Arte & Media

In memoriam - Abdulla Grimci, “babai” i Festivalit të këngës në RTSH

Nga: Alban Tirana

Bota muzikore shqiptare sapo ka humbur një nga emrat më të njohur të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, kompozitorin dhe dirigjentin Abdulla Grimci. Me fjalë zemre, ka qenë muzikanti i mirënjohur Spartak Tili, pasardhësi i tij në drejtimin e Redaksisë Muzikore të RTSH, i cili ka komunikuar i pari në rrjetin social Facebook lajmin e ndarjes përgjithmonë nga jeta më 5 mars 2018, të “babait” të Festivalit të këngës në Shqipëri.

Maestro Grimci lindi në Shkodër, në një familje muzikantësh më 2 korrik 1919, qytet ku kreu dhe Shkollën fillore e gjimnazin. Pasi u bë pjestar i Bandës Muzikore Mbretërore në vitin 1937, edukimin e plotë muzikor ai e përfundon në Konservatorin prestigjioz “Santa Cecilia” të Romës, në vitin 1944. Paslufta e gjen në fillim dirigjent të Bandës Muzikore Shkodër, ndërsa më vonë ai bëhet drejtues i Zyrës së muzikës pranë Komitetit të Arteve dhe Kulturës dhe përgjegjës i Redaksisë së Muzikës në Radio-Tirana. Në keto pozicione drejtuese ai kontribuoi si një profesionist i vërtetë duke qëne organizatori i parë i disa aktiviteteve me rëndesi kombëtare si Festivali i Këngës në Radio apo Festivali Kombëtar i Muzikës Popullore. Njëherazi ai ishte dhe themeluesi i Orkestrës së Filarmonisë dhe Orkestrës Sinfonike të RTSH.

Abdulla Grimci ka në repertorin e krijimtarisë së tij vepra pothuaj nga të gjitha zhanret e muzikës duke filluar nga kënga e deri te opera e sinfonia. Ai ka krijuar më shumë se 500 këngë për të rritur e fëmijë. Është autor tekstesh dhe metodikash të instrumenteve muzikore por edhe transkriptues i gjithë Ahengut shkodran. Njëherazi dhe fituesi i çmimit të parë në Festivalin e I-rë të Këngës në RTSH në vitin 1962, me këngën e titulluar “Fëmija i parë”. “I jemi mirënjohës këtij muziktari të rrallë që i dha shumë kulturës e artit tone”, është shprehur në nderim të kujtimit dhe veprës së Abdulla Grimcit muzikologu Vaso Tole, Sekretar i Akademisë së Shkencave.

Në maj të vitit 2017, Presidenti i Republikës i asaj kohe, Bujar Nishani, i pat akorduar kompozitorit të shquar Abdulla Grimci titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “për punën e tij të palodhur si pionier i dirigjimit e kompozimit të muzikës së zhanreve të ndryshme, për kontributin e vyer në organizimit e festivaleve dhe krijimin e orkestrave të para shqiptare, si dhe për veprimtarinë e rëndësishme në fushën e studimeve muzikore dhe metodikës instrumentale”.

Largohet kështu në amëshim “I fundmi i Mohikanëve” nga brezi i kompozitorëvë shqiptarë të periudhës pas vitit 1944. Ndofta pak i njohur nga brezat e sotëm, ai mbetet i vlerësuar dhe i respektuar nga të gjithë ata që u formuan si muzikantë profesionistë në vitet 1950 – 1990. Maestro Grimci i kaloi 25 vitet e fundit në Itali pranë të birit, në qytetin Ascoli Piceno ku dhe do të prehet përgjithmonë.