Letërsi

Burgu i peshqve

Nga: Zija Çela

Po flisnim në chat dhe, befas, ajo u zbraz: “E kam kuptuar se nuk ke ndjenja dashurie për mua. Ç’po them, nuk ke të paktën as ndonjë tërheqje burri.”

Një grimë herë u vura në zor, duke u përtypur në heshtje. Megjithatë, nuk gënjeja dot dhe ia ktheva me zë të mekur:
“Më vjen keq, ke të drejtë. Në jetë ka gjëra që...”
“Por ti nuk mund të më ndalosh me të dashtë”, më ndërpreu. “E ke problem me të dashtë?”
“Problem e kam kur s’më duan”, pohova qashtër. “Sa herë më vjen ndonjë fluks dashurie prej diku, e ndiej menjëherë. E ndiej edhe kur është tretur midis rreshtave. Për çudi, atëherë më shtohet fryma dhe pikturoj më mirë.”
“A mos po flet disi në tym?!”, m’i mblodhi rripat ajo. “Përse e transferon ndjenjën time andej-këtej?! Unë nuk përfaqësoj askënd. Këtë çast jam unë, personalisht unë, që të them se të dua.”
“E mora vesh. Dhe Zoti të bekoftë!”, u tërhoqa butë. “Veçse e kam një hamendje. Mos ndoshta adhuron pikturën time, ndërsa të përhihet se dashuron piktorin?”
Ajo nuk e zgjati: “Autoportretin tënd e adhuroj. Atë autoportretin që ka një peshk të kuq në sfond. Me sa më kujtohet, e ke bërë njëzet e një vjet më parë. Kryevepër është.”
Nxitova unë: “Po përse nuk ma the aso kohe?”
Tha ajo: “Sepse atëherë nuk kisha mendtë që kam sot. Atëherë isha kalama, trala-la me bishta prasi. Isha vetëm tridhjetë vjeçe atëherë.”
Ndoshta po lëvizte nëpër shtëpi, sepse nisi t’ia ndryshonte zërin një ndërhyrje, si të ishte ndonjë rrymë ere. Pastaj u ngul më këmbë, duke e fiksuar kameran te një shatërvan i vogël.
“E dëgjon si frushullon?”, foli shpejt. “Mos pandeh se uji shkon kot, shatërvani e riciklon.”
Dashje pa dashje, ma çoi mendjen tek ato njëzet e një vitet që kishin kaluar. Dhe s’di pse, vetiu më shkuan sytë te burgu i peshqve, domethënë, tek akuariumi që mbaj në studio. Nuk arrita t’ia thosha asaj se ku ma kishte çuar mendjen, ngaqë e mbylli telefonin.
Si prej një fluksi të mistershëm, i cili s’di nga buftoi, pata shtysën t’i shkruaja në messenger. Megjithatë, prapë u përmbajta. Kur të flasim herën tjetër, ndoshta do ta ftoj për t’i bërë portretin. “Por cilin, cilin nga dy kohët?”, pyesja veten mëdyshas, pa ia ndarë sytë qelqit që rrethonte kuqalashët. 
Tashmë peshqit nuk ishin po ato, por burgu ishte i njëjtë.

Korrik, 2018

Tagged under Zija  Çela