Letërsi

Për thelbin e letërsisë

Nga: Erlind Sulko

Është e çuditshme që mendimi kritik në Europë ka lindur me një vetëmohim të vetvetes. Me mendim kritik dua të them një trajtë mendimi që ka për qëllim të përhershëm kundërshtimin. Kjo trajtë në Europë lindi me Sokratin, pasi ai kudo që shkonte kundërshtonte gjithkënd dhe vetë e pranoi se e vetmja gjë që di është që nuk di asgjë. Kjo është vetëvrasja e kritikës: ajo nuk shpall asgjë.

Tek bashkëbisedimi Phadrus, shohim se si Sokrati e quan vetë shkrimin një gjë të vdekur, të pamundur për të biseduar me tjetrin. Ndërkohë, tek bashkëbisedimi Phaedo, Sokrati thotë shprehjen e tij të mirënjohur: të filozofosh do të thotë të mësosh se si të vdesësh. Të mendosh do të thotë të përjashtosh veten nga gjithçka, të ndahesh nga bota, të harrosh vetë nevojat e trupit tënd. Në këtë kuptim, mendimi dhe shkrimi, sipas Sokratit, është në kundërshtim me jetën.

E përmend këtë qasje të Sokratit ndaj mendimit, pasi e vërej këtë gjë edhe tek një ligjërim i Kadaresë në forumin e letërsisë botërore, në Munih më 22 Mars 1999. Në këtë ligjërim, Kadareja e lidh letërsinë me dy gjëra: kundërshtimin dhe vdekjen. Kadareja shprehet se "negacioni dhe letërsia janë të së njëjtës racë". Më pas, Kadareja thotë se letërsia ka lindur si një rikujtim i një udhëtimi të shkuar. Vetë ky rikujtim rrëfehet kur ngjarja ka vdekur, rrëfyer nga një njeri matanë ngjarjes dhe jetës. Si e tillë, letërsia është si rrëfimi i një të vdekuri për diçka të vdekur.

 Pavarësisht vlerësimit që kam për veprat e Kadares, mendoj se ai këtu është gabim. Letërsia shkruhet nga ana e jetës dhe jo nga ana e vdekjes. Me këtë dua të them se letërsia është një tejkalim i përballjes me vdekjen nëpërmjet rrëfimit. Pa dashur të përsëris vetveten, po i referohem këtu një shkrimi të mëparshëm: "Ka diçka të çuditshme në këtë nevojë për të rrëfyer, këtë nevojë për ta rikrijuar botën nëpërmjet gjuhës, këtë shtysë për ta marrë botën fizike të përkohshme e përherë ndryshuese dhe për ta ritrajtësuar në një botë të pavdekshme dhe pandryshueshme letrare. Ne nuk e lëmë dot të shkuarën të zhduket, të vdekurit të mbyten përgjithmonë në detin e harresës, ne nuk kemi fuqinë t’i braktisim përjetësisht miqtë, armiqtë, qytetet, vendet, vegimet, botën tonë të brendshme e të jashtme. Ne nuk mund ta pranojmë dot që gjithçka që ne kemi përjetuar dhe kemi dashur të përjetojmë të shuhet krejtësisht. Të asgjësohet. Të shfaroset për të mos u rikthyer më kurrë. Këtë gjë ne nuk kemi fuqinë ta pranojmë dot. Prandaj, dhe e ringjallim nëpërmjet gjuhës atë që ne duam të mbijetojë, atë që ne nuk mund ta lëmë të mbytet përjetësisht në rrjedhën gllabëruese të kohës." Letërsia nuk është rrëfimi i një të vdekurit, por i një të gjalli për mos t’i lënë gjërat të vdesin.

Si rrjedhojë, letërsia është thelbësisht një pohim, - e jo, siç shprehet Kadareja, një mohim. Letërsia e mirëfilltë synon trajtëzimin e përjetësisë: thelbin dhe formën e jetës. Këtë trajtë të përjetësisë shpall udhëtimi i Gilgameshit, Odiseut apo i Don Kishotit. Letërsia ka për detyrë të shpallë, jo të kritikojë,-  megjithse shpallje të ndryshme mund të përplasen apo mospërputhen me njëra tjetrën.

 Letërsia e mirëfilltë, ndryshe nga ç'mendon Bodleri apo Kadareja, nuk ka asgjë të përbashkët me dredhirat e Djallit. Dredhirat e Djallit lidhen me retorikën, propagandën dhe tundimin. Zanafilla e letërsia së mirëfilltë është cekja e përkohshme e përjetësisë: e krahasueshme vetëm me ardhjen e paparashikueshme e një ëngjëlli hyjnor.

Burimi: sbunker.net

Tagged under Erlind Sulko