Letërsi

Mirëfilli shqip-Nga Kliton Nesturi

Nga: Kliton Nesturi

E rëndësishme për një autor nuk është botimi i një vepre, se sa mesazhi dhe e veçanta që sillet për të gjithë; autorin, lexuesin si dhe për vetë letërsinë. Kjo është edhe një nga ngërçet që u vu re në letërsinë shqiptare, dhe më konkretisht në prozë, në fillim dhe mesin e viteve ’90. Në antitezë me këtë periudhë, fundi dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar, si dhe vitet e para 2000, shënuan dhe po vazhdojnë të sjellin një hop cilësor në prozën shqipe. Janë jo të pakta veprat që e dëshmojnë këtë, e që tashmë do të hyjnë në fondin e veçantë të letërsisë sonë.

Një ndër tyre është edhe romani “Kryqi i harresës”, i shkrimtares Flutura Açka, botim i “Skanderbeg books”. Pikë së pari, ajo çka e bën këtë vepër të konsiderohet e veçantë është se në të, gjatë gjithë faqeve të saj, nga fillimi deri në fund, ndihet ngjyra shqiptare. Në qendër të kësaj vepre është vendosur pesha e njërës prej dramave më të mëdha që po shoqërojnë jetën sociale të vendit, gjakmarrmarrjes, kësaj gangrene prej së cilës ende nuk e dimë se kur do të shërohemi. Një gjakmarrje që rinis pas gjashtëdhjetë vjetësh, në të cilën përfshihen njerëz të pafajshëm, është boshti në të cilin Flutura Açka vendos ngjarjet e romanit të saj. Sfondi në të cilin autorja ka vendosur zhvillimin e ngjarjeve është tejet origjinal. Ai është gjerë, fillon në Shqipëri dhe përfundon në Hollandë, skajin tjetër të kontinentit tonë. Megjithë këtë gjeografi të gjerë, rrethi i personazheve që përfshihen në të është i ngushtë, në pamje të parë. Ai është një rreth i cili përfshin pak personazhe, por e parë në një këndvështrim më të gjerë, kjo dramë është njëra nga qindra drama të tilla që luhen në mjaft prej familjeve shqiptare, e veçanërisht atyre që jetojnë në zonat e veriut të vendit.

Flutura Açka

Mjeshtria e autores në këtë vepër është mënyra se si ajo na e përcjellë këtë absurditet të ditëve tona. Flutura Açka nuk merr përsipër të analizojë këtë fenomen, as të bëjë moral rreth ndalimit apo rolit që duhet të marrë shteti në këtë rast. Ajo e rrëfen këtë ngjarje thjeshtë, në planin njerëzor, ku më së pari një dramë e tillë i përket individit, jetës së tij. Kjo është edhe njëra nga arsyet se përse vet individi duhet të jetë i pari që përpiqet për ta frenuar dhe ndalur këtë fenomen. Për ta realizuar këtë, ai nuk përton të vijë nga shumë larg dhe t’u gjendet pranë njerëzve që do, për ta kapërcyer këtë hendek të krijuar nga e shkuara, në të cilin duket se do të hyjë jeta e tyre. Në çdo faqe ndihet drama e njerëzve të përfshirë në të. Autorja përdor një gjuhë të thjeshtë, por me nota dramatike. Çdo frazë përcillet në vepër me ankth. Kudo ndesh në pasiguri. Rruga që përshkojnë personazhet nuk është veç një rrip i ngushtë toke buzë humnerës së thellë. Duket sikur në fund të faqes, apo në faqen tjetër do të përballesh me fatalitetin. Gjithçka që ndodh, është një tmerr i pafund.

Të gjithë personazhet e këtij romani janë skalitur në mënyrë brilante. Duket se autorja i përshkruan të gjithë ata me dashuri dhe dhimbje njëkohësisht. Ajo nuk e urren as Kolë Gegajn, plakun i cili rizgjon një gjakmarrje të lënë në heshtje prej gjashtëdhjetë vjetësh, as djalin e tij Dinin, vrasësin e Kot Prekalajt.

“-Ka gjashtëdhjetë vjet që e mbaj si mish të huaj në trup këtë gjak, tani në prag të vdekjes më doli në lëkurë dhe m’u desh ta shkulja se po më ksente. Nuk ua pata borxh Prekalajve vrasjen e babës, isha I ri dhe vetëm. Nana m’u lut ta harroja, ndryshe vatra do të shuhej, por kujtesa ime nuk e shoi gjithë jetën. E kanë vra për një okë drithë, hej burrë, për hiçmosgjë!”.

Flutura Açka i sheh të gjithë si viktima të forcës së Kanunit të Lek Dukagjinit, dhe ndjen për ta të njëjtën keqardhje dhe dhimbshuri që ndjen edhe për ata që bëhen me të vërtetë viktima të pafajshme në këtë dramë, Franin dhe djalin e tij Miranin, Martën,  Gjergjin, të gjithë. Në këtë vepër, fajtori i vetëm është Kanuni i Lek Dukagjinit, ose më saktë, deformimi që i bëhet sot shpesh atij.

Një nga elementët më të bukura në vepër është gjuha që ka përdorur Flutura Açka. Ajo është një gjuhë e pasur, dhe shumë e begatshme si me trajta dialektore, ashtu edhe me mjaft fjalë të përbëra të rralla, të cilat së bashku me figuracionin e pasur letrar, krijon një ansambël të bukur gjuhësor. Një e veçantë tjetër është edhe ndërthurja midis vetës së parë njëjës dhe vetës së tretë shumës, që përdoret në vepër nga autorja, çka i jep romanit “Kryqi i harresës” një frymëmarrje më të madhe dhe një dimension më të gjerë. Dashje pa dashje, në këtë vepër shihet një tendencë e Flutura Açkës për të krijuar një fjalor të sajin, çka e bën këtë autore të jetë shumë origjinale.

Romani “Kryqi i harresës” sjell një pjesë të jetës shqiptare. Ai është një përpjekje për t’u ndarë nga e kaluara, e cila vazhdon të na ndjek pas si një hije, për të vazhduar më pas normalisht rrugën drejt integrimit.