Arte & Media

Prishtinë-West Coast Symphony Orchestra e Vancouver në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikantëve të Rinj

Hapjen e edicionit të 13-të të Festivalit DAM në Prishtinë e bëri “West Coast Symphony Orchestra”. Dirigjenti Bujar Llapaj i cili që nga viti 2007 është dirigjent permanent i kësaj orkestre në Vancouver të Kanadasë, pati premtuar herën e kaluar kur ishte në Prishtinë se do ta sillte këtë orkestër edhe në Kosovë dhe premtimin e mbajti.

“Ideja e tureve tona, duke përfshirë edhe këtë në Prishtinë është që të ketë shkëmbim të kulturave, që publiku shqiptarë të dëgjojë kompozitor kanadez apo amerikanë dhe ne të luajmë vepra të kompozitorëve shqiptarë. Kultura është ura më e mirë që bashkon njerëzit, muzika është një nga gjuhët që nuk ka shumë keqkuptime dhe është universale, nuk ka fjalë që të djegin vetëm tinguj që të japin kënaqësi. Ky ishte koncerti i gjashtë dhe i fundit i turneut. Kemi pasur si pikë kryesore pikërisht festivalin DAM për shkak të promovimit të veprave të reja dhe talenteve”, u shpreh dirigjenti për Bujar Llapaj.

Në hapje të këtij festivali nuk mungoi as publiku i cili çdo herë po i qëndron besnik atij. Një gjë të tillë e ka vënë re edhe dirigjenti por edhe anëtarët e orkestrës. Ai pohoi se çdo herë publiku më i mirë është në Prishtinë dhe është për t’u çuditur interesimi që kanë të rinjtë për muzikën klasike dhe për festivale të tilla. Ndërsa nuk harron që të përgëzojë edhe kompozitorët kosovarë duke treguar se mundohet sa më shumë të marrë vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe ti luajë ato në Kanada. 

Mbrëmja filloi me premierën botërore të koncertit për klarinetë dhe trombon, kompozuar nga kompozitori Kreshnik Aliçkaj, që është shkruar tre muaj më parë. Si soliste në klarinetë erdhi Gwynneth Jones, kurse në trombon Jim Hopson. Kompozimi nuk ka qenë i lehtë për kompozitorin Aliçkaj për shkak të formacionit.

“Është një formacion jo shumë i lehtë për t’u shkruar, pasi që tromboni dhe klarineta janë dy instrumente të ndryshme edhe pse janë frymore, gjithashtu dallojnë edhe për nga ngjyra dhe regjistri dhe si kompozitor është dashur që të kem shumë kujdes në trajtimin e këtyre instrumenteve”, tha ai për KultPlus duke u shprehur i kënaqur për interpretimin që ju bë veprës së tij.

Mbrëmja vazhdoi me “Qyteti” nga suita “WestCoast” pastaj me koncert për soprano saksofon dhe orkestër, Julia Nolan e cila interpretoi në saksofon u shpreh se kjo performancë në Prishtinë ishte më e mira për të.

“Audienca ishte shumë e ngrohë, qyteti është i bukur dhe çdo gjë ishte e mrekullueshme edhe grupi po ndihet mirë dhe duke e ditur që ky ishte koncerti jonë i fundit dhe më pas do të shkojmë në shtëpi ishte edhe më i veçantë. Tashmë jemi duke diskutuar pasi dëshirojmë që të kthehemi përsëri”, tregoi ajo.

Programi i kësaj mbrëmje përfundoi me interpretimin e uverturës nga opera “Goca e Kaçanikut”. Kompozitori Rauf Dhomi cili ishte në publik bëri diçka që rrallë herë e bën kur interpretohen veprat e tij. Ai ju bashkua orkestrës në skenë për të falënderuar artistët dhe për të përgëzuar dirigjentin të cilin ai e vlerëson shumë. “Ishte një nga interpretimet më të mira të veprës sime”, u shpreh autori.

Burimi: www.kultplus.com