Histori

Një medaljon nga koha e Ali Pashë Tepelenës - Nga Dorian Koçi

Dorian Koçi

Ky është një medalion i periudhës osmane në shtëpinë e ankandit Kunker, Gjermani. Mendohet se është porositur në vitin 1807 nga Ali Pasha Tepelena (1741-1822), sundimtari shqiptar i Shqipërisë dhe Greqisë, i cili ishte de facto i pavarur nga Porta e Lartë. Në kundërshtim me traditën islame, ajo tregon portretin e një gruaje me kostum oriental ose grek. Ajo quhet Mbretëresha [Vasiliki] Hanim. Hollësi të mëtejshme për këtë medalje jashtëzakonisht të rrallë janë të panjohura.

Gjithsesi duket se ka një gabim, pasi në vitin 1807, Vasiliqia ishte vetëm 9 vjeç dhe ajo hyri në pallatin e Ali Pashë Tepelenës në vitin 1812. Për këtë arsye, ajo mund të jetë pasqyrimi i një femre tjetër nga oborri i i Ali Pashë Tepelenës.

Imazhi perëndimor i medalionit dëshmon ndikimin e marrëdhënieve të ngushta diplomatike që kish filluar Ali Pasha Tepelena me Fuqitë e Mëdha në rajon. Në fillim Franca (1798-1800) dhe pastaj Rusia (1800-1807) zotëronin Ishujt Jonianë, fqinjë të Pashallëkut të Janinës. Ndërkohë që agjentë britanikë si William Martin Leake ishin të pranishëm në rajon.

Në dhjetor 1806, Porta e Lartë i hapi luftë Rusisë dhe Ali Pashë Tepelena nxitoi të përfitonte duke arrestuar konsujt rusë në territoret e veta dhe me artilerinë, që kishte marrë nga francezët u përpoq të sulmonte ishullin e Shën Maurës, por rusët ngritën kundër tij feudalët çamë dhe armatolitë e Thesalisë. Ali Pasha u pajtua me feudalët çamë, kurse i biri i tij Myftari e mbyti në gjak kryengritjen e armatolive në Thesali.

Kur Fransua Pouqueville i emëruar Konsull i Përgjithshëm i Francës, mbërriti në Janinë në 1806, i solli Ali Pashë Tepelenës dhe premtimin e Napoelonit se do t’i jepte nën administrim ishullin e Korfuzit, nëse do të angazhohej në luftë kundër rusëve. Tashmë Ali Pasha Tepelena zotëronte gjithë bregdetin e Çamërisë dhe po shikonte që të merrte në zotërim dhe Korfuzin dhe Ishujt Jonianë.

Paqja e Tilsitit në vitin 1807 midis Francës dhe Rusisë bëri të mundur largimin e rusëve nga ishujt jonianë, zotërimin e tyre sërish prej Francës dhe largimin e rrezikut rus për të minuar pushtetin e Ali Pashë Tepelenës në Epir dhe More.