Arte & Media

Artistët e vërtetë janë modestë-njëlloj si Alida Frashëri Bodini

Ka shqiptarë që kanë emigruar nga vendi i tyre në pikun e karrierës, ka të tjerë që kanë ikur në hapat e para, ka që kanë ndërtuar emrin nga A-ja në vendet ku kanë emigruar.  Ka nga ata që kanë ikur në mes të arritjeve, i kanë ndërprerë dhe sërish kanë bërë sukses ngado që kanë shkuar. Kështu është edhe historia e Alida Frashëri Bodinit, e rrëfyer në Flasshqip.ca, portalin që është i hapur të pasqyrojë histori të ndryshme suksesi të diasporës shqiptare jo vetëm në Kanada, por kudo që flitet shqip.

Alida ishte një drejtuese artistike e sapo dekoruar me urdhrin "Naim Frashëri“ për punën cilësore në revistën "Fatosi", kur u shpërngul familjarisht në Gjermani. Pas vështirësive të viteve të para për akomodimin dhe integrimin në një vend të huaj, Alida arrin të anëtarësohet si krijuese në Lidhjen e piktorëve e skulptorëve BBK, Bonn dhe Koeln dhe merr pjesë me ekspozita personale të pikturës e grafikës, në München, Bonn, Koeln, Duseldorf.

Gjithashtu aktivizohet në grupin letrar të Siegburg, Bonn me krijimet e veta, boton poezi në revistën Passage dhe ilustron në grafike për Fabelhafte Erzaelungen të Gerold Schmidt.

Në 1994 studion Grafikë  pranë Kunstakademise se Dusseldorfit me Litografi e Zinkografi, me profesorin zviceran Franz Egenschëiller dhe docenten Maria Buras. Në cv e saj renditen ekspozita të shumta, në galeri e institucione për tu patur zili në fakt nga të gjithë artistët e shteteve të ndryshme.

Nga viti 1994 deri 2007, ajo punon privatisht, si vizatuese e objekteve Arkeologjike për dy firma Arkeologjike në Gjermani: LAND dhe StadtArcheologie, vizatime të cilat botohen ne Manualet vjetore të Roemisch-Germanisch Museum, Koeln.

E diplomuar në Shqipëri edhe në letërsi përvec pikturës, Alida nuk e mbajti të fshehur pasionin për letërsinë. Në 2007 boton vëllimin e saj të parë, me prozë të shkurtër  "Adapti“.

Një përmbledhje e shkurtër për një ribotim të këtij vëllimi, pritet të dalë brenda 2018, i shoqëruar  me disa komente të zgjedhura letrare.

Alida është modeste pavarësisht gjithë sukseseve që ka arritur. Ajo nuk mburret, as nuk shtyn me bërryla të tjerët për t‘u dukur vetë. Ajo flet me artin e saj siç flasin artistët e vërtetë.

Më poshtë po ju njohim me disa nga punimet e Alidës.

 ©FlasShqip.ca