Histori

Pëllumb Kulla: 80 vjet nga 7 Prilli dhe vlerësimet e Enver Hoxhës për Abaz Kupin

SHËMTIA E TË VËRTETAVE TË PËRKOHSHME

E kam ende fjalën për të vërtetat që nuk zgjatin shumë, apo që bëhen gënjeshtra e prapë rilindin siç ishin. Një nga pararendësit e këtyre çudirave, me prestigjatura historike, është i mirënjohuri Enver Hoxha, i cili i ndërronte vlerësimet e shokëve dhe interpretimet historike duke e lëvizur timonin sa nga një anë nga ana tjetër e duke tërhequr në këto lëvizje marramendëse aradhën e historianëve shumica e të cilëve mbijetuan edhe sot gëzojnë nderet si punonjës të shquar shkencorë, por që nuk e ngritën asnjë herë zërin për driblimet e dehura të udhëheqësit. Dhe sinqerisht e pranoj se edhe nëse nga këto tangot e diktatorit u vinte për të vjellë, këta të gjorët duhet të llogaritnin vdekjen po të ngrinin zërin kundër. Është tani që doktor profesorët e nderuar më duken më të neveritshëm se atëherë, për konseguencat bezdisëse që u duhet të ruajnë…

Por le të kthehemi tek dashi përçor, Enveri, i cili mund t’u kishte shtuar veprave të tij 100 vëllimëshe edhe një vepër bardhezi, me opinionet e tij laramane mbi Fan Nolin, Nako Spirun, Mehmet Shehun dhe shtatëqind e kusur të tjerë.

Le të fokusohemi tek vlerësimi i Abaz Kupit…

Është një artikull i famshëm i Enver Hoxhës (kur ky nuk kish filluar ende nga pushkatimet e shokëve!) shkruar në gazetën e tij “Zëri i Popullit” që daton 13 shkurt 1943.

Në artikullin “Bazi i Canës, Myslim Peza e Babafaja Martaneshi” Bazi Canës, alias Abaz Kupi, udhëheq treshen e kryeluftëtarëve dhe himnizohet aty si një nga legjendat e rezistencës antifashiste.

Më pas, dy të tjerët e ndoqën partinë e komunistëve në bëmat e saj, kurse i pari, Bazi, doli nga rreshti dhe iu kundërvu Enverit sapo e nuhati busullën e tij dinake. Kjo pa dyshim solli tërbimin e Hoxhës dhe ky e cilësoi tradhëtar burrin që e shmangu qafën nga zgjedha që tirani i ardhshëm po i ofronte. Ishte ai burri që, sipas fjalëve rrëzëlluese të Enverit, katër vjet të shkuara, në prill të 1939, kishte luftuar forcat e armatosura italiane që po zbarkonin. Katër vjet major Kupi qëndroi me pushkën në frëngjitë e Durrësit kundër italianëve bashkë me luftëtarët e tij, nga të cilët heroi Ulqinaku ra duke luftuar. Mujo Ulqinaku vazhdoi të luftonte dhe po lufton edhe sot edhe meriton nderimin tonë më të lartë. Kurse komandanti i tij, Abaz Kupi luftoi vetëm katër vjet!

Enver Hoxha që nuk u ndodh as edhe katër sekonda në ato frëngji kur po mësynin okupatorët italianë, e fshiu nga lista heroin e tij të prillit. E fshinë edhe këta doktorët që tundin medaljet shkencore edhe sot. Kështu Abaz Kupit i heshtën breshëritë dhe grykat e zjarrit deri në vitin 1990. Vetëm atëherë, pas viteve ’90, luftëtari Abaz Kupi u rikthye të luftojë përsëri në vijën e parë të rezistencës.

Dhe lavdi Zotit vazhdon të luftojë edhe sot.

Ah sa zbavitës janë këta fakte!

Por le të vendosim në këtë faqe fjalët origjinale (megjithë gabimet ortografike dhe përzjerjet dialektore!) të “udhëheqësit lavdimadh” të Luftës Nacional Çlirimtare...

Artikulli i Enverit

“Ditët e para të Prillit 1939, populli shqiptar ishte në këmbë, me një zemër, me një parullë: Luftë invazorit! I madh e i vogël bërtiste, bërtiste: në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun. Në Durrës luftonte Abaz Kupi kundra mijëra e mijëra fashistëve që po zbarkonin. Bazi i Canës dhe djemtë e Shqipërisë të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë. Major Bazi ishte kudo, në çdo pozicion dëgjohej zëri i tij: “Djema! Godisni armikun pa mëshirë, se kështu e lyp ndera e Atdheut!” Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit gëlonte pushka. Bazi i Canës nuk po ja lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë nuk trembeshin. Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhie të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canës u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plotë dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin.

Në emigracion këtij nuk i rrihej...prandaj çau malet me borë, çau bjeshkët e Veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lyp detyra, ku e lyp ndera e Atdheut, u fut me forcat e tij, me atë të shokëve shqiptarë që ishin çue në këmbë. Fshatrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën pushkët, pse era e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthyer me marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar...Bazi i Canës që luftonte për një qëllim të shenjtë: Çlirimin e Atdheut nga zgjedha italiane, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë i gjithë shqiptarëve do të jetë shpëtimi i vendit tonë. Bazi i Canës nuk tutej por thoshte “Vallja vjen pas”. Patrioti i vërtetë nuk lufton me fjalë, por me vepra dhe Bazi i Canës mendimet e tij i realizonte në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje u hodh në luftën Nacionalçlirimtare... Bazi i Canës, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës do ta vazhdojë luftën deri në fitore...”

..................................................................

“Bazi i Canës, Myslym Peza dhe Babafaja Martaneshi”, nga Enver Hoxha, Zëri i Popullit, 13 shkurt 1943