Letërsi

Gabriel Garcia Markez - Letra e lamtumirës

Nëse për një çast Zoti do të harronte se

jam një kukull lecke e

do të më dhurojë paksa jetë, ka gjasa se

nuk do të them gjithçka që mendoj,

por patjetër do ta mendoj çdo gjë që do ta them.

Do t’iu jepja vlerë gjërave, jo për vlerën që kanë,

por për kuptimin që kanë.

Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë,

e kuptoj se për çdo minutë që i mbyllim

sytë, humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë.

Do të ecja përpara kur të tjerët do të ndaleshin,

do të rrija zgjuar kur të tjerët do të flinin,

do të dëgjoja kur të tjerët flasin

dhe sa do të shijoja një akullore të mirë çokollate!

Nëse Zoti do të më dhuronte paksa jetë,

do të vishesha thjesht,

do të shtrihesha në pishë të diellit duke lënë zbuluar jo vetëm

trupin tim por edhe shpirtin tim.

Zoti im, nëse do të kisha një zemër, do ta shkruaja

urrejtjen time në akull

dhe do të prisja që të shkrihej në diell.

Do të pikturoja me një ëndërr të Van Gogut

sipër yjeve një poemë të Benedettit

dhe një këngë e Serratit do të ishte serenata

që do t’ia kushtoja hënës.

Do t’i ujitja me lotët e mi trëndafilët,

për ta ndjerë dhimbjen e gjembave të tyre

dhe puthjen e mishtë të petaleve të tyre…

Zoti im, nëse do të kisha paksa jetë…

Nuk do të lija të kalonte qoftë një ditë të vetme

pa iu thënë njerëzve se dua,

se i dua. Do t’i bindja të gjithë burrat e gratë

se janë të parapëlqyerit e mi dhe

do të jetoja i dashuruar nga dashuria.

Njerëzve do t’ua provoja

sa gabojnë tek mendojnë

të heqin dorë së dashuruari

kur plaken, pa e ditur

se plaken kur heqin dorë së dashuruari.

Një fëmije do t’i jepja flatra,

por do ta lija ta merrte fluturimin vetë.

Të moshuarit do t’i mësoja

se vdekja nuk vjen me pleqërinë

por me harresën.

Kaq shumë gjëra kam mësuar nga ju, Njerëzit!

Kam mësuar se e gjithë bota adhuron të jetojë

mbi majën e malit,

pa e ditur se lumturia e vërtetë

është në ngjitjen e shpatit.

Kam mësuar se

kur i sapolinduri shtrëngon me grushtin e tij të vogël,

për herë të parë, gishtin e babait të tij,

e mban shtrënguar përgjithmonë.

Kam mësuar se një njeri

ka të drejtë ta vështrojë një tjetër

nga lart poshtë vetëm

kur duhet ta ndihmojë për t’u ngritur.

Janë aq shumë gjëra

që kam mundur të mësoj nga ju,

por realisht,

nuk do të më shërbejnë shumë,

sepse kur do të m’i vendosin

brenda asaj valixheje,

palumturisht do të jem duke vdekur.

Shqipëroi Elida Buçpapaj