Arte & Media

Ardian Radovicka, inxhinieri i pasionuar pas pikturës

Nga: Skënder Buna

Dita Ndërkombëtare e Gruas, 8 marsi, është festuar e përkujtuar me shumë aktivitete në metropolin kanadez Toronto. Një prej tyre, ishte ekspozita e pikturës e titulluar "An Ode to Woman", që u hap të premten, në datën 9 mars, në Galerinë “Artusiasm”, në 1684 St.Clair Avenue. Aty ka ekspozuar disa punime të tij edhe Ardian Radovicka, anëtar i Don Valley Art Club. Kur hyn brenda, kupton që ekspozita është mjaft e larmishme për nga stilet dhe teknikat e përdorura dhe përshkohesh menjëherë nga energji pozitive. Aty, përveç Ardianit, takuam edhe artistë të tjerë, anëtarë të Don Valley Art Club.

Duke parë ekspozitën, na tërhoqi vëmendjen vendodhja e disa punime cilësore në pjesen fundore, që frekuentohej më pak nga vizitorët. Aty janë të vendosura punimet e Tanzinës, pronares së galerisë. Teksa bisedojmë me Carlos, bashkëshortin e saj, e pyesim rreth tablove të Tanzinës. Ai na shpjegon se zgjedhja e vendosjes së tyre në pjesen fundore ka qenë e qëllimshme, që ti japë hapësiren e duhur piktorëve pjesmarrës dhe jo pronarit.

Ardiani, i cili ka ekspozuar disa punime kryesisht në gjininë e portretit dhe peisazhit, na thotë që “krijuesit bëjnë art duke qenë jashtë zonës së tyre të konfidencës dhe kjo i bën ata sa unikë aq edhe te ngjashem. Ata të gjithë dashurojnë artin në radhë të parë, ndaj dhe kuptohen shpejt me njeri tjetrin, duke transmetuar energji pozitive”. Dëshira e tij e veçantë mbetet realizimi në të ardhmen i një ekspozite me të gjithë krijuesit shqiptarë të arteve figurative në rang GTA, pse jo edhe në rang Kanadaje. Urojmë që kjo të realizohet në një të ardhme sa më te shpejtë.

Ajo çka FlasShqip.ca i sugjeroi atij, është realizimi i një ekspozite virtuale në faqen online të portalit si një hap i parë drejt evidentimit dhe krijimit të një data base të gjithë artistëve shqiptarë të arteve figurative në Kanada, numri i të cilëve është jo i vogël dhe me një shtrirje gjeografike nga Halifax deri ne Vancouver, përfshi Toronton dhe Montréal-in. Morëm premtimin se së shpejti do të fillojë të lëvize diçka në këtë drejtim. Rëndësi ka që dëshira dhe vullneti i mirë ekziston. Një parakusht i rëndësishëm për të startuar.  

Ardian Radovicka, me profesion inxhinier, i diplomuar Master në Universitetin “La Sapienza” të Romës, është me origjinë nga Durrësi. Ai ka vite që jeton në Toronto ku vazhdon të ushtrojë suksesshëm profesionin e inxhinierit në strukturat e Bashkisë së qytetit. Ndërkohë ka gjetur kohë të merret me pasionin e veçantë të jetës së tij, pikturën.

Për gjithë të interesuarit, Ekspozita “An Ode to Woman” do të jetë e hapur deri në datën 17 mars 2018 në Galerinë “Artusiasm”, 1684 St.Clair Avenue, Toronto.

@FlasShqip.ca