Letërsi

Një dobiç në derën e ministrisë-tregim nga Zija Çela

Nga: Zija Çela

Atë ditë, në zyrën ku po dorëzonte letrat, postieri gjeti një zotëri elegant që diç po i thoshte nëpunëses. Nga respekti për moshën apo kushedi përse, ajo ishte ngritur më këmbë dhe, teksa tjetri fliste, e vështronte në dritë të syrit. Megjithëse e mbante përpara librin e rekomandeve, nëpunësja po vonohej për nënshkrimet. Por edhe postieri, i bindur për një mungesë, ende rrëmonte midis palave të çantës. Më në fund, e gjeti zarfin ngjyrë pane dhe, i ndodhur pakëz në distancë, e hodhi prej aty në tryezë. Mbasi e pikasi adresën e marrësit, me një buzëqeshje thuajse të pakapshme, zotëria i foli tjetrit:

- Respekt, postier! E si e flakni ashtu shefin tonë të personelit! A nuk e njihni ju zotin Meçani?
- Nuk kam pasur fatin ta njoh, zotëri.
Ndonëse e nisi si lojë, pasi ia shkeli syrin nëpunëses, atë burrin e shtyu më tej kureshtja dhe humori.
- Por ndoshta njihni zonjën Adela Shahini, zëvendësministren tonë, - pyeti përsëri. - Kështu?
- Kërkoj ndjesë, zotëri, por as zonjën nuk e njoh.
- Ahere mos më thoni jo për Robert Sinën! Zëdhënësin e shtypit e njihni patjetër.
Postieri u duk sikur ngeci. Mos po kërkonte ndonjë pamje në arkivin e kujtesës së tij?! Me gjasë doli huq. Ncuk, ncuk, u detyrua të mohonte.
- Unë ditën punoj dhe natën këndoj. Natën i bie defit, zotëri, - u shpjegua. 
Burri i hijshëm megjithatë s’e dha veten. Ai hoqi syzet e lehta dhe, me dorën tjetër në nyjën e kravatës, e bëri buzëqeshjen më të dukshme. Pastaj pyeti:
- Po sikur, ta zëmë, ndeshesh në korridor ballë për ballë me vetë Ministrin. Do ta njihnit zotin Arbanozi? 
Kësaj here postieri vërtet u vu në zor. Prandaj edhe emocionet po i shtoheshin, por fytyra e tij e zeshkët nuk e tregonte përskuqjen. E çfarë të thoshte tani?! Ja, pas një grime, teksa do të largohej përmes korridorit të gjatë, dera e kabinetit mund të hapej në çast. Një zotëri i veshur me kostumin fringo të ri, me një pah thinjash në anët e flokëve dhe një palë syze që sikur rrinin në ajër, krejt papritur mund t’i shfaqej përpara. Sigurisht, postieri do ta përshëndeste me mirësjellje. Mirëpo, mjaftonte një tundje koke në këtë rast? Nëse nuk mjaftonte, si do t’i drejtohej postieri i regjur, kasneci me përvojë njëzet vjeçare? Dhe, kryesorja, do ta ruante kthjelltësinë në ato çaste? Sepse pyetja mund të hamendësohej edhe ndryshe: Cili në të vërtetë ishte Ministri, ndonjë funksionar i padukshëm që ndodhej ende në kabinetin e tij, apo eleganti me të cilin po bisedonte ballas tashmë?!.. Sinqeriteti e nxori përsëri nga sikleti.
- Më keni bërë pyetje të vështira, zotëri. Ndoshta është radha ime tani. E njihni ju Taip Onurin që mbledh kanoçe? Ky njeri tarabukun e qan dhe tri klasë nga shkolla e mesme i ka fituar me zotësi, megjithëse ka gjashtë fëmijë. Po Rrapushin ahengxhi, faqekuqin që i bie qemanes, një dhëndër me vjehrën në shtëpi? Po Titi Zitin, xhananin që ka karrocë, i kanë falur edhe një shalë, por nuk ka kalë?.. Për të shtunë e të diel, kur të tjerët bëjnë pushim, këta çalltisin bashkë me mua në stinën e dasmave. I dua fort, janë esnafë të popullorçes dhe, një nga një, i kam punësuar vetë në orkestrinën time. Troç, zotëri, ju me nëpunësit tuaj, unë me nëpunësit e mi.
U ndal, u mbush me frymë, pastaj mbeti pezull për pak. Por kurrsesi nuk mundi ta mbante trysninë e merakut të fundit.
- Po Katrinën, mor aman, - i gurgulloi zëri në fyt, - atë Katrinën e Tartallit me sytë sa hëna e beharit? E keni parë ndonjëherë këtë xhinde poshtë e lart pazarit?.. Sepse ku i dihet, xhanëm, si mund ta sjellë siraja. Po sikur një ditë prej ditësh i shoqi i saj, një burrë ezmer, me shtat mesatar e mustaqe të krasitura, troket në zyrën tuaj, do ta njihnit se është Tartalli, dora vetë Tartall Tartallozi? Ah, ju bëj rixha, mos më thoni po! Se dynjaja kështu e ka, or lali, sërë e sërë ndahet e mjera, si deti me kufij e me parcela. Prandaj, për t’i vënë kapak muhabetit të zotërisë suaj, unë me evgjitët e mi, ju me evgjitët tuaj!
Pas një copë here, nëpunëses i ra telefoni.
- Urdhëroni, zoti Arbanozi!
- Albina, - foli ai, - më duket se në të gjithë organikën e dikasterit nuk kemi asnjë nga xhinsi i tyre. Domethënë, pak a shumë, me ato parcela dhe ato sëra sikur na ngeci dobiçi te dera... Po sikur ta marrim në punë postierin? Drejtori i burimeve njerëzore mund t’i gjejë një vend në prapavijë. Ndoshta korrier, ndoshta kopshtar, ndoshta... Kam dëgjuar se në ministrinë tonë ka njëqind e tridhjetë e katër tualete me sifon. Më dëgjon?.. Është e vërtetë?
Nëpunësja u step. Pa dashje, tjetri kishte përmendur gabimisht numrin e kondicionerëve për atë të tualeteve. Wc-të absolutisht, absolutisht, nuk e kapërcenin me asnjë dhiçe më tepër numrin tridhjetë e katër. Por ngaqë të dyja pyetjet i erdhën njëherësh, pa ditur cilës t’i përgjigjej më parë, Albina Kosturit i shpëtoi në bllok:
- Siurdhëroni, siurdhëroni, zoti Ministër!
Dhe menjëherë nisi ta mbante shënim porosinë e Arbanozit për postin e ri të Tartallozit.

 

Tagged under Zija  Çela