Histori

Dy anglezë në Ksamil

Nga: Dorian Koçi

Kjo tablo në akuarel është realizuar nga Edward Lear (1812-1888) në prill 1857 , gjatë një udhëtimi të shkurtër në “Tre scogli”-Tre shkëmbinjtë, Ksamili i sotëm, në veri të Butrintit në Shqipëri. Lear-i lundroi nga Korfuzi, ku kish zënë me qira një shtëpi gjatë periudhës së dimrit, për në bregun përballë. 

Në librin e vet “Corfu Years”-Vitet e Korfuzit, (Athens and Dedham, 1988, fq 108), Lear shkruan:

"Ne filluam të lundrojmë jashtë Korfuzit në datën 2 prill me varkën e tipit Midge* të Lushingtonit. Mora George-in, kantinën ose kutinë e guzhinës, krevatin tim, letra për të vizatuar etj. Edward-i mori shërbëtorin e tij, Fillipo, një maltez. Lundruam shumë qetësisht përgjatë tri orëve dhe ankoruam në një gji të vogël të Tre scogli-Tre shkëmbinjtë. Shijuam gjithë pasditen duke bërë vizatime, poshtë shqopishtave dhe shkurreve të gjata të gjitha të lulëzuara, hëngrëm një drekë të shijshme dhe kaluam një natë të qetë”.

Bashkëudhëtari i Lear-it ishte James Bevan Edwards, (1834-1922), më vonë oficer madhor i ushtrisë britanike dhe politikan, i cili ishte djali i Samuel Price Edwards, një padron i arteve, i afërt me Lear-in, i cili posedonte tablo të tij si Corfu, from Ascension(1859), Petra, teatri (1859). Turin (1862), Jerusalem (1862) etj. Edward Lear e kish realizuar udhëtimin e tij të parë në Shqipëri në nëntor 1848.

Kjo është tabloja e parë e Ksamilit dhe si duket aty ka qenë një natyrë e qetë. Interesant është emri “Tre scogli” që mesa duket i referohet tre ishujve të vegjël. Nuk dihet nëse ky emërtim është një term që përdornin venedikasit si zotërues të hershëm të Korfuzit dhe Butrintit, apo një përkthim i toponimisë që përdornin vendasit. Lear-i pikturoi peizazhe të mrekullueshme nga Shqipëria, por në vendin tonë nuk gjendet asnjë pikturë origjinale e tij. Sa për Ksamilin, ai është transformuar pothuajse tërësisht, dhe privatësia e gjirit të vogël dhe shumë të këndshëm, ka humbur.

 

* lloj barke e vogël.

 

Tagged under Dorian Koçi