Kulturë

Doktrina e ‘Fatit të Qartë’ dhe roli i saj në shtrirjen e SHBA drejt Perëndimit - Nga Dr. Ernest Nasto

  • Published in Kulturë

Kemi parë në artikujt e kaluar se idetë e ''popullit të zgjedhur'', ''shtetit natyror'' dhe ''shtetit kristian'' ishin dominuese gjatë periudhës koloniale, gjatë revolucionit amerikan dhe viteve të para të ekzistencës së Shteteve të Bashkuara. Këto ide themelore të ndërgjegjes kombëtare amerikane. duke u gërshetuar me bindjen për rolin e posaçëm të Amerikës në ndriçimin e popujve të tjerë, çuan në formimin e doktrinës së quajtur ''fati i qartë'', e cila pati ndikim vendimtar në shtrirjen e shtetit të ri drejt Perëndimit.

Koncepti i ''fatit të qartë'' (Manifest Destiny) filloi të dilte aty nga mesi i shekullit XIX, si shprehje e bindjes që Providenca hyjnore u kish caktuar qartazi amerikanëve misionin e shtrirjes drejt Perëndimit përtej maleve Apalashe, pra mbizotërimin në të gjithë territorin e sotëm të Shteteve të Bashkuara. Në fakt popullsia në territoret perëndimore u dyfishua ndërmjet viteve 1810-1820 dhe është e lehtë të përfytyrohet besimi i amerikanëve në bekimin hyjnor ndaj një ndërmarrjeje të tillë, duke pasur sidomos parasysh idetë e lartpërmendura.

Publicisti John O'Sullivan e shprehte bindjen për këtë ''fat të qartë'' në terma fetare, kur shkruante më 1845 se ''pretendimi ynë mbi territorin Oregon bazohet vetëm në atë që jemi qartazi të destinuar të shtrihemi e të zotërojmë tërë kontinentin që na është dhënë, për të zhvilluar eksperimentin e madh të lirisë dhe vetëqeverisjes federative të cilin na e ka besuar vetë Providenca. Zoti i natyrës dhe i kombeve e ka caktuar Oregonin për ne, dhe me bekimin e Tij ne do t'i ruajmë me vendosmëri të drejtat që Ai na ka dhënë, dhe do të zbatojmë pa frikë detyrat e mëdha që Ai na ka ngarkuar''.

Duket pra se doktrina e “fatit të qartë” lidhej ngushtë me idetë e ''popullit të zgjedhur'' dhe të ''shtetit natyror''. Kështu, lidhja me ''popullin e zgjedhur'' shihet në atë që zgjedhja hyjnore vihej në funksion të zhvillimit të eksperimentit të lirisë dhe vetëqeverisjes federative, por vetë koncepti i ''zgjedhjes hyjnore'' në shekullin XIX kishte pësuar ndryshim të thellë prej kohes së puritanëve. Ata kolonistë të parë të kontinentit të ri ishin përpjekur t’u mbaheshin besnikë teksteve biblike ku askund nuk thuhet se Zoti i zgjodhi izraelitët për shkak të ndonjë merite të vetë atyre, apo se ata ishin më të mirë se të tjerët. Edhe puritanët po ashtu besonin se Zoti vërtet i kishte zgjedhur ata për të ndërtuar mbretërinë e tij në Amerikë e për të frymëzuar popujt e tjerë, por arsyeja e asaj zgjedhjeje mbetej e fshehur në vullnetin misterioz hyjnor.

Ndërkaq në shekullin XIX arsyet e “zgjedhjes hyjnore” për Amerikën jo vetëm që s’ishin aspak misterioze, por përkundrazi, ato ishin fare të qarta. Dhe rrjedhimi logjik ishte që edhe fati, apo qëllimi, i Amerikës në botë, ishte po aq i qartë. Sipas fjalëve të O’Sullivan, Zoti e zgjodhi Amerikën sepse kjo e fundit mbështetej në ''lirinë dhe vetëqeverisjen federative''. Me fjalë të tjera, nëse akti i zgjedhjes, në kuptimin puritan, varej tërësisht nga vullneti i Zotit, dy shekuj më pas iniciativa kishte kaluar në anën tjetër, sepse besohej që amerikanët ishin aq dukshëm në përputhje me vullnetin e Zotit saqë ky s'mund të mos i zgjidhte ata.

''Fati i qartë'' shpaloste gjithashtu edhe një një kuptim të ndryshëm të rolit të Amerikës në botë. “Zgjedhja hyjnore” kish rënë mbi Amerikën jo që kjo të mbante përgjegjësi morale për botën e të ndriçonte popujt e tjerë me shembullin e saj, siç mendohej më parë. Në kuptimin e ri, “zgjedhja” do të thoshte që Shtetet e Bashkuara thjesht duhej ta përqafonin fatin, apo qëllimin, e tyre në botë, qëllim që ishte i qartë e i vetëkuptueshëm. Dhe kjo qartësi vinte drejtpërsëdrejti ngaqë Amerika ishte në të njëjtën kohë edhe një vend kristian, besnik ndaj urdhëresave të Zotit, edhe një shtet natyror, që vetëm pasqyronte rendin e gjërave në mënyrë të natyrshme, pra ku çdo gjë është ashtu si duhet të jetë.

Për këtë arsye, duke qenë i vetmi vend i tillë në historinë e botës, republika e re kishte plotësisht të drejtë ta shtrinte ndikimin e saj edhe me anë të dhunës, pra jo vetëm me shembullin moral. Me justifikimin e përdorimit të forcës në arritjen e qëllimeve të Shteteve të Bashkuara, pranohej njëkohësisht që luftërat kishin qenë burim vdekjeje e mjerimesh të mëdha, por nga ana tjetër ato quheshin edhe instrumente hyjnore, të cilat, sadoqë në mënyrë të pakuptueshme për njerëzit, kishin çuar në arritje të mëdha në rrugën e lumturisë njerëzore.

Një shembull kuptimplotë i një justifikimi të tillë na vjen nga koha e luftës amerikano-spanjolle të vitit 1898, kur ndërhyrja amerikane në Filipine u konsiderua nga shumë zëra si haptazi me qëllime të zotërimit kolonial. Por presidenti McKinley u përgjigj duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara s'kishin pasur nevojë të merrnin pëlqimin e hapur të filipinasve për atë ndërhyrje, sepse, sipas tij, ai pëlqim ishte në ''çdo aspiratë të mendjes së tyre dhe në çdo shpresë të zemrës së tyre''. Kjo në një kohë kur filipinasit bënë një rezistencë të ashpër dyvjeçare gjatë së cilës gati 20 përqind e popullsisë vendase u shfaros nga lufta apo sëmundjet.

Edhe lidhja e ''fatit të qartë'' me idenë e ''shtetit natyror'' u shoqërua me zhvillime e politika konkrete gjatë shekullit XIX. Ideja në fjalë linte vërtet vend për t’u kuptuar në mënyra të ndryshme, por më së tepërmi për amerikanët e asaj kohe ajo çka konsiderohej ''e natyrshme'' ishte doemos e tipit europian. Rrjedhimisht ata që nuk u përshtateshin normave europiane ishin, me përkufizim, ''të panatyrshëm''.

Ky kuptim i ''së natyrshmes'' pati pasoja të rënda për popullsitë vendase të Amerikës, kultura e të cilave ishte, siç dihet, krejtësisht e ndryshme nga ajo popujve europianë. Këta të fundit e konceptonin rendin natyror në terma të qytetërimit europian, pra të karakterizuar nga jetesa në qytete apo fshatra, nga rrugët, shkollat, librat, parlamentet, fabrikat e punishtet, si edhe nga besimi kristian, por kulturat e vendasve s'kishin pothuaj asnjë nga këto tipare. Prandaj vendasit u konsideruan nga të ardhurit si inferiorë e të panatyrshëm, dhe vetë prania e tyre si pengesë për përparimin e zgjerimin e Amerikës.

Të ardhurit gjithashtu besonin se sistemimi, kultivimi e përmirësimi i tokës përbënin thelbin e rendit natyror të gjërave, bazuar tek urdhëresa në librin e Zanafillës 1:28 ku Zoti u thotë njerëzve ''Mbusheni dhe sundojeni tokën''. Meqë popullsitë vendase s'e kishin bërë një gjë të tillë, atëherë pretendimet e kolonëve të bardhë mbi ato toka kishin përparësi ndaj çdo pretendimi tjetër, për arsye se ata e përdornin tokën në përputhje me qëllimet për të cilat Zoti e kishte krijuar atë.

Duket pra se thirrjet për të transformuar botën ishin të konceptuara tërësisht mbi terma eurocentrikë, sepse ishte populli i zgjedhur i Zotit ai që do të çlironte e ndriçonte të gjithë popujt e tjerë të botës. Po ashtu protestantizmi do të ishte kudo mbizotërues, e më në fund gjithshka do të ishte në përputhje me standartet e natyrës dhe të Zotit të natyrës. Lidhja më e qartë e këtij vizioni të së ardhmes me doktrinën e ''fatit të qartë'' gjendet tek pastori dhe mendimtari Alexander Campbell, i cili në gjysmën e parë të shekullit XIX analizonte shtrirjen e shpejtë të Shteteve të Bashkuara drejt Perëndimit, po ashtu shtrirjen e provincave kanadeze e të kolonive britanike në Australi. Në këtë kontekst ai shkruante se ''Zoti i gjithëfuqishëm e ka rrethuar tokën nga lindja në perëndim me popujt anglo-saksonë, me gjuhën, shkencat dhe qytetërimin anglo-sakson, duke u blatuar një fuqi e madhështi të paparë Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara mbi oqeanet e detet'', dhe se shtrirja e tyre do të vazhdonte derisa paqja dhe vëllazërimi të triumfonin kudo, sepse ''në të tërë tokën do të ketë vetëm një Zot, një besim, një shpresë dhe një gjuhë''.

Duke u mbështetur në sa më sipër, kuptohet se përse zbatimi i ''fatit të qartë'' u shoqërua me shpërnguljen e me pasoja të tjera për indianët, por është për t’u shënuar se zhvendosjet e spastrimet e tyre kishin ndodhur edhe më parë, gjë që dëshmon se ajo ide kish zënë rrënjë prej kohësh në ndërgjegjen kombëtare amerikane.

Një shembull domethënës është këtu ai i fisit të madh e të fuqishëm Cherokee, që banonte në viset jugore të Georgia-s dhe Karolinave, e që besonte se nuk do të cënohej nga të bardhët nëse adoptonte zakonet dhe mënyrën e jetesës së këtyre të fundit. Kështu ata ndërtuan fshatra të ngjashme, futën pronësine private, krijuan një shkrim për gjuhën e tyre dhe pranuan në territoret e tyre shume misionarë kristianë, në përpjekje për t'u afruar me kulturën e të ardhurve.

Por këto s'patën asnjë rëndësi kur në tokat e tyre u zbulua ar dhe mijëra kolonë të bardhë u dyndën atje, duke konfiskuar fermat e duke shfarosur kafshët e gjuetisë. Indianët Cherokee kërkuan mbrojtjen e qeverisë federale, por Presidenti Andrew Jackson ua refuzoi atë dhe u deklaroi se ishte në të mirën e tyre të zhvendoseshin në Perëndim. Ashtu ata do të harronin, sipas tij, ''zakonet e tyre të egra'' e do të ktheheshin në një popull ''të qytetëruar dhe kristian''. Fisi në fjalë, ashtu si edhe mjaft fise të tjera u shpërngulën masivisht përtej Mississippi-t duke filluar prej vitit 1830 nëpërmjet të ashtuquajturit ''Shtegu i lotëve'', ku gati gjysma humbën jetën nga uria dhe mundimet e rrugës.

Këto përpjekje sistematike për nënshtrimin e vendasve ishin të frymëzuara, siç e pamë, nga doktrina e ''fatit të qartë'', e cila, e veshur me gjuhë besimtare, ishte në veprim të plotë shumë kohë para daljes së vetë konceptit.

Protestat e krerëve indianë kuptohet që s'patën asnjë sukses dhe procesi i shpërnguljes vazhdoi për vite të tëra pothuaj gjatë gjithë shekullit XIX. Qeveria amerikane vetëm më 2009 kërkoi zyrtarisht falje për keqtrajtimin e popullsive indiane.

Si përfundim mund të themi se doktrina e ''fatit të qartë'', me shkrirjen e elementeve fetare e laike, e kreu më së miri funksionin e justifikimit të shtrirjes së Shteteve të Bashkuara drejt Perëndimit. Vizioni i saj ishte mbi terma eurocentrikë, dhe vërtet që mendohej si një mënyrë e arritjes së një epoke të paqes universale, por vetëm pasi të tjerët të ishin nënshtruar dhe vetëm kur qytetërimi anglo-sakson të ishte kudo mbizotërues. Shohim pra se idetë e ''popullit të zgjedhur'', të ''shtetit natyror'' e të ''shtetit kristian'' përcaktuan përmbajtjen e kësaj doktrine, e po ashtu edhe të vizionit amerikan për rolin e vendit të tyre në botë.