Arte & Media

'Dome'–rrëfimi i një të afërmit tonë

  Nga Eriola Agalliu

Dramaturgu Stefan Çapaliku solli domen e tij Enver Hyseni në Teatrin Eksperimental, në skenën që mirëpriti një podgorican prej Shkodret në një rrëfim të gjatë e pa artifica teatrale të jetës së vet. Këtë radhe një tekst teatror, i cili nuk sjell aktorin në skenë por e e çon skenën te jeta e një individi të zakonshëm për t’u rrëfyer para të ngjashmëve të tij, që rastësisht kanë zënë vendin e spektatorit.

Idea e një monodrame pa aktor, por me një personazh, shënjon në teatrin shqiptar zanafillën e teatrit dokumentar i cili sipas dramaturgut bazohet mbi të vërtetat e jetës dhe synon sjelljen e tyre në skenë. Dome si fjalë e përdorur nga malazezet që jetojnë në zonën e Shtojit në Shkodër ka kuptimin “njeri i shtëpisë, i afërm, i besueshëm”. Në këtë kuptim Enver Hyseni luan vetveten duke përmendur që në fillim të dramës se gjithë jetën e kanë thirrur Dome. Por jo vetëm kaq. Regjisori që është njëkohësisht dramaturg dhe aktor ndihmës, në skenë, e kthen aktorin nga mikun e vet në një njeri të afërt e të dashur për gjithë spektatorët në sallë.

Ka në këtë rrëfim humor e dhimbje. Janë të vërtetat e thjeshta njerëzore, të cilat përmbajnë rrugëtimin përgjatë vitesh: që nga vitet e ndërprera të universitetit, vargjet e para për dashurinë me tonet e aksioneve revolucionare, martesa, puna në teatrin e Shkodrës dhe... Intelektuali para nesh flet me gjuhën e Migjenit, bashkëqytetarit të tij, fjalët e të cilit vijnë nga “Ngjarje pa lëvizje”: “Më dhimbsej kali që pësonte gjith’at barbarizëm prej njeriut. Më dhimbsej, se edhe ai ndjente si unë, vetëm që nuk dinte ta thoshte dhimbjen e vet. E këtë ndoshta pritte njeriu që t’i ndalojë mizorinat e tij...”. Sipas Enver Hysenit në këtë botë jemi edhe viktima edhe fajtorë. Ne godasim pa mëshirë mbi kafshët sepse kamxhiku i jetës qëllon fort edhe mbi kurrizin tonë për të siguruar mbijetesën. Në çastin e vdekjes së të atit, ai e sheh veten si Kaini vrasës e vuajtës njëkohësisht dhe pikërisht atëherë i vijnë në ndihmë vargjet nga “Ndërgjegjja” e Hygoit.

Me sinqeritetin që e karakterizon Dome rrëfen sesi për të mbijetuar bëri dhe tregtarin e rrobave të banjës për femra, sesi me rrogën si inspektor skene rregulloi dhëmbët, se si duke folur me regjisorin italian ngatërroi fjalën pauseta me menopauza, se si nuk e gjen kërkund emrin e vet në internet edhe pse numëron rreth 60 role në skenë. Ndërkohë që vitet kanë shkuar e pensioni tashmë është ndalesa e fundit...

Monodrama “Dome” shënjon një tjetër arritje. Enver Hyseni na çarmatos me naivitetin dhe dhimbjen e tij, me dëshirën për t’u shprehur dhe hezitimin e vet se mos na bezdis, me pragmatizmin e njeriut që ka mbijetuar dhe urtësinë e një burri të mençur që në fund të shfaqjes shndërrohet në një Dome për të gjithë ne. E çfarë kërkon ai në fund të fundit pas gjithë këtij monologu...? Asgjë, vetëm një copëz nga skena ku ka luajtur ndër vite. Dhe ku ligjëroi ekzistencën e vet....