Arte & Media

Historia e çuditshme e një melodie të pavdekshme

Çdokush e ka dëgjuar të luajtur në kitarë. Të luajtur edhe në vegla të tjera. E ka dëgjuar edhe të kënduar në gjuhë të ndryshme. Me tekste të ndryshme. Një melodi që nuk i dihet autori. Nuk i dihet vendlindja. Nuk i dihet ditëlindja. As emri. Pagëzuar më dhjetra emra, si diçka që është aq e bukur sa është mëkat të mos i vësh një emër. Emra të ndryshëm, por që kanë brenda dashurinë, të panjohurën dhe të fshehtën. 
Legjenda thotë që për herë të parë kjo melodi u luajt në kitarë diku në një fshat të Spanjës nga një i panjohur, një i huaj, pa asnjë qindarkë në xhep, i uritur, i etur, që askush nuk e mori vesh nga vinte e për ku ishte nisur, por që në shkëmbim të një të ngrëne, një damixhani verë dhe të një strehe për një natë luajti në kitarën e tij këtë melodi. 
Të nesërmen në mëngjes kishte ikur që pa gdhirë duke lënë pas melodinë që akoma edhe sot vazhdon të thyejë zemra dhe të turbullojë shpirtëra njerëzish. Melodia iu këndua nga vajza e shtëpisë të dashurit të vet që rastisi edhe ai kitarist e kështu mbijetoi nga brezi në brez deri sot në epokën e Youtube.

"Romance Anónimo" (Anonymous Romance), "Estudio en Mi de Rubira" (Study in E by Rubira), "Spanish Romance", "Romance de España", "Romance de Amor", "Romance of the Guitar", "Romanza", "Romance d'Amour" janë disa nga emrat me të cilat njihet kjo melodi.

Po, përtej legjendës, nga lindi vallë kjo melodi?

Origjina dhe autorësia e saj mbeten edhe sot të dyshimta. Mendohet që vjen nga mesi i shekullit të 19-të e krijuar në origjinal për kitarë. Hamendësohet një numër i madh kitaristësh spanjollë si autor i saj. Antonio Rubira, David del Castillo, Francisco Tárrega, Fernando Sor, Daniel Fortea, Miguel Llobet, Antonio Cano, Vicente Gómez, dhe Narciso Yepes janë disa prej tyre. 
Emërtesa Anónimo (e panjohur) i është vënë pikërisht nga kjo pasiguri. Tre kanë qenë shkaqet kryesore për këtë emërtesë: mungesa e pretendimit nga autori i vërtetë, dëshira për të shmangur pagimin e të drejtave të copyright dhe dëshira e kompanive për të vënë copyright-in e tyre për çdo version të ri të melodisë.

Regjistrimi i parë i kësaj melodie, nën titullin "Estudio para Guitarra" de Rovira u bë në Argjentinë rreth vitit 1913, interpretuar nga kitaristi spanjoll Antonio Rubira (ose Antoni Rovira). 
Por ky fakt nuk ka penguar që ndër vite kitaristë të ndryshëm të kenë pretenduar autorësinë e melodisë. Nxënësit e Fernando Sor (vdekur në 1839) pretendonin që mësuesi i tyre ishte autori i saj.
I guximshëm është pretendimi i Narciso Yepes (1927-1997) i cili e interpretoi melodinë në filmin e famshëm të Rene Clement “Jeux interdits” (Lojëra të ndaluara) në vitin 1952. Popullariteti i filmit e përhapi melodinë në gjithë botën.
Studiuesit mendojnë se melodia mund ta ketë origjinën nga kënga popullore ukrainase Nich Yaka Misyachna (Beautiful Moonlight), e të tjerë madje gjejnë një lidhje të fortë mes melodisë sonë dhe “Moonlight Sonata” të Beethoven.

Vetë Narciso Yepes dhe pasardhësit e tij më vonë rrëfenin se Yepes në moshën 7 vjeçare (1934) e kompozoi këtë melodi për nënën e tij dhe e ka luajtur në kitarë pak kohë më pas në Teatro Guerra, në Lorca të Spanjës. Pak vite më pas, kur ai ishte 13 vjeç, ndërsa po ndiqte një shfaqje në Valencia ai dëgjoi kompozimin e tij të interpretuar nga një kitarisat tjetër i cili iu referua melodisë si “anonime”. Yepes pretendonte se melodia ishte vjedhur dhe përpunuar pak nga dikush që e kishte dëgjuar atë në interpretimin e parë të melodisë në Lorca. Por pretendimet e tij rrëzohen nga fakti që Yepes ishte lindur në 1927 ndërsa regjistrimi i parë i melodisë datonte 1913.

Meqë melodia u pa si një burim i pashtershëm suksesi dhe fitimesh u shndërrua edhe në këngë dhe u këndua nga këngëtarë të njohur si Miriam Makeba, Tom Jones, Mireille Mathieu, Ginette Reno, e shumë të tjerë….Ështe interpretuar e përshtatur në të gjithë llojet e mundshme muzikore, nga klasike deri në flamenko…
Kënga ka gjeneruar tekste të pafundme në vende dhe gjuhë të ndryshme në gjithë botën, por dy janë më të përhapurit, versioni i shkruar nga Marcel Stellman dhe ai i kantautores Miriam Makeba të cilët po i sjell për kënaqësinë tuaj. Ashtu si vetë melodia, edhe tekstet janë të mbushur me dashuri, dhimbje dhe humbje. Është kënduar edhe nëpër kisha me tekste të improvizuara për Jezuin dhe diku i janë ngritur edhe statuja.

Teksti nga Marcel Stellman:

LOJRA TË NDALUARA

Përse çastet e çmendurisë sonë magjike 
më lënë të trishtuar sot
e di që po luaj një lojë të ndaluar
dhe burrit që dua s’ia përmend emrin dot

Nuk ka asgjë të veçantë tek ai
jeta është një hiç pa atë, sado që jam munduar
ndoshta jam një budallaqe që shpreson më kot
kur e di që po luaj një lojë të ndaluar

Askush nuk mund të më thotë sa do zgjasë dashuria
nëse e ardhmja do më sjellë se e shkuara më shumë
nuk do guxoj t’ia tregoj kurrë shqetësimet e mia, 
veç ne çastet që ndajmë ndjehem e lumtur unë

Do të vazhdoj ta dashuroj si më parë
nuk kërkoj asgjë më shumë, ai është gjithçka dua 
dhe nëse gjërat shkojnë keq, fajin unë do e mbaj
sepse lëndohesh kur luan lojëra të ndaluara…

Teksti nga Miriam Makeba:

LOJRA TË NDALUARA

Edhe pse e ndaluar të të mbaj në krahë
lotët e mi duhet të ta kenë thënë ty, edhe pse e ndaluar
të mbaj fshehtësisht sa herë që takohemi
në lojërat e ndaluara që unë luaj

Edhe pse e ndaluar, në vende të qeta dritëzbehur
zemra ime e lënduar rend të kapë ylberët
të ëmblat ekstaza të hidhura vinë te mua
në këto lojëra të ndaluara që unë luaj

Të gjithë e dinë ti i përket një tjetre
dhe ia fal magjinë asaj e askujt 
e unë prapë e kënaqur brenda kësaj fantazie
pjesë e lojës që luaj pafund

Edhe pse e ndaluar e ti s’më deshë kurrë
do e fsheh dashurinë e gjithnje do të të dua
përjetësish të pafundme ti do të jesh i imi
në lojërat e ndaluara që unë luaj…

(materiali i përgatitur nga Artan Gjyzel Hasani)

Melodinë mund ta ndiqni edhe këtu: https://www.youtube.com/watch?v=6_m00tBc1I4