Arte & Media

Parisi i pafund i Giacometti-t

Nga: LUAN RAMA

Shtëpia e Giacometti-t në lagjen time ka vizitorë të rrallë. Një shtëpi e ulët njëkatëshe me një oborr të vogël gjithnjë të gjelbëruar, me atë portë druri dhe karrigen e tij, pallton, dyshekun dhe cigaren e fundit.


Një thjeshtësi jete, strehe e rruge që i dha frymë nxënësit të Antoine Bourdell, këtij gjeniu: Alberto Giacometti. Këtë artist, pranë të cilit dy hapa më larg banonte Georges Brassens e gjeje gjithnjë në kafetë e Montparnasse, në Selecte, Le Dome, La Rotonde, ku dhe vizatonte në fletoret e tij, gjithnjë i mrekulluar për Parisin ashtu si dhe Hemingway.

Në fletoren e tij ai vizatonte fytyrën e qytetit. Botuesi i tij greko-francez Teriade i kishte kërkuar t’i ilustronte "Luftën e Peloponezit" të Tuqididhit, por shpejt do ta braktiste atë projekt për ngasje dhe kujtimet e tij parisiane. Një ditë, duke dalë me të nga kafeneja dhe duke parë tutje nga rruga plot njerëz ai gati sa nuk kishte klithur i ngazëllyer:

“Ah ky Paris... Parisi i pafundmë!”

Dhe që atë ditë ai nisi të vizatonte, të krijojë fotografi e "eaux-fortes" me imazhet e kujtimeve të tij parisiane, me masturbimet féminité, prostitutat, kafenetë, jetën dhe imazhin prezent të vdekjes. Një fletore e madhe që pas vdekjes së tij do të botohej me 625 punime të panjohura deri para pak kohësh.

"Kisha kohë që kisha dashur të shkruaja rreth kujtimeve të mia, - shruante ai në këtë fletore, - kur në vitet 1923-1924 bridhja netëve në Paris në kërkim të ndonjë prostitute. Femrat e tjera nuk ekzistonin për mua, vec prostitutat të cilat më mrekullonin... doja t’i takoja të gjitha, t’i shihja të gjitha dhe çdo natë të rifilloja udhëtimet e mia fillikate nëpër rrugë..."
Giacometin që e njohëm aq mirë nga skulpturat e tij tashmë e shohim te këto gjurmë të lëna shkarazi, në kafenetë e mbrëmjes duke vëzhguar atë jetë njerëzore që e dehte dhe e mrekullonte...


Dhe unë kthehem sërish në shtëpinë e dikurshme të tij të pasnesërmen, një javë më vonë. Dera është e hapur. Porta është e mbyllur. Dhe sipër atij muri të vogël mbuluar në jargavanë, në 5, rue Victor Schoelcher, ndjej një lloj fryme që vjen deri tek unë...Dhe ajo frymë më percjell gjer në kryqëzimin e Montparnasse atje ku bota njerëzore gëlon. Mu shfaqën figurat e atyre femrave të dobëta e të hajthme dhe kujtova mikun tim piktor Omer Kaleshi, i cili gjithashtu i pëlqente femrat si Giacometti.