Histori

Rubrika: Gjakatarë me nam-Nga Arben Kallamata

Arkiduka Franz Ferdinand, i njohur në histori si viktima e atentatit në Sarajevë që shkaktoi fillimin e Luftës së Parë Botërore, në të cilën gjetën vdekjen 9 milionë ushtarë dhe 7 milionë civilë, mbante edhe vetë një rekord gjakderdhje sa ishte gjallë. Gjatë jetës së tij ai ka vrarë jo pak por 274,899 kafshë.

Nga dihet shifra e saktë? Mesa duket, Arkiduka nuk ishte vetëm vrasës i apasionuar kafshësh, por edhe regjistrues i pëpiktë i të gjitha krimeve të tij. Natyrisht, shumica e kafshëve të vrara ishin shpendë gjahu - fazanë, fushnja etj., që ia lëshonin para çiftes taborri i njerëzve që e shoqëronin në gjah, ndërkohë që një numër shërbëtorësh i rimbushnin pa pushim dyfekët. Megjithatë, ai ka vrarë edhe kafshë katërkëmbëshe - rreth 5000 të tilla, duke përfshirë elefantë, kangurë, koala, majmunë, tigra dhe arinj. Makutërisë së tij për të vrarë nuk i kanë shpëtuar as iriqët e ketrat.

Këtë katil pa ndjenja, shkrimtari austriak Karl Kraus e përshkruan si njeri “që s’merrte mundimin të të përshëndeste … që nuk ndjente asnjë lloj detyrimi për të kërkuar diku në thellësitë e asaj zone të paeksploruar për të që vienezët e quajnë zemër.” Ndërsa historian gjerman Michael Freund e cilëson si “njeri me energji të pafrymëzuar, me pamje dhe emocione të errëta, që rrezatonte një frymë të çuditshme dhe lëshonte një hije dhune dhe papërgjegjësie … një personalitet krejt i veçantë mes butësisë miqësore që karakterizonte shoqërinë austriake të kohës.”

Ndonëse egërsia e Franz Ferdinandit duket e pashoqe, duket se ai ka pasur edhe konkurentë të tjerë në kënaqësinë për të marrë sa më shumë jetë krijesash të pafajshme. Lordi britanik Ripon mban rekordin e turpshëm me 556,813 kafshë të vrara nga viti 1867 në 1923.

Përshtatur nga një shkrim i Paul Ratner në Bigthink.com