Histori

Ç’do të thoshte të flisje shqip në rilindjen greke?

Tezat historike të akademikut Bavarez J. P. Fallmerayer, tronditën mendimin historik evropian në gjysmën e dytë të shekullit të XIX. Për herë të parë, pas formimit të shtetit kombëtar grek, u vu në dyshim vazhdimësia greke në territoret e veta historike dhe një rëndësi e veçantë iu dha dyndjeve të popujve sllavë dhe shqiptarë në territoret e asaj që njihej si Greqia e lashtë.

Sipas Fallmerayer, pas përmbysjeve revolucionare të gjithanëshme që sollën stuhitë e dyndjeve barbare dhe vendosjen masive të sllavëve në Ballkan, tashmë nga trashëgimi i Greqisë antike nuk kish mbetur gjë veçse toka, gërmadhat, kurse në rrembat e këtij populli “nuk rridhte më asnjë bulë gjaku grek”, e për këtë arsye nuk mund të bëhej fjalë për asnjë lloj kontinuiteti historik, aq më tepër që në shekullin e XIV një dyndje e dytë masive, tani shqiptare, i kishte mbuluar dhe viset më të thella greke deri në Peloponez. Më tej ai vazhdonte se “tani atje jeton një fis i ri i vëllazëruar me fisin e madh të sllavëve. Si element i dytë i popullsisë së atjeshme janë për t’u përmendur shqiptarët ... Sllavët skithikë, arnautët ilirë, fëmijët e vendeve veriore, të një gjaku me serbët e bullgarët, dalmatët e moskovitët (rusët) janë ata që i quajmë sot helenë.”

Në një letër të 11 shkurtit 1834, ai thotë se e tërë Atika është e populluar nga shqipfolës dhe në kryeqytet gjejmë njerëz që e dinë greqishten vetëm se u nevojitet. Në Beoti, përjashtuar tre lokalitete, vihet re e njëjta gjendje.

Sigurisht që ky përcaktim shprehte një realitet të njohur të kohës por që me kalimin e kohës ndryshoi në dëm të popullsisë arvanite. Popullsia arvanite, e pranishme që prej shekullit të XIII në Greqi kaloi përmes proceseve të ndryshme të asmilimit në kohën e formimit të shtetit kombëtar grek. Këto procese asimiluese ishin bazuar në ato karakteristika që kishin ndihmuar për të themeluar kombin grek si identiteti fetar, urbanizimi i menjëhershëm ku hyri mbretëria e re greke dhe sidomos rajoni i Atikës ku kjo popullsi ishte më tepër e përqendruar. Si të krishterë ortodoksë që ishin, dhe duke qenë se ortodoksia ishte në themel të identitetit helen modern që po lindte, shumë prej tyre kishin marrë në luftën për çlirim, disa prej tyre madje u bënë dhe udhëheqës të saj. Njëlloj si në shekujt e mëparshëm helenizmi ndihmohej nga përzierja dhe moskompaktësia e disa popullsive, si dhe procesi i urbanizimit. Mungesa e një tradite letrare vepronte po kështu në këtë drejtim. Rrjeti i arsimimit greqisht që po zhvillohej ishte, sëbashku me Kishën, një motorr i fuqishëm i greqizimit, veçanërisht kur u shtuan përpjekjet për të shkolluar dhe vajzat. Por, ajo që ndihmoi në fshirjen e gjuhës shqipe ishte dhe zhvlerësimi i saj social, të paktën në hapësirën publike: të flisje shqip do të thoshte t’i përkisje shtresës më të ulët të shoqërisë neo-helenike, domethënë të ishe fshatar ose marinar, kuse të flisje greqisht kishte kuptimin e të qenit një “helen i vërtetë”.

Vepra e J. P. Fallmerayer nuk ishte e panjohur për mendimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare (1845-1912). Duke qenë se ajo ishte konsideruar si e para histori pak a shumë e gjerë e shtjelluar e shqiptarëve, ajo bënte pjesë në korpusin e veprave të studimeve albanologjike, të cilat ishin rezultat i kozmopolitizmit intelektual evropian të mesit të shekullit të XIX.

Për më shumë lexoni në: https://doriankoci.blogspot.al/2017/10/vepra-e-historianit-jffallmerayer-dhe.html