Letërsi

Bileta - Nga Ndue Ukaj

Biletat i blejmë me çmimet që i përcakton tregu.

I kalkulojmë ndjenjat, mërzinë dhe gëzimin;

Dashurinë minus mungesën e saj.

Dhe e shohim sesi matematika na shpie në rezultate të gabuara.

Të hutuar nëpër stacione ardhjesh e pritjesh gabojmë rrugën.

E presim trenin që shpie kah gëzimi, por ai na çon në dyert e trishtimit.

Të hutuar kthemi prapa dhe e shohim se kemi humbë shumë.

Një termin pune, një kafe me atë personin e dashur që e prisnim gjatë;

Apo pjesën e fundit të një romani që e lamë pa papërfunduar.

E mbyllim ditën dhe biletat i hedhim në mbeturina,

Por nesër sërish na duhet një biletë e re.

Një rrugë për të parë piktura madhështore në Luver;

Një shëtitje në katakombet e Romës;

Apo një përqafim në mbrëmje te deti i kujtimeve të mira.

Kur mbaron java, pushojmë dy ditë.

Dhe të dielën në mbrëmje i bëjmë llogaritë, si fëmija detyrat e shtëpisë:

Paratë janë harxhuar, muaji ka edhe ca ditë.

Duhet të blejmë biletën mujore për më shumë dashuri;

Apo për dhimbje më të gjatë.

Në fund të muajit kalkulatori i ndjenjave bie përtokë

Dhe përnjëherë çohemi peshë.

Muaji që vjen është më i mire- vjen pranvera dhe ditët janë të gjata,

Ose bie pikëllimi dimëror- dhe netët janë më të gjata.

Biletat i blejmë me çmimet që i përcakton tregu.

Të hutuar shtegtojmë në stacionin e pritjesh

Presim ditën e re dhe të mbyllim portat e gabuara.

Shkojmë në teatër dhe e marrim biletën për dëfrim,

Por Tartufi na tregon se shpirti koprrac i botës jeton në çdo kohë.

Pastaj gudulisim vetveten dhe s’i hapim bebëzat t’shohim

Të vërtetën në sy, sepse hipokrizia është e modës.

Një ditë tjetër- Hamleti ngjitet në skenë dhe me shikimin e mprehtë,

I llastuar pëlcet nga pezmi. Ai sheh shumë fantazma që grisin rrobat e lirisë.

Por ne mbyllim sytë, sepse hipokrizia është e modës.

Njëmend: gjithmonë varet prej nesh çfarë bilete blejmë.

Dhe ku e ngulim flamurin e mërzisë dhe ku atë të gëzimit.

Tagged under Ndue Ukaj