Kulturë

Amerika si ‘shtet natyror’ - Nga Dr. Ernest Nasto

  • Published in Kulturë

Në artikullin e kaluar pamë se ideja e ''popullit të zgjedhur'', më historikja ndër idetë e ndërgjegjes kombëtare amerikane e gjente zanafillën e saj në Amerikën koloniale të shekullit XVII. Ndërsa në shekullin pasardhës revolucioni amerikan dhe krijimi i Shteteve të Bashkuara (1765-1783) shoqërohen me lindjen e disa ideve të tjera bazë, të cilat në një mënyrë apo një tjetër mbeten ende në qendër të kuptimit të vetvetes nga amerikanët. Ato ide dukeshin asokohe aq të qarta e të padiskutueshme, saqë zor se mund të viheshin në dyshim, dhe në fakt e kanë përkufizuar kulturën amerikane në një mënyre gjithëpërfshirëse.

Një ide kryesore e mbrujtur në atë periudhë ishte ajo e ''shtetit natyror'' e cila filloi të dilte në fillimet e revolucionit, duke pasur rrënjët në filozofinë iluministe europiane, sidomos atë angleze. Kjo filozofi u zhvillua gjatë Reformës së besimit kristian në Europën e shekujve XVI-XVII, kur një numër vendesh u shkëputën nga Kisha katolike e Romës dhe përqafuan variantin e ri të kristianizmit, atë protestant. Në një kontekst kaosi e luftrash pambarim ndërmjet katolikëve e protestantëve disa mendimtarë argumentuan se mosmarrëveshjet vinin nga interpretimet e ndryshme të Biblës si pasojë e përkthimit të saj në gjuhët lokale. Ata këshillonin besimtarët të mbanin parasysh krahas Biblës, edhe librin tjetër të Zotit, ''librin e madh të natyrës'', ku njeriu mëson të vërtetat që gjenden në të gjitha besimet fetare. Ndër to janë sidomos vetë ekzistenca e Zotit, bazuar në rregullin e simetrinë e sistemit natyror, e po ashtu edhe parimet morale më elementare që na bëjnë të dallojmë të mirën nga e keqja.

Përqendrimi i vëmendjes tek ''libri i natyrës'' sipas iluministëve, do t’ia hiqte bazën teologjike luftës fetare e do t'i jepte fund gjakderdhjes. Shprehja e botëkuptimit iluminist në aspektin fetar u njoh me emrin deizëm, duke reduktuar besimet e ndryshme në disa të vërteta të vetëkuptueshme, bazuar siç thamë, tek natyra.                

Në këtë kuadër edhe Republika Amerikane, e konceptuar më 1776 dhe e sanksionuar me kushtetutë më 1787, ishte e bazuar tek iluminizmi, si filozofia që frymëzonte shumicën e etërve të saj themelues. Përveç Thomas Jefferson, autorit të Deklaratës së Pavarësisë dhe ideatorit të parimeve kryesore të sistemit politik amerikan, ithtarë të asaj filozofie ishin edhe Benjamin Franklin, John Adams, James Madison, Thomas Paine, etj. Idetë politike të këtyre etërve të kombit amerikan shprehnin ndërthurjen e ngushtë të iluminizmit dhe deizmit me traditat e konceptet biblike.

Përqafimi i deizmit prej themeluesve pati pasoja tepër të rëndësishme për shtetin e ri, mbështetur në potencialin që besimi e feja në përgjithësi kishin për të ardhmen e këtij shteti. Nga njera anë besimi ishte një avantazh i madh, sepse nxiste moralitetin e shëndoshë, por kjo shoqërohej edhe me rrezikshmëri serioze nga numri i madh i sekteve e rrymave në konkurrencë me njëra-tjetrën. Secila prej tyre shpresonte të bëhej ajo vetë kisha apo feja zyrtare e shtetit te ri, dhe kishin qenë pikërisht shpresa e ambicje të tilla në zanafillë të katastrofës europiane të shekullit XVII. Prandaj çështja më e rëndësishme ishte parandalimi i konflikteve të ngjashme, po aq të mundshme edhe në Amerikë.

Mes debatesh të shumta etërit themelues ja dolën ta zgjidhin problemin në mënyrë gjeniale, duke shmangur çdo pozicion të skajshëm. Ata refuzuan edhe shpalljen e ndonjerës prej kishave ekzistuese si kishë zyrtare, edhe formulimin e vizionit të tyre mbi baza krejt laike. Perspektiva deiste e përcaktimit të disa të vërtetave themelore minimale, mbështetur mbi arsyen dhe natyrën, pasqyrohet me qartësinë më të madhe sidomos në Deklaratën e Pavarësisë të vitit1776.

Deklarata shpallte qysh në fillim frazën lapidare se ''ne i quajmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, që të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe janë pajisur prej Krijuesit me disa të drejta të patjetërsueshme midis të cilave janë jeta, liria dhe synimi për lumturi''. Me këtë pohohej haptazi ekzistenca e Zotit (Krijuesit), ndërsa me konceptin e të drejtave të patjetërsueshme dokumenti afirmonte po aq haptazi edhe ekzistencën e një rendi moral të vetëkuptueshëm prej të gjithëve. Për më tepër, hyjnia thirrej me emrin ''Zoti i natyrës'', ndërsa e drejta e kolonive për shkëputje nga Perandoria Britanike argumentohej vetëm me ''ligjet e natyrës dhe të Zotit të natyrës''.

Revolucioni amerikan bazohej kësisoj teorikisht vetëm mbi egzistencen e një Zoti të njohshëm nga natyra, po ashtu mbi një rend moral të konsideruar të mirëqenë. Duke respektuar njëlloj të gjitha besimet fetare, theksi vihej jo tek ndryshimet mes tyre, por tek sjellja e mirë morale. Konceptimi i një shoqërie ku besimet e ndryshme bashkëegzistojnë paqësisht ishte një vizion që e dallonte qartë republikën e re nga shoqëritë e ngjashme të Botës së Vjetër.                                  

Vizioni në fjalë ka pasur sukses të jashtëzakonshëm, sepse që prej themelimit të shtetit të tyre, amerikanët në tërësi kanë konsideruar se besimi tek Zoti dhe jeta e moralshme janë shumë më të rëndësishme se përkatësia tek një rrymë apo kishë e veçantë. Po ashtu Amendamenti i Parë i Kushtetutës parandalon favorizimin e ndonjë feje nga qeveria federale duke e bërë kështu besimin të paprekshëm prej autoritetit publik.       

Me një mbështetje të tillë të eksperimentit amerikan tek natyra dhe tek ''Zoti i natyrës'', ishte e lehtë të mendohej se organizimi i ri politik thjesht pasqyronte mënyrën me të cilën vetë Hyjnia synonte të rregullonte punët e njerëzve. Sistemi amerikan shihej pra jo si produkt i mendjes së disa njerëzve, sado të urtë e të mençur, por si i shpalosur në natyrë nga Providenca hyjnore, gjë që përputhej për bukuri edhe me idenë më të hershme të ''popullit të zgjedhur''. Një ilustrim kuptimplotë na vjen nga pena e Thomas Paine, i cili shkruante se ''rasti dhe rrethanat e Amerikës janë njësoj me ato në kohën e krijimit të botës. Ne gjendemi në pikën e fillimit të qeverisjes njerëzore, tamam sikur të ishim në fillim të kohës. Përpara nesh është një vëllim i madh jo historie, por faktesh, të pagjymtuara nga peripecitë apo gabimet e traditës njerëzore''. Pikërisht kjo është edhe shprehja më e plotë e më e qartë e konceptit të ''shtetit natyror''.                

Në praktikë ideja është mishëruar në njëfarë nënvlerësimi prej amerikanëve të forcës së historisë e të traditave në formimin e kombit. Flitej pra për një vend e një komb të paprekur nga majat e humnerat e historisë njerëzore, për një ''komb të zgjedhur'' të dalë drejtpërsëdrejti nga dora e Zotit. Identiteti amerikan shihej kështu pa ndonjë lidhje as me historinë e kulturën angleze, as me Greqinë apo Romën e vjetër, por që buronte thjesht nga natyra dhe nga vetë Krijuesi. Të gjitha këto shpjegojnë përse ideja e kombit dhe shtetit natyror pati një përhapje aq të gjerë.

Ndërkaq ajo ide përmbante në vetvete edhe një kontradiktë të thellë. Kjo sepse nga njera anë traditat politike e kulturore të krijuara prej amerikanëve kishin rrënjët në një kontekst të dominuar nga meshkujt e bardhë, protestantë, me origjinë europiane. Por nga ana tjetër ato tradita mbroheshin e justifikoheshin duke përdorur gjuhën e të drejtave e idealeve natyrore, pra që mund të përqafohen nga të gjithë njerëzit në çdo vend e në çdo kohë. Po ashtu nga njera anë ideja premtonte se ''jeta, liria dhe synimi për lumturi'' ishin të drejta natyrore të patjetërsueshme për ''të gjithë njerëzit''. Por nga ana tjetër e njëjta ide e përkufizonte natyrën në terma eurocentrikë, pra në interesin e veçantë të meshkujve të bardhë me origjinë europiane. Prandaj ajo edhe është përdorur si justifikim për ndërhyrje ndaj kulturave ''më pak natyrore'' si p.sh. gjatë luftës me Spanjën më 1898 kur ndërhyrja amerikane në Kubë e Filipine u justifikua, mes të tjerash, edhe me ligjet e natyrës.

Kjo kontradiktë shpaloset edhe në veprat e Thomas Jefferson, sepse autori famëmadh i Deklaratës po aq famëmadhe, e urrente personalisht sistemin e skllavërisë, por megjithatë mbeti deri në fund të jetës një pronar i madh skllevërish, ashtu si edhe shumë nga etërit e tjerë themelues. Në librin e tij ''Shënime për Virginia-n'', ai pohonte se të zinjtë ishin ''prej natyre'' inferiorë ndaj të bardhëve, e se inferioriteti i tyre vinte nga natyra, e jo nga kushtet sociale.

Por ishin pikërisht zezakët, të cilët duke qenë si të thuash ''jashtë'' kredos amerikane, mund t’i shihnin qartë kontradiktat dhe eurocentrizmin e saj. Nga rradhët e tyre dolën një sërë veprimtarësh të shquar, si p.sh. Frederick Douglass gjatë Luftës Civile (1861-1865), të cilët kritikuan ashpër sistemin e skllavërisë. Ata argumentonin se gjendja e tyre e mjeruar vinte nga kushtet në të cilat ndodheshin, d.m.th. nga skllavëria, e jo nga natyra. Në kritikat e tyre ata i kundërvihen Jefferson-it drejtpërsëdrejti, duke nxjerrë në pah ambiguitetet dhe ironinë e idesë së ''shtetit natyror''. Fakti që të bardhët e kishin të nevojshme t'i mbanin të zinjtë në pranga ishte, sipas këtyre kritikëve, dëshmia më e mirë e qenies së afrikanëve anëtarë me të drejta të plota të racës njerëzore, mbajtës pra të vërtetë të ''shëmbëlltyrës së Zotit''.

Nga të gjitha këto duket se ideja e kombit dhe shtetit ''natyror'' është produkt i drejtpërdrejtë i kredos amerikane, e cila shpall se ndërmjet të vërtetave të botës, disa janë thjesht ''të vetëkuptueshme'' e s'kanë nevojë të provohen logjikisht. Më kryesoret janë liria, barazia, dhe synimi i njerëzve për lumturi, të cilat sipas kredos janë të rrënjosura në ''natyrën dhe Zotin e natyrës'', dhe pasqyrojnë thjesht mënyrën se si gjërat duhet të jenë. Por fakti është gjithashtu se disa herë ideja e ''shtetit natyror'' është gjymtuar, duke u kthyer për fat të keq në të kundërtën e kredos nga e cila buron.

Në të njëjtën kohë s'ka asnjë dyshim që kredoja amerikane ka sjellë të mira të panumërta për amerikanët në masën që ata e kanë vënë në jetë kuptimin e vërtetë të saj. Po ashtu për popuj të tjerë kudo në botë, siç dëshmohet edhe nga ne shqiptarët në disa momente kyçe të historisë sonë, ideja ka pasur efekte të shumta pozitive, duke mbetur, në kuptimin e saj më të mirë, një burim i vazhdueshëm frymëzimi.