Histori

Sot në ditëlindjen e Atit të Kombit - Nga Albert Vataj

Nga: Albert Vataj

Më 16 tetor 1844, në Kaninë të Vlorës, në një familje bejlerësh fisnikë, u lind Ismail Qemali (rreth datës së lindjes së tij ekzistojnë kundërthënie). Ai arsimohet në Janinë, në gjimnazin “Zosimea” vatër edukimi kulturor për shumë figura të Rilindjes Kombëtare. Pastaj, i ri në moshë, Ismail Qemali shkon në Stamboll me synimin për t’u bërë nëpunës qeveritar; fillon të punojë si përkthyes diplomatik në Ministrinë e Jashtme. Dhe këtu nis karriera e tij; pas disa vitesh, ai emërohet zëvendësministër i Jashtëm i Perandorisë Osmane.

Në vitin 1877, kur mentori i tij, kryeministri reformator Mitat Pasha shkarkohet nga posti, Ismail Qemali jep dorëheqjen. Ai internohet në Anadoll. Më vonë Sulltani kujtohet për ‘të, e thërret dhe e cakton guvernator të Bejrutit. Ismail bej Qemali shërbeu si Guvernator e Vali edhe në shumë rajone të tjera të perandorisë, si dhe në Ballkan. Ismail Qemali i përkiste krahut liberal të politikës osmane, ai vazhdimisht bënte thirrje për ide të reja e reforma, nëse perandoria dëshironte të mbijetonte.

Megjithatë, idetë e tij për reforma në gjirin e perandorisë, shiheshin me sy të keq dhe në Maj 1900, Ismail Qemali hipën në jahtin e ambasadorit britanik në Stamboll dhe kërkon strehim politik.

Ai ikën nga Turqia dhe për 8 vjet jeton në mërgim, duke u përpjekur nga jashtë për një perandori kushtetuese dhe përparimin e çështjes kombëtare shqiptare në kuadër të perandorisë. Pas Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, Ismail Qemali zgjidhet përfaqësues i sanxhakut të Beratit në Parlamentin osman Në vitin 1909, ai bëhet kryetar parlamenti, por pas pak ditësh detyrohet të largohet nga Stambolli përgjithmonë.

Pas kësaj, karriera e tij politike përqëndrohet vetëm në çështjen atdhetare shqiptare: ai dallohet si frymëzues i kryengritjeve anti-osmane dhe organizues i kryengritjes së përgjithshme shqiptare të vitit 1912. Më 28 Nëntor të po atij viti, Ismail Qemali mbledh kuvendin në Vlorë; shpall Shqipërinë e Pavarur; ngre zyrtarish flamurin e kuq të Skënderbeut me shqiponjën e zezë dy-krenare; dhe emërohet kryetari i parë i shtetit të parë shqiptar, kryeministër dhe ministër i Jashtëm, duke shkurajuar – me aq fuqi sa shteti i ri kishte – trupat e vendeve fqinje të cilat synonin të merrnin pjesë territoresh të banuar nga shqiptarët.

Në Janar 1914, Ismail Qemali jep dorëheqjen a rrëzohet dhe shkon në mërgim në Paris. Kryetari i parë i shtetit shqiptar vdes papritur në Itali në vitin 1919, (i helmuar!?). Dhe këtu këputen edhe “Kujtimet” e tij të cilat mbyllen me largimin e princ Vidit nga Shqipëria në shtator 1914. “Kujtimet…” do të botoheshin një vit më vonë, më 1920, jo të plota.