Kulturë

Ideja e Amerikës si komb dhe shtet Kristian - Nga Dr. Ernest Nasto

  • Published in Kulturë

Pas asaj të ''shtetit natyror'' një tjetër ide bazë e ndërgjegjes kombëtare amerikane, me zanafillë në periudhën e krijimit të Shteteve të Bashkuara e me ndikim të theksuar në historinë e vendit, është ajo e ''kombit dhe shtetit kristian''. Ideja kuptohet që është formuar gradualisht, dhe njerëz të ndryshëm i kane dhënë vetë termit kuptime po aq të ndryshme.

Pamë në artikullin e kaluar se Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta amerikane shprehnin vizionin iluminist e deist te themeluesve për shtetin e ri, si organizim i mbështetur mbi të vërteta natyrore dhe te vetekuptueshme. Ndërkaq Amendamenti i Parë kushtetues sanksionoi liri të plotë besimi, duke ja ndaluar qeverisë përzjerjen në këtë çështje.

Por ky pozicion i marrëdhënieve të kishës me shtetin ka qenë disi paradoksal në rastin e Shteteve të Bashkuara, sepse Republika Amerikane e nisi dhe vazhdoi rrugëtimin e saj në shumë aspekte si një vend kristian. Deizmi i etërve themelues s’mund të mendohet i shkëputur nga Bibla, sepse konceptet biblike ndikuan gjerësisht në institucionet politike amerikane. Po ashtu, ideja e ''shtetit kristian'' u pasqyrua në rezultate praktike gjatë shekullit XIX kur protestantët pothuajse ia arritën ta kristianizojnë vendin nëpërmjet lëvizjeve të mëdha të zgjimit shpirtëror.

Karakteristikë e debateve aktuale politike amerikane janë insistimet prej grupimit të njohur si e Djathta Fetare (Religious Right) se synimi i humanistëve e jobesimtarëve të sotëm është largimi i Zotit e besimit nga arena publike, pra shndërrimi i Amerikës në një shtet praktikisht laik, si Kanadaja dhe simotrat e Europës Perëndimore. Mirëpo një frikë e tillë ka qenë e pranishme qysh në fillimet e shtetit të tyre, pavarësisht se pak amerikanë janë sot të ndërgjegjshëm për këtë. Edhe para 250 vjetësh etërit themelues shiheshin prej shumë bashkëkohësve si të pafe, sepse krijuan një shtet me liri të plotë besimi. Në sytë e mjaft besimtarëve kjo nënkuptonte se ata shtetarë të shquar ishin deklaruar hapur jo vetëm kundër një republike kristiane, por edhe kundër vetë besimit kristian. Dhe arsyeja e një (keq)kuptimi të tillë ishte se nocionet e shtetit laik, apo të bashkekzistencës së shumë besimeve, që merren sot të mirëqena, zor se mund të konceptoheshin në atë kohë. Bile kur vetë hartuesi i Deklaratës së Pavarësisë, Thomas Jefferson, ishte kandidat për president në zgjedhjet e vitit 1800, ai u akuzua për ateizëm të hapur dhe u shprehën dyshime se administrata e tij do të inkurajonte shthurjen morale duke çuar republikën e re në një fund të parakohshëm. Megjithë polemikat, Jefferson arriti të zgjidhej president dhe Amerika jo vetëm që mbijetoi, por edhe dyfishoi territorin e saj pasi i bleu Francës territorin Louisiana më 1803. As Amendamenti i Parë, garancia e qeverisjes laike, nuk u shfuqizua, e kështu për përkrahësit e vizionit të një ''shteti kristian'' u bë e qartë se Amerika s'do të ishte e tillë, të paktën nga ana ligjore.

Në këtë situatë besimtarët u munduan të arrinin nëpërmjet bindjes objektivin e tyre të mohuar nga ligji, duke u angazhuar në një lëvizje masive të përtëritjes së besimit, të njohur me emrin Zgjimi i Dytë i Madh (Second Great Awakening).

Si shprehje e nevojës për ringjallje, mitingje e predikime të zjarrta shpërthyen në gjithë vendin rreth vitit 1800, me pastorët që u bënin thirrje njerëzve për pendesë të thellë, duke u përqendruar në dashurinë e Zotit, e duke lënë mënjanë dallimet mes sekteve. Një numër i madh besimtarësh iu kushtuan reformave sociale si përmirësimit të kushteve në burgje, luftës kundër alkoolizmit, dhe nismave për edukimin masiv të popullatës. Lëvizja u përhap shpejt, mbështetur edhe nga krijimi një numri shoqatash, që me punën e tyre arritën të kryejnë ndryshime të thella e të përmirësojnë ndjeshëm jetën e qytetarëve.

Pasojë e dukshme e zgjimit shpirtëror ishte shumëfishimi i përpjekjeve kundër skllavërisë, ku shembull i spikatur ishte autorja Harriet Beecher Stowe, e njohur edhe nga lexuesi shqiptar. Me përshkrimet tmerruese të jetës zezake në librin i saj të famshëm ''Kasollja e Xha Tomit'', ajo dha ndihmesë themelore në ndryshimin e opinionit publik në Veri e në Jug.

Mbi bazën e besimit kristian, Shoqata Amerikane kundër Skllavërisë iu kushtua luftës për çrrënjosjen përfundimtare të saj, nëpërmjet fushatash intensive për të liruar skllevërit e për t'i dërguar në bregdetin e Afrikës Perëndimore*. Veprimtaria e ethshme sociale solli rrjedhimisht përhapjen e protestantizmit kudo në vend dhe fillimin e mbizotërimit të tij absolut, që zgjati për më se një shekull e që arriti ta rrënjosë thellë idenë e ''shtetit kristian''.

Ndërkaq aspektet kritike të këtij koncepti qëndrojnë së pari në atë se sipas qëllimeve te themeluesve, qenia e Amerikës ''shtet kristian'' ishte në rastin më të mirë e diskutueshme. Nga ana tjetër ky koncept është i dyshimtë edhe nga pikëpamja e vetë domethënies së tij. Grupe të ndryshme besimtarësh e kanë kuptuar atë në mënyra të ndryshme, duke filluar qysh nga periudha e Reformës. Të tillë ishin asokohe anabaptistët, ose ripagëzuesit, të cilët hidhnin poshtë si të pakuptimtë synimin për të kristianizuar kulturën. Ata refuzonin vendosmërisht përzjerjen e kishës me pushtetin, pra me forcën shtrënguese, dhe ky qëndrim vinte nga dëshira për të mbrojtur me çdo kusht pastërtinë e besimit e të kishës.

Arsyetimi i tyre ishte se nëse kisha synonte të kristianizonte krejt vendin, duhej të bëhej e pranueshme për publikun në përgjithësi, duke komprometuar vlerat e saj themelore. Për këtë mospranim të lidhjes së kishës me shtetin anabaptistët u përndoqën nga pothuaj të gjitha grupimet e tjera kristiane. Por ishte pikërisht parashikimi i tyre ajo çka ndodhi në Shtetet e Bashkuara në fillim të shekullit XIX, kur besimtarët gati arritën të krijonin në praktikë ''Amerikën kristiane'' që u ishte mohuar formalisht.

Siç thamë, për t'u pranuar nga kultura e përgjithshme, kisha duhej ta mbështeste atë kulturë, e kësisoj kristianët u përpoqën ta paraqesin besimin e tyre si të bazuar në natyrën dhe arsyen. Kështu ishte besimi që iu përshtat gradualisht kulturës, në vend që kjo e fundit t'i përshtatej e të ndiqte besimin, siç kish ndodhur në fakt në fillimet e përhapjes së kristianizmit në Europë.

U vërtetua pra në praktikën amerikane ajo së cilës i qenë druajtur anabaptistët e hershëm: në një kulturë të mbizotëruar nga të bardhët me origjinë europiane, edhe të drejtat e patjetërsueshme të të gjithë njerëzve u transformuan lehtësisht në të drejta të patjetërsueshme të të gjithë njerëzve të bardhë. Në këtë mënyrë besimi kristian u zvesh nga radikalizmi i mësimeve morale të Jezu Krishtit, dhe në mbarim të këtij procesi njëshekullor ishte vështirë të dalloje kristianizmin amerikan nga kultura amerikane në përgjithësi. Dhe shembulli më i qartë e tragjik i përparësisë së vlerave kulturore ndaj atyre kristiane mbetet justifikimi i skllavërisë nëpërmjet besimit kristian nga popullsia e bardhë e Jugut.

Pikërisht kjo përparësi ishte në qendër të kritikës së idesë së ''shtetit kristian'' nga pakica me ngjyrë e cila shihte tek ajo ide kontradikta të qarta, por të padukshme për shumicën e bardhë. Autorët zezakë, si D. Walker apo F. Douglass, ishin besimtarë kristianë të devotshëm, por logjika e tyre tregonte absurditetin e situatës kur vendi edhe vetëquhej ''kristian'' edhe justifikonte ruajtjen e skllavërisë për një kohë aq të gjatë. Për këta autorë ungjilli i predikuar nga kisha e bardhë s'kishte lidhje me ungjillin paqësor, të paanshëm e çlirues të Jezu Krishtit. Konfirmohej pra përsëri ajo se rezultati i përpjekjeve për të kristianizuar kulturën do të çonte në komprometimin e vetë besimit kristian.

Edhe pas heqjes së skllavërisë e mbarimit të Luftës Civile më 1865, diskriminimi racial mbeti tipar kryesor i jetës në Jug për 100 vjetët vijues, me përkrahjen e plotë të kishave të bardha. Rreshtimi i tyre kundër lëvizjes për të drejtat qytetare në vitet '60 të shekullit XX bëri që udhëheqësi i asaj lëvizjeje, pastori dhe personaliteti publik Martin Luther King të prononcohej ashpër ndaj kishës së bardhë. Megjithë zhgënjimin e madh, King bënte kujdes të shprehte qartë dallimin ndërmjet dashurisë së tij për besimin kristian e mësimet e Jezu Krishtit, dhe neverisë për përçudnimet e atij besimi nga Amerika e bardhë. Ai mbeti deri në fund i mendimit se integriteti i kishës amerikane ishte cënuar rëndë nga një përshtatje e tillë me kulturën raciste të Jugut dhe me shpërfilljen e problemeve të tjera sociale.

Megjithë këto kontradikta, ideja e ''shtetit kristian'' vazhdoi të ishte e dukshme gjatë shekullit të kaluar, dhe është rikthyer fuqimisht në arenën publike ç'prej viteve '70. Kjo ndodhi kur një pjesë e besimtarëve vendosën t'u rezistonin prirjeve laicizuese, e të mbronin me çdo kusht ''Amerikën kristiane''. Politizimin e kësaj rezistence, me përfshirjen masive të besimtarëve në politikë, me synimet e rikthimit te ''shteti e kombi kristian'' dhe me rreshtimin haptazi në një anë vetme të spektrit politik do ta trajtojmë në shkrime të tjera vijuese.

Si përfundim mund të themi se Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë një vend kristian në shumë aspekte, sepse kjo ishte shpresa e kolonistëve puritanë, megjithë distancën 200 vjeçare prej tyre deri te krijimi i Republikës Amerikane. Edhe vizioni i themeluesve ishte rrënjosur në botëkuptimin moral judeo-kristian, e së fundi ''shteti kristian'' u bë pothuaj realitet me Zgjimin e Dytë gjatë shekullit XIX.

Ky nocion u zbeh gjatë shekullit XX, por ai mbetet ende i fuqishëm, sidomos në krahasim me Kanadanë, Australinë e shoqëritë e ngjashme europerëndimore. Përkushtimi ndaj besimit kristian ka qenë shtysa për mijëra misionarë të shkojnë e të punojnë në kushte të vështira kudo në botë për të shpallur ungjillin e Krishtit e për të ndihmuar të tjerët me të gjitha mënyrat e mundshme.

Edhe ne shqiptarët kujtojmë këtu me respekt ndihmën e tyre për figura të mëdha të panteonit tonë kombëtar si Kostandin Kristoforidhi, Gjerasim, Parashqevi e Sevasti Qiriazi, Kristo Dako, Petro Nini Luarasi, etj.

Por nga ana tjetër ideja e një ''Amerike kristiane'' është problematike, sepse kundërshton vizionin e etërve themelues, të cilët s'patën qëllim të ndërtonin një shtet haptazi kristian. Ajo s'përputhet as me ndryshimet e thella prej asaj kohe në shoqërinë amerikane, as me larminë kulturo-religjioze në ditët tona.

Dhe arësyeja e fundit madhore është se një ''Amerikë kristiane'' do të thotë kryesisht një besim kristian i amerikanizuar dhe akulturor, dëshmuar qartë nga përvojat e anabaptistëve të shekullit XVI, e të zezakëve amerikanë në vazhdimësi. Treguesi më i freskët i këtij akulturimi ishte përkrahja masive e një kandidati si Donald Trump në zgjedhjet e fundit presidenciale më 2016, një dukuri që do ta shohim po ashtu më hollësisht në artikuj të tjerë.

*Rezultat i këtij procesi ishte mes të tjerash edhe themelimi i të vetmit shtet afrikan të pakolonizuar ndonjëherë nga fuqitë europiane, Republikës së Liberisë më 1847.