Arte & Media

Lukë Kaçaj dhe Gaqo Çako-Talente të mëdhenj me fate të ndryshme

Nga: Klodi Stralla

Para 2000 vjetësh historiani biograf grek Plutarku na ka lënë një libër të mrekullueshëm – Jetë paralele, shqipëruar nga helenisti ynë Sotir Papakristo, ku me shumë vërtetësi dhe art janë skalitur, në stil ballafaques, biografitë e 22 çifte jetësh njerëzish të mëdhenj: Aleksandri i Madh dhe Jul Qezari, Demosteni dhe Ciceroni, Aristidi dhe Katoni apo Pirro dhe Mariusi.

Në këtë linjë po ju sjell fare shkurt biografitë e dy prej zërave më të mrekullueshëm të muzikës klasike shqiptare, baritonit verior Lukë Kaçaj dhe tenorit jugor Gaqo Çako, i cili u nda dje nga jeta. Dy talente të mëdhenj, por dy fate krejt të ndryshëm.

Lukë Kaçaj - lindi në Bajzë të Malësisë të Madhe në 1924. Në moshën 10 vjeçare u dërgua në Shkodër për studime, ku edhe shfaqi prirjet e para për muzikë nën fratin kompozitor At Martin Gjoka. Liceun franceskan “Ilyricum” e përfundoi në 1944. Pas lufte aktivizohet në Korin dhe Ansamblin e Shtetit. Në vitin 1953, në festivalin e Rinisë në Bukuresht zëri dhe fama e tij u përhapën në gjithë Europën, veçanërisht me interpretimin e aries të Filipit nga opera “Don Karlos” e Verdit. Më pas, në vitin 1955, në konkurimin për studimet e larta për kanto pranë Konservatorit "Tchaikowsky" në Moskë, Luka, ndërmjet 170 këngëtarëve konkurues, arriti të fitojë vendin e katërt. Aty fitoi famë sa profesorët e tij e cilësonin si ‘Albanskij Shaljapin‘. 
Pas studimeve kthehet në Teatrin e Operas dhe Baletit ku realizoi mjeshtërisht role të paharruara nga operat shqiptare dhe botërore, duke u bërë një ndër artistët më të njohur e të preferuar. Në vitin 1966 emërohet pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve. Kjo karrierë ndërpritet dhunshëm në vitin 1973, kur ai burgoset, falë intrigave, spiunimeve dhe zilisë të kolegëve mediokër. Del nga burgu në vitin 1991, por karriera e tij tashmë ishte shkatërruar. Vdes në Tiranë në 2001. Pas vdekjes Presidenti i Republikës i jep dekoratën “Nderi i Kombit”.

Gaqo Çako - lindi në Korçë në 1935. Midis viteve 1957-1961 studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës, nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë. Përvoja dhe karriera e tij mjaft e pasur në operat "Traviata", "Bohema", "Rigoleto", "Norma", etj, si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, etj, e bëjnë atë me një karrierë të shkëlqyer. Mjaft i njohur edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias. 
Zëri i tij është kthyer në objekt kënaqësie kudo që ai dëgjohej e shfaqej, në opera, në televizion, në radio, në salla të mëdha a të vogla koncertesh. Edhe pse vlerën më të madhe ai e pati në interpretimet e roleve operistike, ai u popullarizua nëpërmjet këngës, veçanërisht atyre të Festivaleve të RTSH-së.

Tagged under Klodi Stralla