Kulturë

Atje ku filloi tragjedia e Edipit

  • Published in Kulturë
Nga: Luan Rama

Ketë detaj të vogël nuk do ta tregoja po të mos lexoja dorëshkrimin e piktorit francez Louis Dupré, i cili në vitin 1819, pasi zbarkoi në Korfuz bashkë me dy miq anglezë, shkoi në Butrint ku pati rastin të pikturonte jo vetëm dy nipat e Ali Pashës, Ismailin dhe Mehmetin, por dhe vetë Pashain e Janinës gjatë një gjuetie shpezësh në liqenin e qytezës antike, çka ishte një spektakël madhështor për nga përshkrimi e organizimi. Por Duprè, që pikturoi aq bukur suljotët, si dhe fshehurazi portretin e Aliut tek drekonin mbi liqen, shkoi në Athinë dhe që andej u nis për të shkuar në Tebë (Thiva), duke kaluar në Arashova, vend ku dy vjet më parë do të kaloja dhe unë dhe pikërisht në vendin që përshkruante Dupré, aty ku dikur, në antikitet, siç tregon Homeri, takoheshin rruga e Korinthit dhe ajo e Tebës.

Sipas Homerit, aty Edipi kishte pikëtakuar babain e tij, Laios. Dupré shkruante për vendin dhe në veçanti për vallen e arvanitasve që ishin banorët e atyshëm si dhe këngët e tyre të rënda që atij i dukeshin disi barbare, ndërsa unë, duke shkelur mbi atë tokë të Arashovës që i ngjitej disi më tutje një kodrine, sillja ndërmend tregimin homerik apo dhe të tragjedianëve të tjerë (Senekës mes të tjerëve) dhe imagjinoja se si kishte ndodhur kjo histori.

Nëse udhëtari i sotëm mëson se çka ndodhur në atë vend, atëherë padyshim që ai nis të përjetojë një histori përtej antikitetit. Cili ishte Edipi? Po Laios? Ç’kishte ndodhur mes tyre?...

Homeri tregon se Laois ishte biri i një mbreti në Tebë dhe meqë ishte ende adoleshent, mbretërinë e drejtoi xhaxhai. Kur u rrit, Laios kërkoi mbretërinë por xhaxhai i tij e përzuri nga Teba dhe ai shkoi në oborrin e një mbreti tjetër, biri i të cilit i kërkoi ti mësonte mjeshtërinë e drejtimit të kaloshinave me kuaj. Dhe ai e mësoi, por djaloshi i pëlqeu dhe në fund e përdhunoi. Nga turpi djaloshi vari veten dhe Laios u detyrua të largohej me shpejtësi.

Vitet kalojnë dhe Laois martohet me Jokastën. Një ditë orakulli i Delfit i shfaqet Laois dhe i thotë profecinë e tmerrshme: “Nëse Jokasta do të lindë një djalë, ai do të vrasë ty dhe do të martohet me nënën e vet”. Pas pak kohe Jokasta lind dhe Laois e merr fëmijën dhe e lë në majë të malit Citera. Atje e gjen rastësisht një bari i cili e rrit si djalin e vet. Por një ditë, Edipit i shfaqet orakulli që i thotë profecinë se do vijë ditë që ai do të vrasë të atin dhe do martohet me nënën e tij. Atëherë, i tmerruar nga kjo profeci, Edipi largohet nga Korinthi për të ardhur në Tebë dhe pikërisht në Arashovë, atje ku pikëtakohej rruga e Tebës dhe Korinthit, pikërisht aty, meqë rruga ishte e ngushtë, ai u zu me udhëtarin plak dhe e vrau. Ishte Laios, ati i tij. Kështu u përmbush profecia e parë e orakullit të Delfit...

Edipi do të vazhdonte rrugën, por profecinë tjetër dhe vazhdimin e kësaj tragjedie më mirë ta lexoni tek Homeri… unë thjesht pashë vendin mitik dhe kaq më mjaftonte të fantazoja vazhdimin e asaj tragjedie, për të cilën është shkruar shumë në kohërat moderne…