Histori

Një telefonatë e paharruar - Episod interesant nga Shërbimi Inteligjent Amerikan

Nga: Albana Melyshi Lifschin

Allen Dalles (Allen Dulles) Drejtori i respektuar i CIA-s, gjatë presidencës së Ajzenhauerit, duke u theksuar oficerëve të rinj të shërbimit inteligjent amerikan se asnjë informacion sado i parëndësishëm në dukje, nuk duhet nënvleftësuar, u sillte për ilustrim një episod nga jeta e tij si diplomat gjatë luftës se parë botërore, që mbeti si incident famoz në analet e CIA-s amerikane, për faktin se kishte të bënte me Vladimir Iliç Leninin.

Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, Allen Dalles kishte filluar punën si diplomat i ri në ambasadën amerikane në Bern, Zvicër. Atë kohë udhëheqësi bolshevik, V. I. Lenini (i mërguar në Zvicër) kishte vendosur një lidhje të ndërmjetme me Presidentin Uillson, nëpërmjet konsullit amerikan në Zyrih, të cilit i jepte informacione që i vinin nga miqtë e tij brënda në Rusi. Këto informacione shiheshin me rezervë nga amerikanët e më shumë nuk i dërgoheshin presidentit Uillson se sa i dërgoheshin, pasi Leninit si i Kuq që ishte, nuk mund t'i besohej. Për më tepër, V. I. Lenini i jepte informacionet e tij nëpërmjet konsullit McNally, i cili vetë për shkak të martesës të së bijës me një gjerman, shihej me dyshim e madje bëheshin plane për ta kthyer në Amerikë. Në pasditën e 11 Prillit 1917, kur shumica e personelit kishte mbaruar punën për atë ditë, në zyre bie telefoni dhe Allen Dallesi ngre receptorin. Një zë i huaj me një theks të rëndë gjerman i tha se ishte Vladimir Iliç Lenini. Folësi ndihej i emocionuar. I spjegoi se do të ndodhej atë pasdite aty, pasi duhej të bisedonte (patjetër!) për një çështje të rëndësishme. Allen Dallesi, diplomati i ri dhe i pashëm, që atë mbrëmje kishte lënë takim me një vajzë, i tha se atë kohë kur Lenini do të mbrrinte, zyra do qe mbyllur, prandaj do ishte më mirë të vinte të nesërmen në mëngjes, rreth orës 10 am kur të fillonte puna. "Nesër, do të jetë shumë vonë. Unë duhet të vij sonte. Duhet të bisedoj sonte, patjetër... me dikë..." spjegonte zëri me një ankth që po rritej.

Ndërkohë, diplomati i ri Dalles mendonte: E ç'lajm, mund të qe ai që nuk priste deri nesër? Që Cari ra dhe pushtetin po e merrnin revolucionarët ruse? Këtë e kishin të gjitha gazetat! E ç'rëndësi kishte se kush e merrte pushtetin, kur shtetet e tyre ishin ende aleatë në luftën kundër gjermanëve? Ç'fare influence kishte ky njeri në Rusi, kur i mërguar në Zvicër siç ishte, kishte ngecur aty e nuk kishte mundësi as të kthehej në vëndin e vet?

"Më vjen keq, por duhet të vish nesër, n'ora 10 a.m., kur të hapen zyrat", u përgjigj përfundimisht i vendosur diplomati i ri dhe mbylli telefonin.

Të nesërmen ora 10, në mëngjes, Lenini e kishte lënë Zvicrën dhe po hynte në kufirin rus, i ndihmuar nga vetë gjermanët të cilët ishin të interesuar që Rusia të pushonte luftën. Lenini arriti në Petrograd në 17 prill 1917 dhe menjëherë urdhëroi të fillonin bisedimet e paqes me Gjermaninë.

Ky ishte informacioni i jashtëzakonshëm që udhëheqësi rus kishte vendosur t'ia transmetonte presidentit Uillson, të cilin ndodhi që ai e admironte. Allen Dallesi e kishte injoruar takimin me Leninin për shkak të takimit me një vajzë.

(Episodi i marre nga libri im "Udhetim ne Historine e Amerikes" bot. 2003, ribot. 2006, 2010)

http://albanalifschin.tripod.com/index.html