Arte & Media

E zeza është një ngjyrë – Nga Luan Rama

Shumë shekuj më parë e zeza nuk konsiderhej ngjyrë por si një element përbërës për ngjyrat. Veç në fillimet e Rilindjes Italiane, ajo nisi të hyjë me një forcë të habitshme e të jashtëzakonshme, jo vetëm si dekor apo thjesht për një raport ngjyre me personazhet, por si një vlerë e mirëfilltë artistike ashtu siç ishin variacionet e të kuqes, të verdhës, blusë, etj… çka e shohim tek autorët më në zë siç ishin Mikelanxhelo, Raffaelo, Tiziano, Luca di Giordano për të ardhur më pas tek Rembrandt, Van Dyck apo Goya.

Përballja e errësirës me ngjyrën në tablotë e Karavaxhios, që aq shumë u pëlqente ekleziastikëve të lartë të Vatikanit, ishte diçka e fuqishme edhe pse disi teatrale, por që i jepte veprës një origjinalitet dhe forcë të jashtëzakonshme. Në tablonë “Rojet e qytetit” të Rembrandit, e zeza kthehet në një personazh më vete mes asaj trupe që ruan territorin e qytetit. Çdo të ishte kjo tablo pa variacionet e të zezës? Çdo të ishin tablotë e Raffaelo-s apo të Tiziano-s pa të zezën. Goya në fund të jetës së tij iu kthye të zezës në shumë tablo çka u quajt “periudha e zezë” e Goya-s, kohë kur më 1820-1923 ai krijoi serinë “pinturas negras”, kohë kur mbreti spanjoll nxorri jashtë ligjit kushtetutën dhe Goya i zemëruar e la adheun e tij për të ardhur dhe vdekur në jug të Francës, në Bordeaux. Kritikët e artit e cilësonin këtë të zezë të piktorit spanjoll si një “descente aux enfers”, si një “zbritje në ferr”. Ishte periudha e fundit të jetës së tij, ku ai krijoi ciklin e tij në shapelën e San Antonio dela Florida.

Po kështu e zeza e Velasquez është e papërsëritshme, çka e frymëzonte aq shumë piktorin francez Eduard Manet. Por atëherë kritikët e artit nuk e veçonin në shkrimet e tyre të zezën si ngjyrë, si një ngjyrë si gjithë ngjyrat e tjera. Një të zezë të përkryer e gjejmê gjithashtu tek Van Dyck në portretet që realizoi për familjen Durazzo si dozhi Marcello Durazzo apo Caterina Balbi Durazzo dhe Markezja Durazzo që gjendet ne Metropolitam museum. Me të drejtë Henri Matisse na kujton historinë e tij me Auguste Renoir, kur ai i shkoi në ateleierin e tij për ti treguar disa nga tablotë e fundit që kishte krijuar, tablo të cilat Renoir nuk i kishte pëlqyer, por atij i kishte bërë përshtypje mënyra e përdorimit të ngjyrës së zezë, por çka mundi të pohonte: “Ti vërtet mund të bëhesh një piktor!” Dhe Matisse u bë një piktor i shquar i shekullit XX. Pesëdhjetë vjet më parë, Matisse kishte deklaruar plot zhurmë: “E zeza është një ngjyrë”, «Le noir est une couleur!»... Sigurisht, s’kishte si të mos ishte ndryshe. Dhe ai, bashkë me Brak dhe Bonar, në galerinë e famshme «Aimé Maeght» në Paris, kishte hapur ekspozitën me titullin «E zeza është një ngjyrë». A nuk kishte shkruar dhe vetë Federico Lorca se «Koha ka ngjyrën e të zezës? «E zeza është një forcë», do të pohonte më së fundi Matisse, i cili më parë, kur nuk dinte se ç’ngjyrë të shtonte në peizazhin apo figurën e tij, shtonte të zezën…

Rreth ngjyrës së zezë kam shkruar dhe në romanin tim «Camera obscura - Origjina e botës”, ngjyrë e cila, sipas strukturës së romanit i përkiste ditës së premte:

E premte në të zezë

E zeza! Kjo ngjyrë i ndillte shpesh diçka të keqe, diçka zije. E dinte se ishte thjesht një paragjykim, një supersticion dhe asgjë më shumë, por megjithatë të premten nuk mund ta ndante më nga e zeza, ashtu siç e kishte krijuar në fëmijërinë e saj, në atë imagjinatë të çuditshme kur ditët e javës u përkisnin ngjyrave të ndryshme. Pastaj e zeza ishte një ngjyrë popullore, tepër e përdorshme, aq sa nuk mund ta konceptoje jetën apo botën kromatike pa të zezë. Ajo ishte e pranishme në rrobën qytetare të salloneve mondane si dhe në rrobën e grave të veja nga veriu dhe deri në jug të vendit. Kur ajo kishte filluar punët e para në laboratorin e filmit, e zeza gradualisht iu bë e pranueshme, madje e bukur. Ishte e zeza e qiellit në mbrëmjet e vona pa hënë, e zeza e një tuneli të pafund, e honit, e zeza e dhomës së errët, apo e asaj dhomëze të aparatit që në të zezë fiksonte pamjet e botës përreth. Ishte «camera obscura»… Në atë lloj të zeze ajo e ndjente veten mirë, të paqtë, çuditërisht të sigurt, aspak në ankth.

Në Paris ajo kishte njohur një piktor ballkanas, Omer Kaleshi, i cili kishte lindur në një familje shqiptare në Maqedoni. Më pas kishte bërë studimet e pikturës në Turqi dhe tashmë jetonte në Francë. Ishte një ballkanas i vërtetë, i cili përveç frëngjishtes i fliste te trija gjuhët ballkanike. Koka e tij me flokët e bardha, qëndronte shumë bukur në atë siluetë të zezë. Ai vishej gjithnjë në të zeza. I pëlqente shumë e zeza, kjo ngjyrë mistike. Madje dhe në pikturat e tij kishte shumë tablo të «dramës Ballkanike» në sfonde të errta. Sfonde tragjike, të luftës dhe dhembjes njerëzore... Disa mendonin se e zeza ishte një simbol i ankthit dhe i revoltës. Njerëzit thonin shpesh “magjia e zezë”, “seria e zezë”, “tregu i zi” apo “filmi i zi”, i quajtur ndryshe “film noir”...

Tagged under Luan Rama Omer Kaleshi