Kulturë

Besimi kristian dhe ideja e pafajësisë në politikën e jashtme amerikane - Nga Dr. Ernest Nasto

  • Published in Kulturë

Pas atyre që kemi parë në artikujt e kaluar, një tjetër ide themelore e pranishme në ndërgjegjen kombëtare amerikane sidomos prej fillimit të shekullit XX, është ajo e konceptimit të vendit të tyre si një ''shtet i pafajshëm'', apo vullnetmirë. Edhe në mbrujtjen e kësaj ideje, ashtu si për ato të mëparshmet, besimi kristian ka qenë një faktor i dorës së parë.

Dihet se në raste konfliktesh çdo vend përpiqet ta paraqesë veten si të pafajshëm e të justifikojë veprimet e drejtuesve të vet si të detyruara nga rrethanat. Por e veçanta e Shteteve të Bashkuara është një sens i thellë dhe i mirëargumentuar i pafajësisë, që vjen nga fillimet e historisë së tyre si pjesë e pandarë e vetë përvojës amerikane, e që u bë i dukshëm sidomos gjatë shekullit XX.

Arësyet për këtë janë të ndryshme, por ndërmjet të tjerash idetë e përmendura më parë dhanë ndihmesë të madhe në konsolidimin e një konceptimi të tillë. Kështu ideja e ''shtetit kristian'' mbetej ende e fuqishme në fillim të shekullit XX dhe në opinionin e përgjithshëm Amerika shihej si një qytetërim posaçërisht kristian, e kjo mjaftonte në vetevete për të ushqyer një ndjenjë të thellë pafajësie. Po ashtu ideja e ''shtetit natyror'' me vështrimin te parahistoria, te bota e përsosur e kopshtit biblik të Edenit, pati ndikimin e saj në shkëputjen e ndjenjës së pafajësisë nga referencat historike. Fakti që Shtetet e Bashkuara ishin një komb e shtet i ri, dhe paralelizmat me historinë e popullit hebre, e bënin të lehtë që Amerika të mendohej si rikrijim virtual i asaj epoke në fillimet e botës, jashtë historisë njerëzore dhe e panjollosur prej saj. Shprehje e këtij vizioni ishin fjalët e presidentit Reagan në janar1987, ku ai theksoi para Kongresit se ''Amerika nuk matet me kalendar, sepse destinimi ynë është një eksperimentim i pafund i lirisë, pa limite në atë çka mund të arrijmë, pa kufizime në atë çka mund të bëjmë, dhe me shpresa të pambarueshme''.  

Kjo ndjenjë është formësuar gradualisht prej fundit të shekullit XIX, por ishte hyrja në Luftën I Botërore dhe roli vendimtar amerikan në fitoren e Antantës që përcaktuan modelin e shprehjes së pafajësisë gjatë gjithë shekullit XX. Rol të madh luajti këtu idealizmi i presidentit Wilson, për të cilin qëllimi i luftës ishte arritja e një ''bote të sigurtë për përhapjen e demokracisë'', ndërsa kauza amerikane ishte e drejtë, e pafajshme dhe pa asnjë interes personal. Amerika po luftonte për paqen e sigurinë e tërë botës, dhe për të mbrojtur ato të drejta e parime që ishin, në fjalët e presidentit, ''po aq të shtrenjta për ne sa edhe për njerëzit e lirë kudo në botë.'' Pjesëmarrja në atë Luftë ishte faktor kryesor në ngulitjen e idesë së pafajësisë, dhe të vetë pozicionit të natyrshëm të Amerikës si udhëheqëse e botës në rrugën drejt epokës së lumtur të lirisë dhe drejtësisë për të gjithë.                  

Por ajo që e forcoi dhe përhapi vendosmërisht këtë ndjenjë ishte shpërthimi i konfliktit të dytë ndërkombëtar, në të cilin amerikanët u përfshinë pas sulmit japonez në Pearl Harbor më 7 dhjetor 1941. Përballja me Japoninë militariste e me Gjermaninë naziste, dhe njohja graduale e publikut me mizoritë kundër hebrejve, krijuan tek amerikanët bindjen se armiqtë që kishin përballë mishëronin të keqen absolute si kurrë më parë. Misioni i Amerikës, të cilin shumë në atë kohë e mendonin si hyjnor, bëhej kështu çrrënjosja e së keqes, dhe përhapja e lirisë, e demokracisë dhe e tregut të lirë, të gjitha bashkë tipare themelore të mënyrës amerikane të jetesës. Në përputhje të plotë me idenë e ''popullit të zgjedhur'' ishte pra e qartë se Zoti e kishte zgjedhur Amerikën për një rol historik madhor vetëm se kjo mishëronte virtytin dhe e pafajësinë          

Interpretimin e konfliktit si luftë klasike midis së mirës dhe së keqes e theksoi edhe presidenti Roosevelt në mesazhin pas sulmit mbi Pearl Harbor. Ai deklaroi se përkundrejt forcave të Boshtit, ''demonike në përbuzjen e thellë për racën njerëzore'', Amerika frymëzohej nga besimi në kapitullin e parë të librit të Zanafillës ku thuhet se ''Zoti e krijoi njeriun në shëmbëllimin e tij'', dhe se ajo po përpiqej t'i qëndronte besnike trashëgimisë hyjnore të barazisë së të gjithë njerëzve para Zotit. Bazuar tek ''shteti natyror'', presidenti theksoi se ''ne luftojmë jo vetëm për veten tonë, po për të gjithë njerëzimin, jo vetëm për një brez, po për të gjithë brezat e ardhshëm''. Edhe ideja e ''shtetit kristian'' ishte gjithaq e pranishme në fjalët e tij se ''bota është tepër e vogël për të nxënë brenda saj edhe Hitlerin edhe Zotin''.                              

Nga shikimi si kundërvënie e së mirës ndaj së keqes mund të kalohej lehtë në kuptimin e luftës si konflikt ndërmjet Krishtit e Satanit, dhe kjo u theksua në fakt nga fondamentalistët, sidomos në fushatat e zgjimit shpirtëror. Qysh atëherë ideja e Amerikës kristiane u identifikua gradualisht me besimtarët fondamentalistë, dhe vendin e nazizmit gjerman si mishërim i së keqes absolute e zuri shpejt komunizmi sovjetik. Gjallërimi i besimit fetar u barazua me patriotizmin, me amerikanizmin e me antikomunizmin e flaktë, duke ngjallur kështu një ndjenjë të thellë të virtytit e të pafajësisë amerikane.

Ndikim të madh patën këtu predikimet e pastorit të ri Billy Graham, në të cilat ai rimori në vazhdimësi temën e besëlidhjes, duke e kushtëzuar fitoren ndaj komunizmit lindor me rikthimin te besimi në Jezu Krishtin. Me theksimin e kësaj teme në predikimet e tij javore për shumë vite rresht, Billy Graham dha ndihmesë të pakrahasueshme në shikimin e botës si fushë beteje ndërmjet së mirës e së keqes në sytë e amerikanëve të thjeshtë.                              

Por nëse kjo ishte mbizotëruese për Amerikën e bardhë, pakica zezake paraqiste një tabllo të ndryshme, për shkak të vazhdimit të diskriminimit racial, edhe pas një shekulli prej Luftës Civile. Prandaj lëvizja e zezakëve për të drejtat e tyre në vitet ’60 dëshmoi se pakica me ngjyrë s'e shihte idenë e pafajësisë në fjalë, që për të bardhët ishte krejt e dukshme. Gërshetimi i asaj lëvizjeje me kundërshtimin ndaj luftës së Vietnamit, krijoi kuadrin e përshtatshëm për të nxjerrë në pah kontradiktat e kësaj ideje.                                    

Në morinë e kritikave nga veprimtarët me ngjyrë, meriton vëmendje sidomos pozicioni i drejtuesit të fushatës për të drejtat civile, Martin Luther King, dhe rezistenca e tij paqësore, si elementi bazë i asaj fushate. Veprimtaria e tij publike pati tipar kryesor atë që ai nuk drejtoi kurrë ndonjë kritikë dashakeqëse ndaj Amerikës apo sistemit amerikan, duke mbetur i identifikuar gjatë gjithë jetës me vendin e tij e me kredon famëmadhe amerikane.

Por ai mendonte gjithashtu se vitet e skllavërisë e të diskriminimit racial e kishin futur Amerikën në rrugë të shtrembër, kundër aspiratave të shpallura botërisht në themelimin e saj dhe të mishëruara në kredon në fjalë. Sipas tij të bardhët ose s'e kishin të qartë kuptimin e Amerikës, ose e injoronin atë haptazi, e prandaj qëllimi i tij i vetëm u bë ndërgjegjësimi i kombit për t'u kthyer tek idealet fisnike të fillimeve të tij. Këtë ai e shprehu me pasion në gusht 1963 në fjalimin e famshëm ''Kam një ëndërr'', ku deklaroi se themeluesit e republikës amerikane, me fjalët madhështore të Deklaratës së Pavarësisë e të Kushtetutës, kishin nënshkruar në fakt një premtim solemn për të gjithë amerikanët, të bardhë apo me ngjyrë.

Fatkeqësisht këtyre të fundit Amerika s'ua kishte plotësuar ende atë premtim për thesaret e lirisë e të drejtësisë. Kjo ëndërr e tij ishte vetë ëndrra amerikane, ëndrra që ''një ditë ky vend do të ngrihet dhe do të verë në jetë kuptimin e vërtetë të kredos së tij – që të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë'', duke nënkuptuar integrimin racial në çdo nivel të jetës. Lëvizja e rezistencës paqësore e udhëhequr nga M.L. King, me mbështetjen konsistente tek morali i Jezu Krishtit, bëri kësisoj që një brez i tërë të rinjsh të vinin në pikëpyetje ato çka u ishin mësuar deri atëherë rreth vetë eksperimentit amerikan. Kjo nga ana e saj ndikoi ndjeshëm në kundërshtimin e luftës së Vietnamit dhe në krejt atmosferën shpërthyese të viteve '60.  

Edhe konflikti vietnamez pati rol kryesor në evoluimin e konceptit të pafajësisë që kish mbizotëruar deri atëherë. Rritja e angazhimit në Vietnam, shtimi i humbjeve në rradhët amerikane, dhe mungesa e një strategjie të administratës Johnson për ta përfunduar konfliktin çuan në kthimin e opinionit publik kundër luftës.

U ngritën po ashtu edhe mjaft dilema morale, sidomos lidhur me atë se qeveria proamerikane e Vietnamit të Jugut dukej njëlloj e korruptuar e shtypëse sa edhe regjimi komunist i Veriut. Kjo shtronte pyetjen nëse Amerika mund ta përkrahte një qeveri të tillë pa tradhtuar idealet e saj më fisnike, e po ashtu vazhdimi i luftës në Azinë Juglindore lidhej fort me lëvizjen për të drejtat civile në vetë Shtetet e Bashkuara, sepse pasojat më të rënda të konfliktit binin mbi popullsinë e varfër zezake.                                                                                                               

Këto dilema morale u trajtuan ballazi nga M.L. King në një fjalim të vitit 1967, ku ai deklaroi publikisht se përkatësia e tij kristiane dhe besimi te Jezu Krishti bënin të domosdoshme shpalljen e qëndrimit të tij ndaj luftës. Fokusi i tij kryesor mbetej arritja e të drejtave të barabarta për popullsinë zezake, por ai theksoi se për të varfërit me ngjyrë lufta kishte të njëjtat efekte tragjike si racizmi. Të rinjtë zezakë, deklaroi King, të dërrmuar prej racizmit, shkonin mijëra milje larg për të mbrojtur në Azinë Juglindore ato liri që ata s'i kishin në Georgia apo në Harlem.

Dilema të vështira shtroheshin edhe prej përdorimit masiv të forcës shkatërruese, sepse nëse Amerika përdorte atë forcë për të zgjidhur problemet e saj, përse zezakët të mos përdornin po atë mjet për të zgjidhur të tyret? Prandaj King në mënyrë konsistente deklaroi disa herë se ai ishte prerazi kundër përdorimit të dhunës, qoftë nga ushtria amerikane në Vietnam, qoftë nga popullsia zezake në Shtetet e Bashkuara. Këtë qëndrim ai e mbështeste në besimin e tij kristian dhe në mësimet e Jezu Krishtit për moskundërshtimin e së keqes me dhunë.                       

Lëvizja e të drejtave civile dhe kundërshtimi ndaj luftës së Vietnamit bënë që shumë amerikanë të vinin në dyshim idenë e pafajësisë e vullnetit të mirë të vendit të tyre, dhe të kuptonin se në botën ku jetojmë s'mund të ekzistojë dallim i prerë ndërmjet të mirës dhe të keqes. Përkundrazi, të gjithë kombet e popujt ndajnë edhe të mira edhe të këqia, dhe përpjekjet për t'u orientuar në zonën e gjerë gri ndërmjet të dyjave përbëjnë në fund të fundit tërë dramën e historisë njerëzore.

Megjithatë vështrimi i botës si fushë beteje ndërmjet së mirës e së keqes ridoli në pah pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, kur presidenti Bush përcaktoi regjimet e Irakut, Iranit e Koresë së Veriut si ''boshtin e së keqes''. Kjo pati pastaj ndikimin e vet në qëndrimin e opinionit publik ndaj luftës së Irakut, dhe në debatet rreth angazhimit amerikan në Lindjen e Mesme që vazhdojnë edhe sot.                 

Pamë kështu se e veçanta e idesë së pafajësisë për amerikanët qëndron në lidhjen dhe kushtëzimin e saj nga idetë e tjera të mëparshme, përkatësisht nga besimi kristian. Kjo ka bërë që në shumicën e  rasteve politika e jashtme amerikane të ketë përkrahur anën e lirisë e demokracisë, siç dëshmohet nga mbrojtja e Europës Perëndimore prej rrezikut komunist gjatë Luftës së Ftohtë. Ndërsa ne shqiptarët s'mund të harrojmë kurrë rolin vendimtar të Amerikës në momente kyçe të historisë sonë, ku së pari shënohet përkrahja e presidentit Wilson për të drejtat e popujve të vegjël, përkatësisht ruajtja e pavarësisë së Shqipërisë pas konfliktit të parë botëror. Dhe tetë dekada më pas ishte ndërhyrja e NATO-s më 1999 nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara e të presidentit Clinton, që çoi në realizimin e aspiratës sonë kombëtare shekullore për Kosovën e lirë e demokratike.