Histori

Taxhi bektashian i Ali Pashë Tepelenës në Muzeun Historik Kombëtar - Nga Dorian Koçi

Gjatë punës kërkimore dhe shkencore për studimin e hulumtimin e objekteve që janë në fondet e Muzeut Historik Kombëtar kemi mundur të evidentojmë objektin taxhi i Ali Pashë Tepelenës me numër inventari 339. Sipas kartelës së objektit rezulton se taxhi i Ali Pashë Tepelenës ka hyrë në fondin e Muzeut Historik Kombëtar në vitin 1981. Origjina e objektit muzeal të identifikuar si taxhi i Ali Pashë Tepelenës shënohet në kartë si i ardhur nga ish-muzeu i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ai ka një lartësi 18.5 cm dhe diametër 20 cm. Nuk dihet qartë se përse ky objekt ka qenë në fondet e e ish-muzeut të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, kur në fakt i përket periudhës së Pashallëqeve shqiptare. 

Objekti paraqitet tepër i dëmtuar dhe ende nuk kemi rënë në gjurmë se si ky objekt është përfituar dhe ka hyrë në fondet e lartpërmendura. Si objekt ai mbetet i veçantë sepse është i vetmi që mendohet se i përket Ali Pashë Tepelenës në territoret shqiptare pasi në disa muzeume në botë, si p.sh në Muzeun Benaki në Athinë ka objekte personale të tij si ore xhepi apo dhe disa armë të dekoruara me ar. Për më tepër Prof. Moikom Zeqo e përmend në librin Syri i Tretë i Bektashizmit por nuk e analizon më gjerësisht. Po a ishte taxhi një veshje karakteristike për Ali Pashë Tepelenën?

Pjesa më e madhe e portreteve që pasyrojnë Ali Pashë Tepelenën e paraqesin të veshur me një kapë në kokë që duket se është një taxh bektashian. Kështu në portretin e tij shumë të njohur nga Joseph Cartwright (1789-1829), pikturuar në mars 1819 dhe publikuar në 1822 (CARTWRIGHT, Joseph. [Eleven colored costume plates of northwestern Greece, including a portrait of Ali Pasha], London, R. Havell, 1822) pasqyrohet i veshur me taxh bektashian. Sipas përshkrimit të Joseph Cartwright, veziri i Janinës mbante në kokë një taxh ngjyrë jeshile të stolisur me shirita të florinjtë [1].

Disa nga studiuesit e hershëm të Bektashizmit e kanë identifikuar Ali Pashë Tepelenën si një nga kontribuesit më të mëdhenj të themelimit të teqeve bektashiane në territoret e Pashallëkut të tij e për rrjedhojë kapën që i mbulonte kokën e kanë konsideruar si taxh bektashian. Po kështu studiuesja e njohur britanike e bektashizmit Hasluck, ka njohur një taxh bektashian në gurin e varrit të tij sipas një gravure të hershme. Taxhi bektashian është një nga elementët e veshjes të bektashinjve që nga grada e tretë e besimit që identifikohet me dervishët. Kurora (taxh) - është një kapuç i përbërë prej dymbëdhjetë pjesëve në pjesën e sipërme dhe katër pjesëve të bardha në pjesën e poshtme. Pjesët e sipërme quhen terk dhe i simbolizojnë dymbëdhjetë imamët. Katër pjesët e poshtme quhen dyer dhe simbolizojnë katër dyert (sheriatin, tarikatin, ma’rifetin, hakikatin).

Kjo kurorë emërtohet si “Husejni taxh”. Në pjesën e sipërme ku bashkohen dymbëdhjetë copat vendohet një copë e vogël që quhet “vulë” “ose “trëndafil” (gjyl). Në kurorën e dervishëve mbi këto katër pjesë vihet edhe një pëlhurë e gjelbër e cila rrotullohet dymbëdhjetë here [2]. Me të njejtin taxh Ali Pasha Tepelena paraqitet edhe në pikturën e vajit të Jacob Ritter von Hartmann, më 1822. Piktura aktualisht ruhet në Muzeun Metropolitan të New Jorkut [3], si dhe në tablonë e njohur të Louis Dypre "Ali Pasha duke duke gjuajtur në liqen” e vitit 1825. Në të tre këto tablo që janë me ngjyra, taxhi është pikturuar në ngjyrë jeshile që dallohet me sy të lehtë në tablonë e Cartwright, kurse në të dy të tjerat është më një ngjyrë të mbyllur jo lehtësisht të identifikueshme. 

Nuk dihet arsyeja se përse Ali Pasha Tepelena duke mos qenë pjesë e urdhrit të bektashinjve ose duke pasur vetëm gradën e myhypit-ithtarit besnik mbante mbi kokë taxhin bektashian që zakonisht e mbanin dervishët dhe baballarët e teqeve. Studiues si Nataly Clair në artikullin e saj “Miti i Ali Pashës dhe bektashinjve” hedh tezën se Ali Pasha Tepelena më tepër sesa adhurues i tarikatit të bektashijve ishte adhurues i tarakitatit sufist të Saydive apo Helvetive. Clair arrin në këto përfundime duke cituar Arkivin Qendror Osman ku ka gjetur dokumente për themelimin e një teqeje Sayidi në Stamboll nga Ali Pashë Tepelena apo sepse në vendlindjen e tij në Tepelenë dhe në fshatrat që vendosi sundimin e tij pas me dhunë si Hormovë dhe Kardhiq ndërtoi teqe Helvetije.

Clair në Arkivin Qendror Osman ka gjetur vetëm një dokument që shënon kontributin e tij në themelimin e teqesë Xhafaj Baba në Elbasan në 1811. Gjithsesi numri i dëshmive që lidhin Ali Pashë Tepelenën me bektashizmin janë të shumta dhe të trajtuara edhe nga Katerine Flemming në librin e vet “Bonaparti Mysliman”. Udhëtari dhe diplomati i njohur William Martin Leake na jep dëshminë se në Trikalla dhe në Ajdinali Ali Pashë Tepelena kish ndërtuar teqe bektashiane [4].

Studiuesi njohur grek Denis Skiotis shënon një fakt interesant për lidhjet e Ali Pashë Tepelenës me bektashizmin se në fillimet e veta, ashtu siç dëshmohet nga udhëtari dhe studiuesi suedez, Jacob Jonas Bjornstahl, Ali Pasha kishte si heraldikë të tij, flamur ose zilfikar një copë me dy shpatat e famshme me dy tehe të Aliut, Kalifit IV, i cili është figura qendrore e adhurimit të bektashive. Në këtë mënyrë, edhe njëherë tjetër, lidhja e Ali Pashë Tepelenës me këtë sekt përforcohet edhe më shumë nga ky detaj [5].

Edhe vula personale që mbante Ali Pashë Tepelena, kishte një nënshkrim në persisht “Le të jetë aty një shpresë nga Ali - asker”, një referencë tjetër kjo për kalifin Ali dhe një provë tjetër për devocionin e tij ndaj bektashizmit. Fakti që në tre portretet Ali pasha Tepelena paraqitet me taxh dhe në njërin prej tyre me ngjyrë jeshile dhe të stolisur me shirita të florinjtë përforcon më tepër mendimin se pavarësisht që Ali Pasha mund të ishte një përkrahës i të gjithë sekteve sufiste, në vetvete ai i përkiste tarikatit bektashi.

Piktori britanik Joseph Cartwright e kishte parë nga afër Ali Pashë Tepelenën pasi ishte pjesë e Komisionit Britanik që negocionte për dorëzimin e Pargës te Ali Pasha Tepelena dhe nuk mund të gabonte për ngjyrën dhe formën e taxhit që ai mbante të veshur në kokë. Për këtë arsye sëbashku me restauratorin e njohur Profesor Frederik Stamatin menduam se do të ishte e udhës të fillonim procesin e konservimit dhe pastrimit të tij. Konservimi i taxhit të Ali Pashë Tepelenës u krye në muajin mars 2019 në laboratorin e sektorit të konservimit të koleksioneve të Muzeut Historik Kombëtar. Taxhi është me material shajaku në gjendje shumë të keqe. Ai është i djegur dhe i mbuluar me blozë dhe me dyll. Gjithashtu është dëmtuar nga insektet dhe ka mungesë materiali. Taxhit i mungon pipthi në majë.

Në fillim u bënë fotografi për të parë shkallën e dëmtimit të taxhit. Në vijim me anë të një furçe me qime të buta u fërkua e gjithë sipërfaqja e taxhit si nga brenda ashtu edhe nga jashtë për të hequr baltën që ishte ngjitur në të. Procesi i konservimit të taxhit të Ali Pashë Tepelenës vijoi edhe në muajin prill 2019. Nga taxhi u morën disa kampionë për të analizuar stabilitetin e fijes. Gjithashtu edhe për të parë se çfarë fije është përdorur për taxhin, proces që u realizua me anën e mikroskopit elektronik. Në vijim të procesit të konservimit me anë të një furçe me qime të buta u fërkua e gjithë sipërfaqeja e taxhit si nga brenda ashtu edhe nga jashtë për të hequr baltën që ishte ngjitur në të.

Si përfundim edhe pas kësaj pune të detajuar nuk u përftuan ngjyrat që ka pasur në gjendjen fillestare, pasi objekti ka pësuar djegie. Jemi ende në kërkim të dokumentacionit në Arkivin e Shtetit dhe të Institutit të Antropologjisë për të gjetur origjinën e ardhjes së tij në fondet muzeore shqiptare për të vërtetuar origjinalitetin e tij si objekt e në mënyrë të tillë që kur të organizohet periudha e Pashallëqëve Shqiptare ai të ekspozohet në këndin e Ali Pashë Tepelenës.

Bibliografi:

1) Anastasios Papastavros, “Ali Pasha nga hajdut në kapedan”, Volumi I, Botimet Apeirotan.

2) Metin Izeti, “Tarikati Bektashian”, Shtypshkronja “ÇABEJ”, Tetovë, 2001.

3) Nathaly Clair. “Miti i Ali Pashës dhe bektashinjve”, Albanian Identities, myth and history. Edited nga Stephanie Schwandner-Sievers dhe Bernd J.Fisher, Hurst and London Company 2002.

4)Skoitis N. D. (1971) “From Bandit to Pasha: The first steps in the rise to power of Ali of Tepelen 1750-1784”.

Burimi: doriankoci.blogspot.com