Letërsi

Portreti i një poeti bashkëkohor - Vangjush Ziko për Moikom Zeqon

Kam në dorë ciklin me poezi “Spinoza dhe Zoti” të Moikom Zeqos të shkruar në vitin 2004.

E çuditshme për një poet vizionar, i cili shkruan për Amëshimin dhe u vë data poezive. Ç'vlerë kanë datat e viteve, që për Amëshimin janë sekonda!

Sidoqoftë, ka një justifikim suigeneris. Frymëzimi lind në një çast për të jetuar pambarimisht.

Ky kalendar i duhet poetit për të dalluar radhën e frymëzimeve. Pra, ky është kalendari i vetë frymëzimit.

Dhe, pikërisht, në këtë vit, në vitin 2004, Moikom Zeqo ka skicuar më qartë se çdo herë tjetër emblemën e Poetit, sipas vizionit të tij.

Në këtë cikël ka edhe motive të tjera bashkëshoqëruese.

Sigurisht! Nuk mund të përshkruhet portreti i Poetit i shkëputur nga bota që e rrethon, bota e mendimeve dhe e figurave emblematike shpirtërore!

Moikomi ia kushton ciklin filozofit Spinoza, por ai përmend edhe Budën, edhe Krishtin. Për një çast është prezent edhe vetë Perëndia dhe, patjetër, Koha indiferente dhe e pamëshirshme.

Asgjë nuk ka për t'u çuditur.

Filozofi dhe Poeti janë vëllezër siamezë. I pari, me vështrimin nga bota e ideve. I dyti, nga universi i botës së artit.

Edhe metaforat e Moikomit janë, mbi të gjitha, metafora të mendimit. Vargjet e poetit janë “gjurmë në pllajën e mendimit”, kurse poeti është “shtylla kurrizore e ideve”. Gjithmonë sipas Moikomit.

Poeti është një “ndërgjegje e lirë endacake”. Ai e quan veten e vet një “rishtar”, një murg, që ka veshur zhgunin e ashpër të Poezisë.

Atë e ka bërë shkëmb “ikonografia prometeike”.

Këto janë disa penelata, që skicojnë portretin e këtij Poeti.

Historia e poezisë botërore njeh disa portrete poetësh. Pikat e referencës së tyre janë të ndryshme. Një gjë është e përbashkët: konfliktualiteti i tyre me botën reale dhe me botën e mendimeve, me vetveten dhe me Kohën.

Konflikte këto, që janë zgjidhur në mënyra të ndryshme, në kohë po aq të ndryshme nga njëra-tjetra: Paramitologjike, Antikiteti, Mesjeta, Rilindja Europiane, Koha Moderne dhe ajo Postmoderne.

Në fillimet kemi Poetin Shaman, që fliste gjuhën e idhujve;

Poeti i Antikitetit që fliste me gjuhën e zotave të Olimpit;

Poeti Profet që fliste me gjuhën e Perëdisë së tërëpushtetshme.

Më pas kemi Poetin e larguar nga gjuha e Zotit dhe në konflikti me Të.

Konflikti me Kohën, me Jetën dhe me Vdekjen mbetet i përjetshëm.

Poetin e Moikom Zeqos e mundon konflikti më i fundit i Kohës Postmoderne, konflikti me globalizmin galopant gjithëpërfshirës, që synon edhe hapësirat kozmike.

Atë e mundon dilema sfilitëse, që lidhet me ralitetin tonë. Ai jeton në një botë të ashpër dhe të pamëshirshme, e cila, megjithëse është një botë përsosmërisht dhe teknologjikisht e zhvilluar, por është edhe një botë e cila po tjetërson shumë kode humane të jetës familjare dhe të asaj shoqërore, po e tjetërson (për keq a për mirë!) natyrën njerëzore, po e robotizon.

“Realiteti më grish për të më vrarë”, thotë ai.

Konflikti i tij intim është midis “shpitit të druajtur” të kapluar nga jeta private, që kërkon “të qetësojë furinë racionale” dhe “fantazinë”, e cila e prin në të gjitha “hapësirat”.

Moikomi sjell në vargje shembullin e filozofit Buruh Spinoza, që “lëmon lentën e mikroskopit dhe sheh errësirën/i mbetur krejt vetëm/në pafundësi” me “latinishten gjeometrike”, me “sindaksën e qartë” dhe me “simetrinë e konkluzioneve”, pa jetë personale, i përkushtuar i tëri pas filozofisë.

Ky poet është në konflikt, jo vetëm me vetveten, por edhe me vetë Zotin., “nuk ka nevojë për vizitat e perëndive”.

Për më tepër, ai është konflikt edhe me vetë Kohën.

Për këtë poet, jo vetëm “poezia është një dashuri pa martesë”.

Edhe “martesa” me Kohën, për të është, po të përdorim shprehjen e Pasternakut, “një martesë e dhunshme, prandaj edhe martesë e pashpresë”.

Zgjidhja e vetme frymëzuese, që i ka mbetur Poetit të Moikom Zeqos, është idea kozmike e pafundësisë, të cilën ai e kthen në metaforë të Përjetësisë.

Poeti i Moikom Zeqos, me intuitën e tij filozofike, shtron dhe argumenton poetikisht idenë mbi fuqinë e artit ndaj relitetit, mbi pavdekësinë e shpirtit poetik, që “kalëron me jele ankthi/dhe patkonj tipografikë”.

Miokom Zeqon e frymëzon mitologema e Pegasit, kalit mitologjik me krahë, që rrahu me patkonjtë malin e Helikonit, që po lartësohej drejt qiellit, e ndali atë dhe bëri që të shpërthejë prej dheut Hipokreni, burimi i frymëzimit universal, ku pi edhe Muza e këtij Poeti të jashtëzakonshëm.