Letërsi

Vangjush Ziko: TEMPULLI GËLQEREBARDHË

Mos e prekni

këtë shtëpi gëlqerebardhë,

këtë shtëpi të vjetër

sa malet,

fijet e kashtës

si damarët e mallit

në llaçin e saj,

këto qoshe të gdhendura shtufi,

këta qemerë të lakuar si qafë mjelme,

këtë ëndërr gushpëllumbi në dritaret

nga gjumi mos e zgjoni,

mos e trembni bukurinë e fjetur,

oborri ku çel borziloku

kundërmon erë shenjti,

mos e prekni tempullin gëlqerebardhë

qyteti im

nuk do ketë ku të falet.

Tagged under Vangjush Ziko