Histori

A ndodhet në Beograd procesverbali i Kongresit të Elbasanit? - Nga Hyqmet Zane

Nga procesverbali i Kongresit të Elbasanit tek “Normalja”, një shekull universitar. Kombi kërkon mbajtjen në këmbë të godinave historike dhe jo “vjedhjen” e tyre si procesverbalet e ngjarjeve konbëtare!

Kur historia shkruhet, ajo mbetet e pavdekshme dhe per brezat, se, në të kundërt, do të quhemi popull pa histori. Janë ngjarje historike dhe personalitetet që na bëjnë të jemi komb me gjuhe, me flamur dhe me histori. Kështu do të thuhet për një ngjarje që tashmë ka 110 vjet që ka ndodhur, Kongresi i Elbasanit, dhe që shpesh harrohet si nga pushteti, por edhe nga iinstitucionet kulturore dhe ato universitare.

Njohja me një material që bën fjalë për zbulimin e procesverbalit të punimeve të Kongresit të Elbasanit nga Anila Lumani e cila i referohet një mikrofilmi që gjendet në Institutin e Historisë në Shkup dhe që është kopje e cila është marrë në arkivat e ish-Jugosllavisë, më ka lënë një shije jo të mirë të dyfishtë dhe një trishtim njëkohësisht.

Shtrohet pyetja se si është e mundur që proçesverbalet e ngjarjeve të mëdha historike të kombit tonë gjenden në Beograd? Si njohës i realiteteve historike them se ky është një fakt që të çon në mendje idenë se kemi të bëjmë me pasojat e shërbimeve që i bëri Enver Hoxha serbëve si një ushtar i bindur dhe konseguent i Popoviçit, Mugoshës, i Stojniçit dhe Tempos etj. që e zgjodhën atë si njeriun shërbëtor dhe rob të sllavizmit.

Nga ana tjetër ky fakt i proçes verbaleve është edhe një tregues se historia jonë kombëtare ka dëshmitë e veta edhe pse të fshehura në kohë. Duhet një profesor si prof dr Hysni Meziri apo një studiuese si Anila Lumani që të na sjellin në vëmendje një fakt tjetër: rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit, të Kongresit të Elbasanit, të hapjes së shkollës “Normale” si Universiteti i parë Shqiptar.

Nëse proçesverbali i Kongresit të Elbasanit ekziston gjithsesi, një problem më madhor qëndron në anën tonë: si është e mundur edhe ne vetë, e kam fjalën për ata që pretendojnë që kanë merita më të mëdha për këtë vend apo për këtë qytet po sillen me një ndjesi aspak shqiptare me vlerësimin e ngjarjeve të tilla?

Konkretisht, në ndërtesën ku u mbajt Kongresi Elbasanit jo vetëm që nuk ka asnjë shenjë se atje është mbajtur ky kongres, por ka edhe një konflikt me grekun Janullatos për ta përvetësuar dhe për t’ia shuar emrin një ngjarjeje të tillë historike. Dikur në këtë godinë ka patur një rrasë guri që datonte mbajtjen e Kongresit të Elbasanit e gdhendur nga një mjeshtë atdhetar, ndërsa sot ajo nuk ekziston.

Duket sikur pushteti ka kohë dhe kujtesë për pllaka përkujtimore mermeri ku janë gdhendur fjalët që i bëjnë jehonë luftës partizane dhe komunizmit, ndërsa ngjarjeve madhore që kanë edhe godinat e zhvillimit të tyre, jo vetëm që ato nuk kanë mbishkrime, por u është tjetërsuar edhe funksioni. Kështu ka ndodhur me shtëpinë e Aqif Pashë Biçakçiut, me shkollën “Ruzhdije”, me shkollën e Tebojës apo ‘Normale”-n e Elbasanit. Mos ndoshta një ditë një, dy, apo tre breza do të bëhen shpikës të këtij fakti që ne sot e kemi në dorë dhe nuk ia vlersojmë kontributin. Ne vetë jemi kthyer në mosmirënjohës të vlerave tona mbarëkombëtare.

Zbulohet procesverbali i Kongresit të Elbasanit

Se çfarë thotë Anila Lumani në lidhje me gjetjen e proçesverbalit të Kongresit të Elbasanit, po e jap të plotë prononcimin e saj.

“Kopja origjinale e procesverbalit të Kongresit të Elbasanit gjendet në arkivat e ish-Jugosllavisë, ndërsa në arkivat e shtetit shqiptar nuk ekziston një dokument i tillë. Një mikrofilm serb i sjellë nga Beogradi gjendet në arkivin e Institutit të Historisë në Shkup. Ky dokument është procesverbal i Kongresit të Elbasanit ku janë edhe 13 kërkesat e kongresit, si përshëmbull, për hapjen e shkollës Normale, hapjen e shkollave të tjera, sigurimin e mësuesve, etj. Po ashtu këtu janë edhe emrat e të pranishmëve në Kongres, ndër të cilët është edhe Dervish Hima, Mithat Beu, Kristo Dako dhe personalitete të tjera të periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare shqiptare, tha historiani Skënder Hasani, i cili ka hasur në këtë dokument të vlefshëm gjatë hulumtimeve të tij. Një kopje e këtij dokumenti gjendet në arkivin e Institutit të Historisë në Shkup, ku dhe e gjeta unë gjatë hulumtimeve. Është mikrofilm serb i sjellë nga Beogradi, të cilët kanë rënë në të nëpërmjet agjentëve të tyre, deklaroi Hasani. Sipas tij ky dokument nuk gjendet në arkivin e Tiranës.”

Kongresi i Elbasanit u hap më 2 shtator të vitit 1909 dhe i vijoi punimet deri më 9 shtator. Në të morën pjesë 35 delegatë, përfaqësues të klubeve dhe të shoqërive shqiptare të qyteteve të tilla të Shqipërisë si Tirana, Durrësi, Dibra, Shkupi, Manastiri, Gjirokastra, Korça, Berati, Leskoviku, Përmeti, Ohri, Struga, Pogradeci, Janina, Filati, krahinat e Gramshit, të Skraparit etj. Nuk mundën të dërgonin delegatët e tyre Vlora, për shkak të terrorit të xhonturqve mbi atdhetarët e këtij qyteti, Shkodra, për arsye të veprimtarisë së reaksionit xhonturk, të përkrahur nga klerikët konservatorë dhe elementët fanatikë turkomanë, si edhe vilajeti i Kosovës, po për shkak të pengesave që nxorën klerikët dhe paria konservatore e fanatike, që përkrahte alfabetin arab. Megjithatë, Klubi i Shkupit ngarkoi si përfaqësues të vetin Mit’hat Frashërin, ndërsa atdhetarët shkodranë njoftuan në mënyrë paraprake se do t'i njihnin vendimet e këtij Kongresi. Po ashtu nuk u përfaqësuan edhe shoqëritë atdhetare të mërgimit”.

110 vjet Universitet në Elbasan

Kongresi kombëtar i Elbasanit (2-9 shtator 1909) përfaqëson mbi të gjitha një forum mbarëshqiptar ku morën pjesë në cilësinë e delegatit 35 përfaqësues të klubeve dhe shoqërive shqiptare ndërmjet të cilëve do të veçonim: Orhan Pojani, Grigor Cilka, Gjergji e Sevasti Qirjazi, Mit’hat Frashëri, Dervish Biçaku, Refik Toptani, Ahmet Dakli, Hamdi Ohri, Abdullah Koprencka, Thoma Papapano, Nikoll Koçani, Selman Blloshmi, Simon Shuteriqi etj. Ndër të tjera duhet thënë se ky Kongres mori vendime të rëndësishme që rezononin tërësisht me platformën e Lëvizjes kombëtare shqiptare e në mënyrë të veçantë spikasnin ato që kishin të bënin me përhapjen e shkollave shqipe në krejt vendin.

Në lidhje me rëndësinë e këtyre vendimeve, ish-rektori LimanVaroshi shprehet se “Me vendimet që mori, Kongresi i Elbasanit i dha një hov të mëtejshëm Lëvizjes kombëtare shqiptare e në këtë kontekst luftës për përhapjen e shkollës dhe të shkrimit shqip, e cila kushtëzoi pagëzimin e këtij Kongresi me epitetin shumë domethënës “Kongresi për shkolla”.

Duke qenë se hapja e Normales ishte vendimi më i rëndësishëm i këtij Kongresi, Liman Varoshi shton se “Kongresi kombëtar i Elbasanit u thirr me iniciativën e klubit shqiptar të Selanikut. Në fillim të punimeve ai procedoi me zgjedhjen e një kryesie të përbërë nga 4 veta, me cilësinë e drejtimit të krejt punimeve të kongresit. Në krye të kësaj kryesie u zgjodh Dervish Biçaku, i cili do të ushtronte të gjitha atributet e kryetarit”. Janë problemet që trajtoi dhe vendimet që mori në interes të Lëvizjes kombëtare shqiptare që e bëjnë këtë Kongres me karakter të theksuar mbarëkombëtar, për të cilën ish-rektori pohon se ishte arritje historike “të themelohej në Elbasan, në vjeshtën e 1909-s, një shkollë e mesme normale shqipe me gjashtë klasa, e cila do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare. Të ngrihej në qytetin e Korçës shoqëria qendrore shkollore “Përparimi”, që do të kujdesej për mbajtjen dhe administrimin e shkollës normale, do të punonte për hapjen e shkollave të tjera shqipe, për botimin e librave dhe teksteve shqipe. Në Kongres u kërkua që shoqëria “Përparimi” të njihej zyrtarisht nga qeveria turke. Duhet shtuar se në mbledhjet e fshehta delegatët e kongresit trajtuan edhe probleme të natyrës politike, që në thelb përputheshin tërësisht me atë çka kërkonte Lëvizja kombëtare shqiptare. Kështu, delegatët në këto mbledhje shprehën kundërshtimin dhe mosbesimin ndaj regjimit xhonturk, afirmuan vendosmërinë për të siguruar autonominë e Shqipërisë dhe përmbushjen e qëllimit për një organizim sa më produktiv të komiteteve të fshehta që vepronin pranë klubeve ekzistuese”.

Trajtimi i një game të tërë problematikash që trajtoi dhe kontriboi në kohën e vet para 110 vjetësh ky Kongres, si edhe përgjegjësia e trajtimit të vlerave që përban në vetvete Kongresi i Elbasanit, përbën një detyrim për brezat që duhet jo vetëm të jenë kujtimtarët e vërtetë të datave të tilla historike, por edhe të ruajnë me një fanatizëm atdhetar edhe simbolet e tyre, siç janë ndërtesat ku zhvilluan punimet këto evenimente historike të kombit tonë. Kombi kërkon mbajtjen në këmbë të godinave historike dhe jo “vjedhjen” e tyre si procesverbalet e ngjarjeve konbëtare. Edhe fakti që ende sot e kësaj dite Normalja e Elbasanit nuk ka marrë statusin si Universiteti i parë shqiptar, në një kohë që universitetet me emër në botë nuk e kanë nisur rrugën e tyre si shkolla me një program të caktuar siç e nis “Normalja” e jonë.

Epilog

Cilido të jetë ai që ka përgjegjësinë historike dhe prej shqiptari apo për drejtimin e këtij vendi, harresa për ngjarje të tilla historike, hapur është një tradhëti në emër të popullit, se ngjarje të tilla nuk rikthehen më. dhe mos ndoshta do të duhet të na e shkruajnë grekët e serbët hsitorinë tonë të lavdishme. Gjithësesi, Mit'hat Frasheri, nënkryetari Kongresit të Elbasanit në ditarin e tij mbajtur në Elbasan ditët e ngjarjes më të madhe të arsimit kombëtar shqiptar, ndër të tjera ka shkruajtur “…Vërtet më të bukur qytet se Elbasani s’mund që të gjendej për një të tillë kongres kombiar, ku do të bisedohet puna e shkollave shqipe dhe e mësimit të gjuhës sonë : njerëzia e Elbasanit jo tani, po dhe në kohët despotike ishin çquar për dashurinë e tyre për gjuhën shqipe”.