Kulturë

Naimi përpara ikonës së Krishtit - Nga Vangjush Ziko

  • Published in Kulturë

“Përpara Krishtit” titullohet krijimi në vargje i Naim Frashërit botuar në vitin 1890 në vëllimin “Luletë e Verësë”.

Në këtë krijim poeti na përshkruan portretin shpirtëror të Jezu Krishtit të kryqëzuar nga mbrapështitë paradoksale njerëzore, që nuk pyesin as për lidhje gjaku, as për moral, as për drejtësi.

Vlerën figurative emocionale të këtij krijimi, e transmeton paraqitja e portretit të martirizuar të Krishtit, që fal çdo gjë. Fytyra e Krishtit të masakruar është, për poetin, një pasqyrë e vuajtjeve njerëzore të shkaktuara nga vetë njerëzit, nga smira, ligësia, brutaliteti, fanatizmi; ajo është, në të njëjtën kohë, edhe mishërimi i dashurisë sublime` për njeriun dhe njerëzimin, dashuri e cila shkon deri në vetësakrifikimin, dashuri që fal dhe beson në një të ardhme njerëzore të ndritur.

Kjo poezi, duke trajtuar një motiv biblik, i kalon caqet e një figure të shenjtë simbolike fetare, dhe, figurativisht, i bën jehonë jo vetëm një morali të caktuar fetar, por bën aludim edhe për një moral human konkret jetësor të mohuar në jetën e përditshme, për një martir të vërtetë, që vetësakrifikohet për idealin, jo, thjesht, për një ideal fetar.

Jezu Krishti është për Naimin një pasqyrë e botës reale njerëzore, një pasqyrë autentike e vërtetë, jo e gënjeshtërt, një martir i madh humanist, predikues i dashurisë dhe i miqësisë njerëzore.

Duke lexuar këtë krijim poetik të Naimit, vetvetiu, habitesh dhe të lind një pyetje e logjikshme: ç'e shtyu të shkruajë një vjershë kaq të drejtpërdrejtë të frymëzuar nga një doktrinë fetare të cilën ai nuk e praktikonte? Naimi ka shkruar krijime të frymëzuara poetike për doktrinën bektashiane, poemën “Qerbelaja” dhe për martirin e saj, Abas Aliun. Pse e drejtoi vemendjen e frymëzimit të tij ndaj martirit të krishterimit, Jezu Krishtit?

Frymëzimin e poetit tonë kombëtar e drejtoi jo besimi dhe vizioni i tij mistik, por vizioni i tij humanist, ndërgjegjja e tij patriotike dhe butësia e tij njerëzore, vetë misioni i tij atdhetar, mision i cili e orientoi krijimtarinë, frymëzimin e vet militant në shërbim të kombit të vet në atë periudhë aq kritike dhe vendimtare të mbijetesës së tij historike, kur, jo për faj të vet, por të politikave të huaja dhe atyre otomane, në radhë të parë, të politikave çkombëtarizuese që e kishin shpënë në zgrip të fshirjes nga faqja e dheut. Vizioni patriotik dhe kredoja krijuese humaniste dhe iluministe e artit të fjalës e frymëzuan poetin për krijimin e kësaj poezie. Për këtë arsye dhe, vetëm për këtë, ai i bën tema të veta vlerat morale dhe etike të doktrinës së krishterë. Dhe këtë, vizionari Naim e bën pa nguruar aspak, megjithëse i përket një besimi tjetër fetar. Ai jep, kështu, shembullin e vet patriotik se besimi fetar nuk duhet të bëhet shkak për përçarjen kombëtare.

Argumenti tjetër i frymëzimit të poetit në këtë poezi është thjesht letrar, artistik dhe personal, ka të bëjë me ngjashmërinë që ndien ai me figurën e martirit të krishterimit. Tërë jeta e Poetit është një jetë prej martiri të vërtetë. Profesor Rexhep Qosja në veprën e tij voluminoze “Porosia e Madhe” kushtuar jetës dhe veprës së Poetit Kombëtar shkruan: “Për mua, që në vogëli, portreti i Naim Frashërit më ka shëmbëllyer, gjithmonë, me atë të Krishtit, sidomos për nga vështrimi i thellë, i menduar, për nga ajo butësi dhe hije mençurie e përdëllimi që rrezaton prej tij”.

Tërë jeta e poetit ishte një jetë prej martiri të vërtetë që punoi, vuajti, u tret si qiriri për fisin e vet duke predikuar miqësinë, dashurinë, besën dhe unitetin kombëtar. E gjithë kjo vjershë, pra, është ndërtuar mbi këtë paralelizëm poetik të pashprehur konkretisht, por të lexueshëm qartësisht, midis subjektit poetik dhe vetë autorit të saj.

Duke u nisur nga këto deduksione, na jepet e drejta të pohojmë se edhe në poezinë “Përpara Krishtit”, gjen pasqyrimin e vet vizioni i gjerë e i thellë i Poetit të madh të Rilindjes sonë Kombëtare dhe i gjithë rilindasve tanë, të cilët e pranojnë realitetin kompleks botëkuptimor dhe atë shpirtëror shqiptar me respekt dhe me tolerancë maksimale, duke i vlerësuar realisht gjërat, pa as më të voglin kompleks fetar.