Histori

Për flamujt e Muzeut Kombëtar - Nga Dorian Koçi

 

(Me rastin e promovimit të librit të Prof. Frederik Stamati)

Historia e muzeve kombëtare shqiptare filloi në vitin 1922, me ngritjen e Muzeut Kombëtar në Tiranë. Drejtori i parë i Muzeut Kombëtar të Shqipërisë ishte Viskë Babatasi. Me fondet e qeverisë shqiptare u ngrit ndërtesa njëkatëshe modeste e Muzeut Kombëtar, e cila ndodhej në rrugën “Abdi bej Toptani”, në afërsi të hotelit “Kontinental” në Tiranë. Koleksionet e para të Muzeut Kombëtar përbëheshin kryesisht nga objekte arkeologjike.

Për shkak të mungesës së ekspertëve të muzeologjisë, duke pasur parasysh kontributin e arkeologëve austriakë qeveria shqiptare ftoi arkeologun Karl Paç (dr. Carl Patsch), një nga njohësit e kulturës së popujve të Ballkanit dhe profesor në Universitetin e Vjenës, i cili qe angazhuar më parë në organizimin e Muzeut Zemaljski të Sarajevës, për të dhënë përvojën e tij për ngritjen dhe organizimin e Muzeut Kombëtar të Bosnjes. Dr. Paç u kontaktua në korrik të vitit 1922 nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe ai e pranoi ofertën për t’u marrë me organizimin e muzeut, por jo për ta drejtuar atë nga ana administrative. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse ai nuk dëshironte të largohej nga procesi i mësimdhënies në Universitetin e Vjenës. Me dosjen Karl Paç në Ministrinë e Arsimit u mor vetë kreu i seksionit Karl Gurakuqi, i cili përktheu propozimet e tij për autoritetet shqiptare. Dr. Karl Paç u përpoq të gjente një bashkëpunëtor për ta ndihmuar. Ai u mbështet tek bashkatdhetari i tij, Robert Ecker. Njëkohësisht bashkë me ta u angazhua edhe Xhevat Korça, i cili kishte kryer studimet universitare në Vjenë.

Dr. K. Paç arriti që brenda një periudhe të shkurtër të mblidhte objekte të rëndësishme të arkeologjisë, si edhe vepra me karakter historik. Ai hartoi projektin e Muzeut Kombëtar sipas projektidesë së Muzeut Zemaljski të Sarajevës. Sipas projektidesë së tij, muzeu duhej të përbëhej nga tre seksione: seksioni arkeologjik, seksioni historik-etnografik dhe seksioni i shkencave të natyrës. Dy seksionet e para të muzeut arritën të pasuroheshin më shumë. Më i pasur ndër to ishte seksioni arkeologjik, sepse në të u sollën objekte, që patën shpëtuar gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Paç e pasuroi seksionin arkeologjik me objektet e sjella në Durrës. Këto objekte qenë transportuar nga Apollonia prej ushtarëve austro-hungarezë nën drejtimin e Prashnikerit. Projektin për sesionin arkeologjik të muzeut Dr. Karl Paç e botoi në Revistën Pedagogjike.

Me iniciativën e Paç dhe me mbështetjen e ish studentit të tij, Xhevat Korçës si edhe të mjaft intelektualëve të kohës u ngrit një sallë e veçantë, kushtuar Heroit Kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Ata i kërkuan Ministrisë së Arsimit të caktonte mjetet e duhura financiare për të paguar përgatitjen e kopjeve të objekteve origjinale të Skënderbeut, që gjendeshin në Muzeun e Oborrit Perandorak të Vjenës. Falë parave të mbledhura me këtë rast kopja e shpatës dhe kopja e përkrenares së Skënderbeut u ekspozuan në muze. Ambicja e Dr. Paç nuk përfundoi me kaq. Ai i shkroi Akademisë së Skulpturës të Muzeut të Vjenës për të mundësuar një kopje të bustit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Pjesë e rëndësishme e Muzeut Kombëtar ishte biblioteka, për të cilën kujdesej vetë drejtori Viskë Babatasi. Në shtypin shqiptar, projekti u prezantua si i ardhur nga qeveria shqiptare me përmbajtje pedagogjike dhe patriotike, duke treguar pasurinë dhe vlerat më të mira të së kaluarës të popullit shqiptar. Fokusi kryesor u përqëndrua te popullsia ilire, fakt që i bën shqiptarët një popull të hershëm dhe zotërues të një territori të gjerë. Në vijim trajtohej figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në sajë të së cilës shqiptarët qenë populli i fundit i Ballkanit që do t'u nënshtrohej osmanëve. Së fundmi, organizatori i muzeut dëshironte ta ilustronte pasurinë natyrore me dëshmi etnografike të popullit shqiptar. Për këtë Dr. Karl Paç mendonte që në eksponatet e muzeut të paraqitej një koleksion i armëve, me anën e të cilave përfaqësohej karakteri burrëror dhe atdhedashës i popullit shqiptar. Dr. Paç ishte i mendimit që të grumbulloheshin stela varresh, si dëshmi e të kaluarës. Me interes është edhe letra e Dr. Paç drejtuar Ministrisë së Brendshme për të siguruar objektet simbol të pavarësisë me synim që të ekspozoheshin në muze. Gjithashtu në projektet e Dr. Paç ishte që kombi shqiptar duhej paraqitur në dimensionin e tij të plotë, duke përfshirë edhe diasporën. Në lidhje me këtë ai sugjeronte se duheshin nxitur komunat, që banoheshin nga arbëreshët e Italisë për të dhuruar objekte dhe dokumente për Muzeun Kombëtar. Duhet theksuar se nisma e qeverisë shqiptare për themelimin dhe ndërtimin e Muzeut Kombëtar ndërmerrej në një periudhë, kur shteti i dobët shqiptar po përpiqej të rimëkëmbej. Në vitin 1925, ndërtesa e Muzeut Kombëtar u prish dhe koleksionet e objekteve të tij i kaluan Bibliotekës Kombëtare.

“Për flamujt e Muzeut Kombëtar” është libri më i ri i Prof. As. Dr. Frederik Stamatit, i cili pas një pune disavjeçare arriti ta botojë këtë libër kaq të domosdoshëm për muzeologjinë shqiptare. Flamuri i Shoqërisë patriotike “Dëshirë” aktualisht është i ekspozuar në pavijonin e Rilindjes Kombëtare të Muzeut Historik Kombëtar, me numër inventari 1839.

Shoqëria patriotike “Dëshirë” u themelua nga emigrantët shqiptarë më 1 janar 1893, në Sofje të Bullgarisë. Këtë e thonë vargjet e këngës të shkruar nga Spiro Garo “Që më një të kollozhegut, u formua shoqëria”. Qëllimi i saj ishte përhapja e diturisë dhe gjuhës amtare në Shqipëri. Kjo shoqëri patriotike forcoi edhe më shumë miqësinë ndërmjet popullit shqiptar dhe atij bullgar. Shoqëria patriotike “Dëshirë” në vitin 1897 ngriti shtypshkronjën “Mbrothësia”, ndërsa në vitet 1897-1915 botoi revistën “Kalendari Kombiar”.

Në vitin 1904, anëtarët e saj vendosën të kishin flamurin e shoqërisë së tyre, sepse “flamuri ishte nektari i një shoqërie” dhe rreth tij do të mblidheshin anëtarët e saj. Për realizimin e flamurit kontribuan të gjithë. U mblodhën rreth 45 napolona ari dhe flamuri u qëndis nga Polikseni Luarasi. Flamuri është prej mëndafshi dhe ka përmasat 110 x 100 cm. Ai peshon rrreth 1,5 kg. Në të majtë të flamurit ëshë vendi ku futej shtiza. Sfondi i flamurit është i ndarë në dy pjesë: gjysma është e kuqe dhe pjesa tjetër është e bardhë. Në qendër të flamurit është qëndisur një shqiponjë dykrenare. Shkronjat dhe thekët e flamurit në pjesën anësore janë prej një materali në ngjyrë të artë. Nën shqiponjën është shkruar me fill të verdhë e të shndritshëm metalik: SHOQËRIA E SHQIPËTARVET “DËSHIRË”, FILLUAR MË 1 KOLLOZHEG 1893, NË SOFJE.

Flamuri është përdorur për herë të parë më 15 gusht 1904 në festën e Shën Mërisë, gjatë një manifestimi të anëtarëve të Shoqërisë patriotike “Dëshirë” në rrugët e Sofjes. Gjatë manifestimit Pando Llazar Treni valëviste flamurin, ndërsa banda frymore e qytetit e ngrinte edhe më lart entuzjazmin e manifestuesve. Flamuri mbërriti në Shqipëri në vitin 1930, gjatë vizitës së një përfaqësie të Shoqërisë patriotike “Dëshirë” në atdhe. Delegacioni erdhi në rrugë tokësore në drejtimin Bilisht-Korçë-Librazhd-Elbasan-Durrës-Tiranë. Përfaqësia e Shoqërisë patriotike “Dëshirë” përbëhej nga: Kryetari Z. Llazar Janko Grabova, nënkryetari Z. Sherif Terova, kryetari i degës, Z. Jovan Treni, kryetari i degës II, Z. Dhimitër Toska, kryesekretari, Z. Thoma Luarasi, sekretari, Z. Jorgji Prifti, këshilltari i kontrollit, Z. Adham Shkaba dhe anëtari i këshillit administrativ. Z. Kollumbi. Nga Korça drejt Tiranës përfaqësia u shoqërua nga i përndershmi Mitrofor Vasil Marku. Më 31 mars 1930 përfaqësia e Shoqërisë patriotike “Dëshirë” ia dorëzoi flamurin mbretit Zog I. Ky i fundit urdhëroi që flamuri të ekspozohej në Muzeun Kombëtar në Tiranë.