Letërsi

Këpucë grash për burra

Nga: Zija Çela

Kur u kthye ime shoqe nga puna, mua më gjeti në shtëpi, ulur në kolltukun përballë ballkonit. Kisha mbi gjunjë Lap-topin dhe po lexoja një shkrim të Tajms-it mbi hakerat. Mirusha hyri drejt e në dhomën e ndenjës, Ndjeva një si ethe në atë nxitim dhe, thuajse pa dashje, i hodha një shikim me bisht të syrit. Ajo hapi çantën, nxori prej andej një këpucë me taka të futur në qese dhe, duke përdorur gishtin në vend të lugës, u vu menjëherë që ta mbathte.

- Qenka tamam për këmbën time, - tha.
- Ku e more?
- E gjeta në rrugë, - ma ktheu ajo.

Ma solli vetë në shteg dhe, për shaka, përrallën e Hirushes ia ngjesha Mirushës.
- Aherë dikush po të kërkon. Atij i pëlqen dhe dëshiron të martohet me ty. Do të martohesh për së dyti?


Ajo s’di pse thartoi buzët dhe unë u bëra më i vëmendshëm. Këpuca teke ishte në ngjyrën e ndezur të shegës dhe, buzë harkut të trinës, kishte një rrip me togëz inoksi. Me t’i pikasur hollësitë, një si drithërimë më përshkoi në çast. Rreth pesë muaj më parë, kur bëri një udhëtim në Itali, Mirusha solli prej andej një palë këpucë po në atë modelim, po në atë ngjyrë, po në atë numër. Vetëm një javë më vonë, kur do t’i përdorte për herë të parë, mallkoi veten edhe këpucët. Më është fiksuar data. Ishte 24 dhjetor dhe mbrëmje vonë do të shkonim në katedrale për meshën e Krishtlindjes. Sado përdori lugë, kaq keq hoqi për t’i mbathur, sa pas një grime s’i duroi dot. I zbathi duke zënë me dorë gishtat e skuqur. “Si morsë më shtrëngojnë”, u ankua. “Mora numrin tim, por pa i provuar, sepse ishin me ofertë dhe në Romë i gjeta më lirë se në Tiranë.”
Të nesërmen ishte zyrtarisht pushim për të kremten. Por unë i thashë se do të dilja në punë, madje mund të vonohesha, se kishte probleme në serverin e ministrisë. “E di ç’ke ti”, më ndoqi në korridor, “nuk paskan qenë fati im, prandaj m’i hiq qafe këto këpucë. Po t’i mbaj, gjak do të m’i bëjnë këmbët, se e kam shputën pakëz të gjerë. Por mos i hidh brenda plehrave, vëri pranë ndonjë kazani që të shihen. Ndoshta ka qenë fati i tjetërkujt.” Kaq tha dhe ma zgjati kutinë.
E përmenda më lart se u bëra i vëmendshëm. Madje duke sjellë në mend të gjitha këto, drithërima m’u përsërit më e fortë. Por pastaj u qetësova disi duke arsyetuar: Ashtu si shega që nuk prodhon veç një kokërr, por shumë të tjera të ngjashme, as fabrika nuk prodhon kurrë një palë të vetme, vetëm një palë këpucë.
Ndërkaq, trokiti dera dhe ime shoqe vajti për ta hapur. S’e dija kush ishte, por do të kuptohej përse kishte ardhur. Në fillim brafulloi një ofshamë habie nga Mirusha, që u pasua me këto fjalë:


- Uaaa, si është e mundur?! Ju paskeni këpucën tjetër në dorë.
Doli fjala ime, shestova me vete. Ndonjë mashkull idiot, duke dashur të inskenojë Hirushen, gjeti Mirushën!
- Më falni, zonjë, - u dëgjua një zë femëror, - unë ju pashë kur e morët. Duke ju folur fqinjve për pamjen tuaj, ata më treguan derën e apartamentit.
- Pra, ju dëshironi t’i mbaj të dyja?
- Jo, zonjë, kompleti është imi. Unë erdha që të ma ktheni këpucën që morët.
- Po ahere përse e nxorët në rrugë? Jam kureshtare ta di, çfarë ju duhej kjo provë?
- Unë i përdora ca kohë, por më pas... Si t’jua them, gjithë mëdyshje e gjithë pishmane jam për shijet! Kësaj here e nxora në rrugë për të provuar shijen e tjetërkujt. Nëse asnjë femër s’do ta prekte këpucën me dorë, sikter do t’i bëja përgjithmonë!
- Me një fjalë, do t’i çonit aty ku i keni gjetur, pranë kazanit të plehrave?
- Ç’po thoni, zonjë, si ju nxë goja plehrat?! Këto këpucë m’i ka dhuruar i dashuri im. Dhe kurrsesi nuk gabohem. Ishte dita e Krishtlindjeve dhe ne drekuam çift jashtë qytetit.
- Or burrë, - e grithi ajrin zëri i Mirushës, - po del krejt ndryshe përralla e Hirushes. Këto këpucë grash paskan ardhur për ty. Mos do të martohesh për së dyti, zotrote?! Dikush që të pëlqen dhe shkoni në shtrat bashkë, sot...
Jo tavani mbi krye, por dyshemeja m’u duk se m’u shemb nën këmbë. Unë kisha pasur kohë të fshija një emër në telefon, ndërsa mesazhe nga ai numër nuk ruaja asnjëherë. Megjithatë, u hoqa sikur asgjë s’kisha dëgjuar. Por, prapëseprapë, nga turbullimi njëlloj gabova sapo thirra në tym:
- Fufuuu e zhuzhuuu, fryn nga ballkoni e fryn nga dera, sot po na grin era!
Vallë, e kuptoi që të dashurën time e quanin Era Zh?

Shtator 2018