Histori

Fillesat e idesë evropiane në Shqipëri

Nga: Dorian Koçi

Shqipëria edhe pse ishte vendi i fundit që fitoi pavarësinë nga Perandoria Otomane duke pasur një histori shumë më komplekse se fqinjët e saj, pati një zgjim disi më të ngadaltë por dhe një komplicitet lidhjesh me Evropën dhe idenë rreth saj.

Së pari, komuniteti katolik shqiptar edhe pse më i persekutuari në vend si rezultat i luftërave të vazhdueshme Veneto-Turke apo dhe Austro-Turke, kish sendërtuar një paradigmë krejtësisht evropiane përsa i përket botimeve të veta, që në shumicën ishin në latinisht, por që nga shekulli XV i gjejmë edhe në shqip, duke kontribuar kështu në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare.

Në të gjitha këto vepra të Buzukut, Bardhit, Bogdanit, Kazazit, ka një rikujtim të Motit të Madh të Skënderbeut dhe të shpresës tek një aleancë evropiane për të larguar otomanët nga Ballkani.

Islamizimi i popullsisë, solli një traumë të madhe shpirtërore pasi dhe një pjesë e madhe e shqiptarëve filloi të hynte dhe të merrte pjesë në qarkun kulturor lindor, ku në mes të tjerave shquan rryma e bejtexhinjve dhe literatura e sekteve të ndryshëm islamë.

Në këtë kohë, tek kjo pjesë të popullsisë nuk kemi një ligjërim të idesë së Evropës, pasi shpesh herë dhe nëpërmjet luftërave që bënin osmanët, trupat shqiptare merrnin pjesë në këto beteja dhe nuk ktheheshin me emocione pozitive nga to. Pjesa tjetër ortodokse e popullsisë, ashtu si dhe në rastin rumun dhe bullgar, u influencua nga elitat greke, por dhe kontribuoi në Iluminizmin grek nëpërmjet Voskopojës, akademisë së saj dhe prelatëve ortodoksë.

Emrat e Kavaliotit apo Daniel Moskopolit, shënjuan jo vetëm kulturën rajonale të Voskopojës, por dhe atë greke, pasi u shkruan në atë gjuhë. Gjithsesi, duhet theksuar se përdorimi i gjuhës greke shprehte edhe mentalitetin ekumenist të epokës, ku ajo shikohej si një transmetuese e vlerave bizantine dhe në planet e iluministëve ballkanikë zinte një vend të veçantë si gjuha që do të bashkonte të gjitha popullsitë e Ballkanit.

Kjo situatë do të ndryshonte disa vite më vonë, ku ashtu si dhe në Evropë, etnitë ballkanike do përqafojnë nacionalizmin si platformë ideologjike në rrugën e krijimit të shteteve të tyre. Megjithatë, trashëgimia dhe influenca e kësaj kulture ekumeniste në rajonin e Ballkanit do jetë e dukshme, jo vetëm në zgjimet kombëtare, por edhe në dëshmitë e udhëtimit që na kanë lënë udhëtarët e huaj në shekullin e XIX.

Pikërisht nga kjo elitë dhe përfaqësuesi i saj Naum Veqilharxhi, do të vijë edhe artikulimi i idesë së tij në “Letër Enciklike Për Të Gjithë Të Pasurit E Të Mësuarit Ortodoksë Shqiptarë”, ku ai do t’u kërkojë shqiptarëve që të hyjnë në “në radhën e kombeve të qytetëruara”, duke nënkuptuar Evropën. Por suksesi më i madh i idesë evropiane mes shqiptarëve do të jetë përqafimi i saj nga komunitetit mysliman shqiptar, çka përbën një rast unikal në dallim nga komunitetit e tjera myslimane në Ballkan.

Në fillim kjo ide mund të gjendet e vagullt në projektin konstitucional të federatës Panilirike që Karamahmud Pashë Bushatlliu kishte ndërmend të formonte si një shtet të përbashkët mes shqiptarëve myslimanë, atyre katolikë dhe malazezve ortodoksë.  Më pas edhe në vitet e fundit të zotërimit të Ali Pashë Tepelenës kur ai i kërkoi Meternikut, kancelarit të Austrisë një kushtetutë të shkruar. Gjithsesi, duhet pranuar fakti që vetëm pas reformave të Tanzimatit dhe lindjes së idesë kombëtare fillon të dallohet më tepër tek shqiptarët ideja evropiane. Ideologë të saj janë vëllezërit Frashëri, Hasan Tahsini, Ismail Qemali etj., të cilët ndikojnë jo vetëm në atdheun e tyre por dhe në vetë Perandorinë Otomane për artikulimin e saj.

Ideja për Evropën, ashtu si dhe në vendet e tjera ballkanike, do të ecë paralelisht me zgjimin kombëtar, ku arsimimi në gjuhën kombëtare dhe evokimi i figurës së Skënderbeut do të përbëjnë dy nga shtyllat e këtij zgjimi. Pranimi i Skënderbeut si heroi kombëtar do të ishte një nga hapat e para të shqiptarëve për afirmimin e kësaj ideje, pasi princi tyre mesjetar kish qenë në ballë të koalicioneve anti-osmane për të shpëtuar Evropën.

“Jakë o dritë e bekuar që lind andej ku perëndon” do të shkruante Naim Frashëri duke shprehur qartë jo vetëm adhurimin e tij për Perëndimin por dhe influencën e kulturës evropiane, sidomos asaj franceze, që kish ndikuar aq shumë në botëkuptimin e tyre. Do të ishte ky adhurim i elitës shqiptare ndaj idesë evropiane, që do ti bënte ata që në kuvendin e Vlorës të gjithë të këmbëngulnin për një princ evropian në krye të vendit dhe që do ta detyronte Sër Edward Grey-n, Sekretarin e Jashtëm britanik të asaj kohe që të shkruante në ditarin e tij në 1913 se edhe pse “Shqipëria dhe popullata në numër më të madh i përket besimit Islam, e gjithë elita e tyre pa përjashtim është pro evropiane”. Kjo qasje drejt Europës do të përcillej gradualisht edhe te shtresat e tjera të popullsisë deri sa me konsolidimin e shtetit shqiptar do të bëhej kryefjala dominante i ligjërimit publik shqiptar.