Histori

Ortek social - Nga Klodi Stralla

Ortek social – 14 korrik 1789

Orteqet janë dukuri natyrore, kur një shkak rastësor mjafton për të shkaktuar një pasojë të madhe, shpesh të padëshirueshme. Të tilla janë orteqet e dëborës apo edhe reaksioni zinxhir bërthamor në botën e atomit. Por orteqet janë edhe dukuri sociale, që ndodhin sidomos kur elitat që udhëheqin kombet, mbeten pas nevojave që kanë shoqëritë për ndryshim, bile i pengojnë ato me dritëshkurtësinë e tyre.

Një ortek i tillë social ishte edhe ai që filloi në Francë, 230 vjet më parë, duke u gdhirë 14 korrik 1789, me marrjen, nga turma popullore e kështjellës të Bastijës në Paris, kështjellës simbol të Anciene Regime (regjimit të vjetër).
Interesant është se në këtë ditë, në ditarin e tij, në të cilin hidhte përmbledhjen e ngjarjeve të ditës, Luigji 16-të, mbreti i Francës, shkroi një fjalë të vetme: - Rien! (Asgjë). Por nuk do të vononte dhe:

- Më 4 gusht 1789 Asambleja Kombëtare abrogoi të Drejtat feudale mijëvjeçare, pra privilegjet shekullore të Aristokracisë dhe Klerit.
- Më 27 gusht 1789 Asambleja miratoi “Deklaratën e të drejtave të njeriut dhe qytetarit”, pra sanksionoi barazinë e çdo qytetari para ligjit.
- Në shtator 1791 u miratua Kushtetuta sipas të cilës Franca kaloi nga Monarki absolute në Monarki kushtetuese, pra pushteti ekzekutiv i mbretit iu nënshtrua mbikqyrjes popullore.
- Më 21 shtator 1792 Asambleja e shpalli Francën Republikë, duke kaluar sovranitetin nga dinastia mbretërore njëmijëvjeçare e Kapeteve tek sovraniteti i popullit.
- 21 janar 1793 mbretit Luigj i 16-të i pritet koka në gijotinë. 
Një ortek social, me pasoja të pa imagjinueshme për kohën, që u bë udhërrëfyes për pjesën tjetër të Europës feudale – Asgjëja ishte bërë Gjithçka!

Edhe ne shqiptarët kemi shumë ç’të mësojmë nga historia, sepse jemi në po atë gjendje ku ishte Franca dy shekuj më parë, që me aq besnikëri e pasqyron tabloja bashkëngjitur, ku popullit (shumicës) i kanë hipur mbi shpinë Oligarkët (aristokracia) dhe politikanët (kleri).