Histori

Refleksione në 70 vjetorin e një aleance dhe 80 vjetorin e një pushtimi - Nga Klodi Stralla

Këtë 4 prill mbushen 70 vjet nga themelimi i NATO-s, një aleance politiko-ushtarake prej 29 shtetesh (perfshirë Shqipërinë) që, sipas nenit 5 të Statutit të saj, kur një vend anëtar agresohet, automatikisht i vijnë në ndihmë të gjitha shtetet pjësëmarrëse.

Fakti që ky 70 vjetor i këtij viti po festohet në nivel ministrash të Jashtëm, pa pompozitet, nën dyshime dhe zhgënjime të shprehura për lidershipin amerikan, tregon se bazimi i sovranitetit kombëtar vetëm tek faktori i jashtëm bën që shumë ngjarje të hidhura të së kaluarës të përsëriten. Veçanërisht ne shqiptarët ky 70 vjetor na gjen pa ushtri, pa armatim dhe pa vullnet për t’i bërë ballë një agresioni të mundshëm, në një Ballkan të trazuar.

80 vjet më parë, më 7 prill 1939, Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, një vend anëtar i Lidhjes të Kombeve që prej vitit 1921. Ky ishte një agresion i pastër ndaj një shteti sovran, që propaganda fashiste e kohës e paraqiti si dëshirë të popullit shqiptar për t'u çliruar prej një mbreti anadollak, dhe për t'iu bashkëngjitur një qytetërimi të lashtë roman, siç pretendonte Duçja për Italinë.

Për të kuptuar, edhe sot, rolin që kemi ne shqiptarët në politikën europiane, si një shtet i vogël, i brishtë, frut i pazarllëqeve ndërkombëtare, po ju sjell për lexim një fragment të shkëputur nga një dokument britanik i kohës. Bëhet fjalë për Procesverbalin e dt.10 prill 1939 të Kabinetit Britanik që, ndër të tjera, analizon pushtimin italian të Shqipërisë, parë nën këndvështrimin e interesave angleze në rajon e më gjerë.

“…Kryeministri (Neville Chamberlain) shprehu keqardhje që ndërpreu pushimet e kolegëve, por në kushte të tilla ishte e pashmangshme mbledhja e Kabinetit për të dëgjuar informacionet më të fundit dhe për të analizuar situatën e raportuar prej Sekretarit të Shtetit për Punët e Jashtme. Të shtunën në mbrëmje, ai (Sekretari i Shtetit) takoi edhe ambasadorin shqiptar në Londër, i cili i dorëzoi një notë proteste kundër aksionit të ndërmarrë nga qeveria italiane, në kundërshtim me të gjitha traktatet ndërkombëtare të firmosura vullnetarisht, si dhe apeloi që qeveria Britanike të bëjë të pamundurën që të ndihmojë këtë komb të vogël që, në mënyrë të dëshpëruar, po tenton të mbrojë teritorin e vet. Në këtë pikë, nuk është në detyrën tonë të zhysim të gjithë Europën në luftë për Shqipërinë, duke pasur parasysh interesat e mëdha që Italia ka në Shqipëri, të cilat tashme janë njohur edhe prej nesh. Ne nuk kemi interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri dhe duhet t’a shfrytëzojmë këtë rast (pushtimin) për të ndërmarrë hapa me qëllim që të tërheqim në anën tonë Greqinë dhe Turqinë. Të shtunën mbrëma i ngarkuari me punë i Italisë tek ne, Z. Crolla, kërkoi që të pritej urgjentisht, për të parashtruar pozitën italiane për këtë çështje, sipas porosive të vetë Mussolinit. Z. Crolla parashtroi se:

Interesat italiane për Shqipërinë janë prej mëse një shekulli dhe janë të njohura qartësisht edhe nga Konferenca e Ambasadorëve (1921); se Italia ka bërë shpenzime kolosale në Shqipëri; se Mbreti Zog nuk ka mbështetje popullore dhe Statuti i ofruar nga Italia (bashkimi personal midis dy shteteve) i jep Shqipërisë një shkallë të lartë pavarësie; se garantohet që Jugosllavia dhe Greqia nuk do të preken. Pushtimi i Shqipërisë do të bëhet i shpejtë dhe me pëlqimin e shumicës së shqiptarëve. Italia do t'i qëndrojë besnik Traktatit Anglo-Italian dhe do t'i tërheqë trupat e saj nga Spanja. Qeveria e Madhërisë së Saj ra dakord për sa më sipër…”

Shihet qartë se Shqipëria u përdor si monedhë këmbimi nga anglezët në pazarllëqet e tyre me Fuqitë e Boshtit. Kur Anglia hyri në luftë disa muaj më vonë (shtator 1939), Çërçilli që kish zevëndësuar në qeveri Chamberlain, bërri thirrje që “të ndizet flakë e gjithë Europa”, pra të vritej e shkretohej ajo, që albioni britanik të pësonte sa më pak humbje!

Mësimet e 7 Prillit 1939 vlejnë edhe sot, kur shqipëtarët duhet të ndërgjegjësohen se në politikë nuk ka miq e vëllezër, por vetëm interesa, pavarësisht që këto të fundit gjithmonë paraqiten si parime demokratike prej më të mëdhenjve.