Letërsi

Uratë Kryezotit Arbnor – Nga Ndue Ukaj

Gjergj,

Që nga janari kur ike

Në çdo pranverë çelin lule t’këqija.

Arbnit janë të trazuar në mjegullnajën e trishtimit.

Rrëshqasin si nëpër akullnaja dhe nuk gjejnë qetësi.

Në pyllin e dilemave, s'i shohin portat e lirisë,

As lapsin e urtisë,

As përkrenaren e krenarisë,

As shpatën e lirisë.

As Pal Engjëlli nuk është askund.

Ka shume zbrazëti dhe pikëllim.

Gjergj, e sheh?

Që nga janari i akullt

Arbnit kanë humbë algoritmin e jetës.

Varkat i kanë mbushë me mosmarrëveshje e trishtim.

Dhe të trullosur bredhin rrugëve të boshatisura,

Atyre shkrepave të thepisura,

Bjeshkëve të Nemuna

E Adriatikut të trazuar.

 

Zemra u kullon,

Por nuk duan kurim.

Ndërgjegjja i bren,

Por nuk duan pendim.

 

Gjergj, Arbnit janë të trazuar

Dhe ikin e s’dinë ka venë.