Letërsi

Luftë frontale analfabetizmit - Nga Pëllumb Kulla

Në burgun e qytetit, për mësuesin Selam Fiçorri, ditët ishin tmerrësisht njëlloj: paraditeve atë e rrihnin policët, kurse pasditeve, atyre policëve, ai u mësonte shkrim e këndim.

Ishte koha e kurseve kundër analfabetizimit. Qindramijët e mbetur në errësirën e paditurisë, do të silleshin nën diellin e shkronjave dhe kjo ishte një nga punët më të lavdërueshme për pushtetarët e rinj. Kryetarët e Këshillave në fshatra, drejtorët e kantiereve dhe komandantët në repartet e ushtrisë, u raportonin eprorëve me zell e krenari, numrin e kurseve dhe të të paditurve të regjistruar.

Në garën e raporteve, dilte që Shqipëria, me një milion e gjysëm frymë, të kish nëpër kurse, tri milionë anlfabetë!

Kryetarit Rako Baruti i vinte plasje, që fshati për karshi kish më shumë injorantë se fshati i tij. Edhe ai sot mund të ish fort i nderuar, por në Gollokamjen e tij pat derdhur lumë djerse, mësues Selam Fiçorri, që mbase desh zoti e kalbej atje në burg!

* * *

Selami dyshohej për florinj të fshehur. Veç dajakut e spicave në thonj, për t'ia bërë jetën zeher, atij i kishin ngarkuar edhe kursin e policëve analfabetë të burgut. Pas javës së dytë, komandanti i burgut, nisi dhe ai ta thërriste mësuesin në zyrën e tij. Selami u vu t'i mësonte dhe atij të tridhjetegjashtë gërmat: se si shkruheshin një e nga një dhe se si bashkoheshin ato për të formuar fjalët "dritë" dhe "mirësi".

Kjo për Selamin rastisi me leverdi të madhe, se sapo komandanti fitoi besim, që edhe ai mund t'i përpilonte shkresat me dorën e vet, rreshtën edhe të rrahurat. Shyqyr o Zot! Se nuk ka tmerr më të madh se të të zhdëpin e të të kërkojnë florinjtë, një gjë që nuk e ke, as në dritë dhe as të fshehur! Selami mallkonte fatin që nuk kish një thesar, që t'ua tregonte e të shpëtonte. Duke e patur, e shumta do të matëte kufijtë e qëndresës së tij. Duke mos patur asgjë, të gjorit, nuk i mbetej veçse të matëte kufijtë e qëndresës dhe të këmbënguljes të atyre që e torturonin, e që një dreq e dinte, se deri ku mund të shkonin.

Pra, ishte fat që komandanti nuk qëlloi aq i trashë dhe arriti të ecte me këmbët e veta në rrugën e letërkëmbimit me ministrin e Punëve të Brendëshme. Fat kjo e fat ajo! Fat që komandanti kish një thërrime mirënjohje, fat që Selami, tridhjet vjet më parë pat vendosur të bëhej mësues. Kështu jo vetëm u la i qetë, por bile ndenji të priste ditët sa të piqej lirimi i tij.

Në një nga këto ditë, u hap dera e qelisë dhe policët me ndihmën e shqelmave, shtynë brenda një mysafir. Dhe ky mysafir, nuk ishte dokushdo, por një i njohur i vjetër i Selamit, polici Sulçe, gardiani i vjetër në burgun e kënetës, që qe zhdukur pa lënë gjurmë e me zhdukjen e tij pat llahtarisur tërë kampin e të burgosurve. Selamit iu kujtuan egërsitë e Sulçes e sharjet e tij për "këlyshët e Inteligjens Servisit". Ja tani, në luftën e klaneve të Sigurimit, Sulçja i varfër do të kish shkelur ndonjë zhabë gjëkundi. Ishte katandisur të binte vetë nën bastunët e shokëve.

Sulçja vinte nga jashtë dhe nuk e njohu dot menjëherë Selamin. Por nuk vonoi shumë. Sapo i erdhi drita e syve dhe pa, kuptoi se shoku që gjeti në qeli, nuk ishte i denjë për sërën e tij. I ktheu kurrizin me përbuzje. Me këtë lëvizje ai arrinte dy qëllime: i tregonte vendin që meritonte këtij reaksionari borgjez, ndërsa shokët e kauzës së tij le ta shikonin, nga vrimëza e kyçit, se gabimi i tyre nuk ia zbuste aspak ndjenjën e luftës klasore.

- Njatjeta Sulçe! - ia bëri Selami, që ia hodhi pas krahëve përbuzjen ish-gardianit Sulçja nuk u përgjigj.

- Çfarë ke bërë, që të vunë stërkëmbthin? - vazhdoi pyetjet mësuesi pa e humbur durimin. - Apo mos janë edhe këto, marifete të Sigurimit kundër meje?

Selam Fiçorri u bind shpejt se këto nuk ishin hiç marifete. Disa minuta më vonë Sulçen e thirrën ta shpinin tek hetuesi dhe nisën t'ia shkundnin pluhurat që përgjatë korridorit.

E kthyen pas një ore, të nxirë dhe të sterrosur, me buzën e çarë dhe vetullën e fryrë. E plasën përmbys mbi plloçat e qelisë. Rënkonte Sulçja, ta këpuste shpirtin. Selami e la ashtu një copë herë, pastaj me ujët e shtamës, lagu një shami dhe ia vuri mbi ballë. Po Sulçja e hoqi leckën dhe ia flaku mësuesit me përbuzje.

- Nuk dua ndihmë nga ti. Me ty më ndan një hendek që s'kapërcehet dot!

Hendeku ishte vërtet i madh, se si rrallëkend, Sulçen e merrnin në pyetje nga dy herë në ditë dhe e bënin pleh. Fati i tij i zi, që kish rënë në një hetues usta, që e dashuronte punën e tij. (Vite më pas, ai usta bëri emër: u bë kandidat i shkencave dhe teza e tij "Metodat bashkëkohore në shtrydhjen e koqeve me pincë" fitoi çmim në një simpozium të Europës Lindore).

Ama Sulçen e shëmbën! E bënë pestil! E goditnin dhjetë herë dhe ia numëronin për një. Më pas filluan ta merrnin edhe natën, kështu që e torturonin Sulçen e varfër me tri seanca ditore. Rënkimet e të gjorit linin burgun pa gjumë. Edhe mureve u vinte për të qarë.

- Prano qen! - ulërinte hetuesi. Dhe bamp!

- Oh, aman! - ankohej Sulçja, qante, kuiste. - Oh, të hëngsha munë! Oh, paç Pejgamberin, jo dy herë në një vend! Më bjerë më poshtë! Oh, nëne vdiqa! Nëne, moj, ku je?!

Po ama druri dhe cfilitjet nuk e afronin aspak me atë reaksionarin, që kish në qeli. Dhe kur e shkarkonin mbi plloça, ashtu të fryrë e të handakosur, Sulçja gjente aq fuqi sa t'i kthente Selamit kurrizin e bërë sterrë.

Veç, do të vinte dita, që shpirtgjërësinë e shokut të birucës, të mos e përbuzte dot më.

Ishte një pasdite. Selami sapo kish mbaruar kursin e analfabetëve. U kontrolloi detyrat policëve, u vuri notat dhe ata, pasi mbyllën fletoret, i lidhën duart mësuesit dhe e çuan në qeli.

Sulçen e gjeti aty. Përmbys. Pa jetë. Për herë të dytë Selamit iu dhimbs dhe i vajti përsipër. Sytë e Sulçes, futur thellë në puset e të enjturave, u çelën. Derëziu nuk kundërshtoi. Nuk e shtyu Selamin. Nuk e pa me urrejtje.

- Ujë! - i tha me një fije zëri.

Selami i dha. Pastaj i lagu ballin.

-E kam pisk, - vazhdoi Sulçja. - Nuk di si t'u shpëtoj nga thonjtë. Më dijnë për agjent të Inteligjen Servisit.

Këtij mjerani, që vetë dikur, shihte ngado agjentë të anglezëve, i kërkohej tani të pranonte se ai vetë, ishte një nga ata! Sikur të mos e shihte në atë derexhe, Selami do t'ia shkrepte gazit.

- Pranoje, - e këshilloi. - Pranoje që je agjent i anglezëve!

- Po unë nuk jam! - iu qa Sulçja.

- Sikur nuk e dij unë! - iu shkreh Selami. - Po pranoje, të shpëtosh!

- Po nuk jam, o mësues, nuk jam! Dëgjon?!

Selami u nxeh: - E dij more të thashë, e dij, po pranoje!

- I ziu unë, - psherëtiu i handakosuri, - tërë jetën nuk kam arritur të shoh asnjë anglez me sy, tani... Pu-pu! Më kërkojnë të bëj një deklaratë me shkrim.

- Jepua, - e mësoi Selami. - Jepua me shkrim e të marrë fund kjo, se të shuan.

I cfilituri rënkoi, pastaj filloi të qajë.

- Nuk dij të shkruaj, - tha pas pak, duke mjaullitur.

Nuk duhej ky pohim që t'ia mbushte mendjen Selamit, se vendi qe xip me analfabetë. Tjetri vazhdonte të qante dhe të dërdëlliste:

- Ua thashë, por nuk e besojnë. E duan me shkrim. Inteligjen Servisi ka agjentë të shkëlqyer, thonë... Më rrahin, kujtojnë se unë shtirem si analfabet... Kurse unë nuk shtirem, por jam! Jam!... Jam një derr analfabeti që... Ti nuk e kupton dot hallin tim!

- E kuptoj, si jo! - i tha Selami. - Njësoj si i imi. Për mua kujtojnë se fsheh floririn, për ty kujtojnë se fsheh shkollën.

Të dy të burgosurit ranë në mendime. Gjendja ishte e kokolepsur, por zgjidhjen e gjeti vetë i ngrati Sulçe.

- Unë nuk të ndihmoj dot ty, po ti? A do të më mësosh të shkruaj, o mësues? Për atë të zezë deklaratë, them.

Selami ngriti sytë drejt tavanit. O Perëndi! Me këtë kokëgdhë duhej nisur nga e para. Ishte për të qeshur e për të qarë bashkë. Po sikur hetuesit të kërkonin më shumë? Me ç'mjete do të mësonte ky copë kërcu radion trasmetuese dhe alfabetin mors?!

Megjithatë Selam Fiçorri, nën shembullin e plejadës së mësuesve të mëdhenj të Rilindjes, vendosi të tregojë shpirtin e tij të gjërë. Ata bënë sakrifica që t'u nxenin njerëzve shkrimin, që këta të mund të thonin të vërtetat. Selami tani do të mësonte një njeri, i cili digjej që veprën e parë me shkrim, ta bënte një gënjeshtër.

Ja, si patën ardhur kohërat!

Kështu, ish-gardiani i burgut të kënetës, arriti e u fut në kurset shqiptare të luftës kundër analfabetizmit. Ata vazhdonin ta torturonin. Ai kthehej në qeli duke vrapuar para shoqëruesve, i paduruar. Ankohej, qante dhe i lutej Selamit:

- Aman, o mësues, shpejt se mora fund! Asnjëri nuk i ka paguar këto dreq shkronja si unë! Po kush i ka bërë kaq të ngatërruara, të flamosurat?!

Ditën që Selami i dha nxënësit të tij lejën që ta jepte me shkrim pohimin, se qe i angazhuar në radhët e spiunazhit të famshëm britanik, ky i gjori kërceu valle nga gëzimi. E bëri dy herë provën e deklaratës, që aty në qeli. Duke shkruar shtrembër-shtrembër, filloi:

DeklaRaTë

Un i nënësHkRuaRi Sulce BëRzima, aGjen i inTeliGjen seRvisit, deklaRoj me pëRGjiGjësi....

Selami rrudhi buzët, po Sulçja bëri be se do ta përdorte këtë shkrim, sado i katranosur t'i dukej mësuesit! Nuk kish as nofulla as kurriz që të duronte sa të bëhej profesor!

E përsëriti shkrimin në sy të hetuesve dhe për lumturinë e madhe të tij dhe të atyre që e akuzonin, provimi doli për bukuri. Që nga ky çast, rreshtën torturat, pincat, gjilpërat në thonj dhe vezët e nxehta në sqetulla.

Duke parë nxënësin e tij, që fluturonte nga gëzimi, gëzonte dhe Selami. Kish dhe ai arsye të krenohej: numri i analfabetëve po pakësohej ca e nga ca.

Por lumturinë më të madhe e ndjenë ata, që hetuan çështjen. Raporti që i nisën ministrisë së tyre, bëri bujë në tërë vendin: Inteligjen Servisit në Shqipëri nuk i pat ndezur as këtë herë!...

Me shkurtime, nga “Lejlekët nuk vijnë më”

Tagged under Pellumb Kulla