Kulturë

Kujtimet e bukura prej një libri mbi Kosovën - Nga Alfred Papuçiu

  • Published in Kulturë

Sa herë kaloj në Prishtinë nëpërmjet linjës ajrore të “EasyJet”, për të shkuar në Shqipëri, përmallohem duke parë vëllezërit e mi nga Kosova që të mirëpresin qysh në aeroport dhe marr aty një makinë për të kaluar drejt Tiranës, nëpërmjet Prizrenit të bukur dhe viseve të tjera të Kosovës. Kujtoj ato ditë të dhimbshme që atyre u është dashur të luftojnë me përkushtim ndaj pushtuesit serb. Për përpjekjet e tyre deri në ngadhënjim, ndërmora punën e vështirë, por të bukur, për përkthimin e librit me titull: “Konflikti i Kosovës, pasojat për mjedisin dhe vendbanimet civile”. Ai erdhi para lexuesve pas një pune të gjatë studimore të stafit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, si dhe të “Task Forces të përbashkët të UNEP/UNCHS për Ballkanin”. Ky vëllim i botuar me shije, i cili për nga numri i faqeve është i vogël, rreth 100 faqe, në krahasim me problemet e shumta që lindën pas konfliktit të Kosovës, nga brendia kap një gamë të tërë problemesh, të trajtuara me vërtetësi, si mesazh për brezin e ri të Kosovës që nisi pas luftës rrugën e gjatë, të vështirë, por edhe të bukur të rimëkëmbjes së tokave ku kanë lindur, ku janë rritur dhe kanë gjetur strehën e fundit paraardhësit e tyre.

Në harmoni me vendimin e Këshillit Drejtues të UNEP-it dhe me rekomandimin e vendosur të misionit të të gjithë organizmave ndërkombëtare për vlerësimin e nevojave humanitare që vizitoi ish-RFS të Jugosllavisë, nën drejtimin e zëvendëssekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Sergio Vierra de Mello (të cilin e kam njohur personalisht, burrë i pashëm, fisnik, tepër i zgjuar dhe komunikues kur diskutonim çiltër edhe për Kosovën dhe Shqipërinë e që fatkeqësisht, u vra pabesisht në Bagdad të Irakut, ku drejtonte Misionin e Kombeve të Bashkuara), u krijua Task Force e përbashkët për Ballkanin. Atij iu ngarkua detyra që të bëjë një studim urgjent dhe të hollësishëm, lidhur me pasojat e konfliktit mbi mjedisin dhe vendbanimet civile. Përveç zgjerimit të krizës humanitare lindën shqetësime të mëdha, lidhur me pasojat e konfliktit për mjedisin dhe vendbanimet civile. Për të gjetur një rrugëzgjidhje të këtyre problemeve, Task Forca për Ballkanin mobilizoi një grup shkencëtarësh të pavarur ndërkombëtarë që të punonin në Kosovë dhe në qendrat e goditura industriale në Serbi. Grupe të ngjashme vizituan burime të ndotjes gjatë lumit Danub, si dhe objektiva në parqet kombëtare dhe në zonat e mbrojtura. Pas përfundimit të misionit të tyre, grupi iu vu punës për të hartuar raportin përfundimtar. Prej këtij raporti u paraqitën konkluzionet e Task Force për Ballkanin, të cilat m’u besuan për t’i dhënë edhe në gjuhën shqipe. Ndër të tjera, në parathënien e librit, Klaus Töpfer, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe drejtor ekzekutiv i Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, shprehet: “Unë jam i bindur se një studim i tillë asnjanës, objektiv dhe shkencor, i gjendjes së vërtetë në terren është thelbësor në situatën pas konfliktit. Ky është një burim shumë i domosdoshëm dhe i sigurt informacioni për popujt që janë prekur nga lufta. Ky është gjithashtu një mjet pune për bashkësinë ndërkombëtare, si një pjesë e pandarë e studimit të nevojave në të gjitha përpjekjet e ngutshme humanitare, nëpër zonat e shkatërruara nga lufta”.

Çdonjëri prej bashkatdhetarëve të mi patriotë dhe të ndershëm do ta kishte pranuar me dëshirë detyrën e vështirë, por të bukur të dhënies në gjuhën shqipe të këtij botimi tepër domethënës, publicitar, me shije të hollë e me argumente bindëse, të radhitura me kujdes. Më shtynë ta pranoj këtë punë voluminoze edhe vëllezërit e mi nga Kosova, viset, Maqedonia dhe Mali i Zi, edhe këtu në Diasporë, me të cilët kam ndarë çdo ditë gëzimet, por edhe problemet e tyre, që lidhen me traumatizmin e luftës së pabesë prej pushtuesve grabitqarë serbomëdhenj. Sidomos kur lexova për herë të pare lidhur me vatrat e rrezikshme për mjedisin, të zbuluara në katër qytete dhe zona të banuara në Kosovë. Kur me fakte theksohej se forcat e armatosura serbe në Kosovë zbrazën dhe shkatërruan shumë qytete dhe fshatra. Dëmtimi i lagjeve të banuara, i infrastrukturës, i pajisjeve të pastrimit të ujit të pijshëm dhe i sistemit të hedhurinave ishte mëse i dukshëm. “Kur shqiptarët e Kosovës u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre dhe u vendosën përkohësisht në Shqipëri apo gjetiu në botë, shumica e dokumenteve që vërtetonin pronësinë ligjore të tokës dhe pasuritë humbën dhe u morën me forcë, gjë që vështirësoi kthimin e refugjatëve në krahinat e tyre të banimit”, shkruan me vërtetësi në libër zoti Pekka Haavisto, kryetar i Task Forcës së Përbashkët të UNEP/ UNCHS për Ballkanin, ish-ministër finlandez i Mjedisit dhe Zhvillimit. Në libër theksohet se “shqiptarët etnikë largohen ose dëbohen nga Kosova dhe fillojnë të vërshojnë për në Shqipëri dhe në Republikën Jugosllave të Maqedonisë, duke nisur krizën e refugjatëve. Numri i refugjatëve që janë larguar nga Kosova te vendet fqinje i është afruar 400,000-shit. Përhapen dyshime se refugjatët etnikë shqiptarë janë kthyer në mburoja njerëzore, përderisa RFJ mbyll kufijtë e saj. Në bazë të vlerësimeve të bëra në Kosovë janë dëmtuar 120,000 banesa. Vlerësohet se më tepër se 40,000 banesa janë të pariparueshme dhe kanë nevojë për riparim të plotë”.

Për të marrë përsipër nxjerrjen e botimit “Konflikti i Kosovës, pasojat për mjedisin dhe vendbanimet civile”, më shtyu edhe ai miku im, i cili më shkruante në një mesazh që më mallëngjeu shumë: Shkuam me makinë në Kosovë. Shqiptarët në UMNIK kanë një traditë prej disa vitesh dhe organizojnë shumë bukur festën kombëtare atje. U kënaqëm me të vërtetë. Aty pashë numrin e stërmadh të flamurëve kombëtarë, sa nuk kisha parë ndonjëherë. M’u kujtua shkrimi yt i bukur “Dita që na e bëri botën atdhé”. Fola për ty dhe me një miken time që punon në Kombet e Bashkuara dhe i thashë të komunikojë me ty lidhur me shkrimin tënd për OKB-në, mbasi asaj i intereson shumë kjo temë. Ishim së bashku në Prishtinë”. Më shtyu edhe ai i riu shqiptar, diku në atë Zvicrën gjermane, që më shkruante: “Është kënaqësi e veçantë të lexosh artikujt e tu, pasi për mendimin tim, janë të pasur. Ju operoni mjeshtërisht me detajin gjë që nuk është e lehtë të arrihet gjithmonë. Me Bujarin kam hyrë në kontakt dhe të falënderoj për ndihmën. Për sa i përket gazetës, unë jam i interesuar që të shkruaj herë pas here për tema të ndryshme. Dua të të sqaroj që ajo që unë kam realizuar këtu nuk është librari, por një pavijon me libra shqip në bibliotekën e qytetit. Deri tani kam dorëzuar rreth 200 tituj dhe jam në kërkim vazhdimisht. Kështu që, jeni i mirëpritur dhe jam kurioz edhe për librat tuaj të rinj”. Së shpejti mund të përurojmë “Shtëpinë e librit shqip” dhe jeni i mirëpritur të vini…Ndërsa një mik tjetër, diku larg meje më shkruante:

“Ti e di përrallën e dhelprës me rrushin, përse e shau dhe e përbuzi ajo. Ky është edhe problemi yt dhe i imi me atë “qoftëlargun” kalimtar këtu në diasporë. Unë jam bërë imun tani dhe nuk më bën përshtypje smira e xhelozia që mund të ketë ndonjë i paaftë ndaj nesh, ndaj shkrimeve që ti shkruan apo ndaj asaj që përgatis unë në artin që ushtroj, pasi epoka e tyre tashmë është larg. Urimet më të mira dhe ditë më të mira për bijtë e denjë të shqipes!” Një mik nga Shqipëria më shkruante: “Më fal se nuk të kam shkruar për një kohë, pasi interneti këtu ka pasur njëfare defekti dhe vetëm sot munda të të shkruaj. Mua më duket se, qëkur shkoja te ‘Balzaku’ dhe Gjeneva po më duket larg. Mbaruan negociatat, pres mos organizohet ndonjë seminar…Më bëhet qejfi që vazhdon të shkruash, sepse e di që ti e ke pasur gjithmonë pasion. Si publicist i vjetër, më pëlqen shumë që jep mesazhe edhe për ne këtej. Me gjithë qejf do të të ndihmoj për të dhënë ndonjë mendim për shkrimet që mendon të botosh. Miku im, Franko Marussich, arkitekt i shquar, dukagjinas, me origjinë shqiptare nga Zara e Kroacisë, duke më treguar para disa kohësh dy banesa që ka ndërtuar për një sheik arab, diku përballë malit MontBlanc në Francë, më tha: Mund t’i kisha ndërtuar edhe më mirë, por përsosmëria nuk ka fund”.

Duke pasur parasysh fjalët e tij, u nisa për rrugë. Hodha në letër përkthimin e bocave që më paraqiteshin dita-ditës, edhe pse shpeshherë silleshin faqe të tjera me korrigjimet e fundit. Punova shumë për botimin e librit në shqip. Është një studim që përmblidhte në të njëjtën kohë refleksione politike, por të ndërthurura dhe me një gjuhë shkencore, letrare, sociale. Për tri javë m’u desh ta përfundoja përkthimin e tij, duke u konsultuar edhe me kolegët përkthyes të botimit në gjuhë të tjera, si dhe autorët e studimit. Nuk kishim të drejtë të konsultoheshim me njerëz të tjerë para se botimi të dilte në dritë. Vetëm pyesja për ndonjë fjalë ish-shokun tim në universitet dhe koleg, Agron Agalliun e ndjerë, Mozën përkthyese dhe shoqen time Roza, e cila ka një përvojë të gjatë si përkthyese e Kryqit të Kuq të Gjenevës. Disa herë materiali pati ndryshime që duheshin reflektuar me shpejtësi në gjuhën shqipe. Iu kushtova punës me një sedër të madhe, pasi nuk doja t’i lejoja vetes as edhe një gabim. Gjithmonë kisha parasysh tim atë, Tuni Papuçiun, që pas nxjerrjes së “Përpjekja e Rinisë” me shkrimtarin Jakov Xoxa dhe si kryeredaktor i “Sportit” që nga 1945 deri më 1948 me Andon Mazrekun, për afro dymbëdhjetë vjet rresht punoi si gazetar në një gazetë të vendit tim, pjesën më të madhe natën dhe “si i freskët”, si dhe 16 vjet si redaktor përgjegjës i revistës “Fatosi”, ku grumbulloi rreth vetes shkrimtarë të njohur që shkruajnë edhe për vocërrakët, si: Petro Marko, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Bedri Dedja, prof. Aleko Minga, prof. Mina Naqo, prof. Petrit Skende, Xhevat Beqaraj, Odhise Grillo, Lajde Staku, Nasho Jorgaqi, Skënder Drini, Adelina Mamaqi, Aristotel Mici dhe piktorë të rinj dhe me përvojë si Safo Marko, Agim Faja etj..

U përpoqa që të përfshij në shqip edhe fjalët karakteristike që përdoren në Kosovë, natyrisht pa iu shmangur gjuhës letrare shqipe. Në fund botimi ka dhe një fjalorth, për të cilin punova me kujdes. Në fakt, nga ana e UNEP na u krijuan lehtësi të jashtëzakonshme…Më duhej që në katër të mëngjesit t’i dorëzoja bocat tek aeroporti i Gjenevës fotomontazhistes tepër profesioniste nga Britania e Madhe, që punonte në Morzh të Zvicrës, për të arritur botimi sa më parë në shtypshkronjë në Francë…

Një ditë, në mëngjes, kopjet e para në shqip më erdhën në dorë dhe pas pak dikush u nis për në Kosovë për t’i shpërndarë te bashkatdhetarët tanë. Miku im Agroni theksoi se libri u shpërnda edhe në Uashington, ku ai mori pjesë në një konferencë ndërkombëtare. Më ndihmuan së tepërmi për këtë botim edhe ime shoqe e mrekullueshme Roza, im bir Genti, që është shembullor në njohjen e informatikës, pa harruar mbesën time Daniela, gazetare e ardhshme me tepër talent, dhe vajza ime Nausika, njohëse e përkryer e gjuhës frënge dhe shqipe, megjithëse shkollimin e saj fillor, të mesëm dhe të mëtejshëm e ka kryer në Zvicër…M’u bë një kërkesë për një botim tjetër pas disa muajsh, por shkaku i një sëmundjeje të përkohshme më detyroi të mos e pranoja, pasi e ndjeva se botimi më kishte lodhur së tepërmi dhe ndoshta nuk do të mund ta përballoja një stres të dytë. Isha mësuar me botimet e realizuara në Byronë Ndërkombëtare të Punës, si edhe ato për seminaret e ndryshme, por për to kam pasur kohë të mendoj dhe t’i botoj pas disa muajsh pune, si dhe kisha kohë të mjaftueshme të shoh dy versione që tashmë ishin botuar prej kohësh në frëngjisht dhe anglisht.

…Darkave, pasi kthehem nga puna e lodhshme e përditshme, ulem pranë kompjuterit dhe hedh mendimet e mia, disi vjedhurazi, pasi ime shoqe, shumë e dashur me mua, më flet që të mos lodhem shumë. Ajo Rozë aq e mirë, e zgjuar dhe nikoqire, që e duan të gjitha gratë kosovare që të marrë pjesë në seancat e tyre për përkthim, më flet herë pas here të kem kujdes të mos lodhem, për hir të saj dhe të fëmijëve. Por unë e ndiej se kam nevojë të hedh një mendim, pasi një punë e tillë, me karar, më çlodh dhe më jep kënaqësi të veçantë. Sidomos kur është fjala për botime si “Konflikti i Kosovës, pasojat për mjedisin dhe vendbanimet civile”.

Botimi, përveç gjuhës shqipe u botua edhe në gjuhën frënge, angleze, gjermane dhe serbo-kroate. Ai u shoqërua me fotografi dhe harta të shumta dhe është një kontribut i madh për vlerësimin e mjedisit në luftën moderne, nga ana e Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Qendrës së Kombeve të Bashkuara për Vendbanimet Civile. Ai është një studim i mirëfilltë për gjendjen e mjedisit dhe të vendbanimeve civile para konfliktit në Kosovë, por edhe pas tij. Ai përmban argumentet e duhura, që dëshmojnë se autoritetet e Beogradit nuk kishin treguar kujdes për mjedisin qysh para se të ndërmerrnin hapat e kobshme në Kosovë. Gjithashtu, konflikti i Kosovës pati një përhapje më të gjerë krahinore: Shqipërisë dhe Maqedonisë iu deshën të prisnin një numër shumë të madh refugjatësh nga Kosova, ndonëse ishin të papërgatitura për një dyndje të tillë. Vendet e tjera fqinje, sidomos Bullgaria dhe Rumania që ndodhen në rrjedhën e Danubit, u druheshin efekteve të ndotjes ndërkufitare, shkaktuar nga mbeturinat industriale të objekteve.

Autori është ish-diplomat dhe ish-funksionar ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, në UNCTAD, në BIT dhe konsulent për botimet në organizmat ndërkombëtare.