të mbajtura ende nga metropoliti i Beratit Anthime Alexoudis janë një histori akoma më interesante…

Batiffol-i dhe librat e shenjtë të Shqipërisë

Kodikët dhe dorëshkrimet e vjetra kanë zbuluesit e tyre dhe çdo zbulim lidhet me një histori, ashtu siç për kodikët shqiptarë merita duket se është e dy njerëzve të mëdhenj: e ipeshkvit të Beratit, Anthim Alexoudis, që banorët e quanin «miku i arteve» dhe për studjuesin francez Pierre Batiffol, i cili është i pari studjues i botës shkencore që përcaktoi vlerat e këtyre kodikëve në Perëndim. Botimi para dy vjetëve i librit Kodikët e Beratit, nën udhëheqjen e profesor Shaban Sinani (dhe botimet e një grupi autorësh si Theofan Popa, Aleks Buda, Kosta Naço, Kaliopi Naska, Nevila Nika, por dhe studjues të huaj si Johannes Koder, Erich Trapp, Roderic L.Mullen, Edoardo Csrisci), n’a bëri të mundur dhe njohjen me studimin e Batiffol-it për këta kodikë nën titullin Les manuscrits grec en Albanie et Codex Purpureus Beratinus. Në fakt, Batiffol-i ishte intriguar nga informacioni që kishte marrë nga kolegu i tij belg, studjuesi Ludovico Duschense, i cili kur ishte nisur për në malin e shenjtë Athos, të Greqisë, ishte ndalur në Patmos për të studjuar e përshkruar disa pjesë të kodikut të famshëm Codice N Vaticana. Por në Patmos, Duschense kishte dëgjuar nga drejtuesi i bibliotekës, një grek, se një kodik i tillë i purpurt në pergamen (me lëkurë viçi) gjëndej dhe në Berat.

Tundimi i Batiffol-it ishte i madh dhe ai kërkoi me çdo kusht ta studjojë këtë kodik të panjohur, i cili duhej të ishte ndër më të rrallët. Si vallë gjëndej atje dhe përse në Berat? Por më parë ai takohet me konsullin francez të Janinës, Sauvaire, i cili i tregon për studimin e bërë tashmë nga ipeshkvi i Beratit Anthime Alexoudis lidhur me këta libra. Bëhej fjalë për një kodik të mrekullueshëm, i cili nxirrej në meshë, para popullit një herë në vit më 27 janar, çdo herë në festën e ditës së Shenjtit Gjon Gojëarti (Joan Chrysostomos), në mënyrë që njerëzit ta shikonin, ta puthnin dhe të përuleshin para librit të shenjtë. Atëherë Batiffol-i niset drejt Shqipërisë. Ai n’a shkruan se për rrugën nga Vlora për në Berat me kalë duhen 15 orë kalërim, çka tregon se ai ka ndjekur pikërisht këtë itinerar. Nga Pierre Batiffol nuk njohim ndonjë përshkrim të veçantë dhe me shënime udhëtimi gjatë itinerarit të tij, por me siguri, udhëtimi drejt brigjeve shqiptare dhe nëpër male e fusha do të ketë qënë mjaft interesant. Veprat e konsullit francez Poucqueville të Janinës, tashmë ishin bërë të njohura në Francë, por për kodikët dhe dorëshkrimet e vjetra nuk kishte asnjë informacion. Në përshkrimin e tij në hyrje të Beratit, Batiffol na njofton për «qytetin që ngrihet buzë lumit Apsus (Osum) dhe për habinë e tij kur shikon plot hebrenj me fes të zi në kokë. Batiffol-i vendoset në lagjen «Kala», siç na shkruan ai, në «tokën e ortodoksëve dhe ku nuk ka asnjë xhami», ndryshe nga pjesa tjetër e qytetit, e cila është e gjitha muslimane. Dritaret e tij shohin nga bedenat e kalasë dhe pamja tutje duhej të ishte padyshim me një ekzotizëm të rrallë, pasi duket që kjo pamje atë e ka ngacmuar së tepërmi. Dhe padyshim, takimi i parë është me ipeshkvin e Mitropolisë së Shenjtë, Anthime Alexoudis.

Nuk dimë se sa ditë ka qëndruar Batiffol-i në Berat, por nga sa kuptohet nga shënimet e tij, qëndrimi ka qënë i shkurtër. Në fillim ka humbur shumë kohë gjersa e ka bindur ipeshkvin që ti hapë vendet e fshehta, ku ruheshin kodikët e vjetër. Por habija e tij ishte e madhe: një habi e përzier me një lloj trishtimi, pasi ai gjëndet para një grumbulli të çrregullt të kodikëve të mbajtur keq. Por kodikët e vjetër, Alexoudis i mbante në një vënd tjetër, me kujdes të veçantë. Ato kodikë Batiffol-i do t’i shohë pak kohë para se të ikë. Në fillim ai n’a tregon për kodikët e kishës së Shën Gjergjit, apo të kishës së Ungjillizimit, për dorëshkrime kishtare të shekujve XII, XIII, XV, me pergamenë, si dhe për «diptikë» me disa dhjetra fletë. Një nga dorëshkrimet është ai i vitit 1158. Duket se Alexoudis i ka treguar se para se të hysh në lagjen Mangalem (siç shkruan Batiffol) në hyrje të urës së lashtë të Beratit, është një kishë me emrin «Fjetja e Shën Mërisë» dhe se aty ruhet një ungjill i shekullit të IV. Batiffol-i shkoi në këtë kishë dhe dalloi në fakt një ungjill të shekullit të VIII, me pergamenë prej 260 fletësh. Por Batiffol na tregon dhe një histori të jashtëzakonëshme që lidhet me Beratin dhe kodikët Beratinus dhe që përbën një skenë më vete filmike. Në kronikën e kishës së Shën Gjergjit flitej dhe për një laik, i quajtur Skouripeki, i cili në vitin 1356, i kishte bërë kishës një shërbim të madh: shpëtimin e ungjijve të vjetër. Ç’kishte ndodhur vallë? Kur serbët ishin dyndur nga veriu drejt Beligradit (Beratit), murgu Theogulos i ishte lutur atij që ta ndihmonte për të shpëtuar kodikët e shenjtë. Dhe një ditë, të dy së bashku, kishin ngarkuar të fshehur në koshere bletësh 27 kodikë e dorëshkrime të vjetra kishtare dhe i kishin çuar në një vënd të sigurt.

Duket se në Berat, Batiffol ka qëndruar jo shumë kohë. Sigurisht, ai do të kishte dashur të qëndronte më shumë, siç ndodh gjithnjë me studjuesit që pikëtakojnë papritur vlerat e mëdha historike. Një rrethanë ndoshta sigurije, e ka shtyrë të largohet, por shënimet që mori i shërbyen shumë për të bërë studimet e mëtejshme krahasimore me dorëshkrimet, apo kodikët më të vjetër që ekzistonin që nga shekujt e parë të erës sonë. Batiffol-i ishte habitur që në anë të kapakut të njërit prej kodikëve kishte lexuar: «Shikojini shkronjat e këtij ungjilli të shkruar nga vetë dora e Gjon Gojartit, kur ai ishte në Antioche, në atdheun e tij». Dhe kjo do të ishte afër të vërtetës. Një zbulim kapital për të është se autoshkrimi i Codex Purpureus Beratinus, siç e quan ai në vitin 1885, kodikun tonë më të vjetër, «ishte ndër më të bukurit e stilit «unicial» të lashtë dhe i ngjashëm me Dioscoride-s e Vienës, apo Palimpestin e Shën Peterburgut. Lumturisht, kodikët më të vyer që pa Batiffol-i në Berat, mbijetuan gjer në ditët tona. Të tjerë, humbën, dhe askush nuk e di se cili ka qënë fati i tyre: luftra, djegje kishash, rrënime nga tërmetet, apo shtegtime drejt vëndesh që ende nuk i njohim?...