Letërsi

Në vendin tim nuk ka të varfër - Nga Roland Gjoza

Në vendin tim nuk ka të varfër

malli i ka marrë shqiptarët për një arnë

për një fetë bukë me marmalatë

po s'ka

të gjithë pijnë uiski me akull

xhin irlandez, rum xhamajke

e kanë lënë rakinë me shije katundare

mishi piqet në hell, peshku në grillë

dhe bukë s'hahet fare

se është e turpshme të hash bukë të zezë

në vila rrojnë

të gjithë vila kanë

makina të shtrenjta gjermane

dhe kafenetë si atje si gjen në asnjë vend tjetër

rrojnë të lumtur në vendin tim

aq sa një pendim më zë e më gërryen

pse ika dhe e lashë në ditët e këqija

kur demokracia po pillte një foshnjë të vdekur

po foshnja u ngjall

u bë e shëndetshme

ka për të gjithë

për të gjithë ka!

s'ka të papunë në vendin tim

për papunësinë i ka zënë malli shqiptarët

duan të vinë në Amerikë

po në Shqipëri milioner bëhesh brenda ditës

se Aladini llampën magjike aty e humbi

e gjetën kusarët

dëshira e parë ishte të kthehen

të ikurit si unë

në atdhe balta është më e ëmbël se mjalta

kështu këndon Çajupi

dhe ka para me thasë.

Do? Merr! Ka për të gjithë!

S'di ç'të bësh më parë me paratë

kanë vendosur të ndihmojnë Amerikën

në vendin tim nuk vdes

e po kjo s'durohet

në Amerikë vdesin përditë

në Amerikë nuk rrohet!

kthehuni, o plangprishës

të madhe po e bëjmë zemrën për ju

veç pa një dru nuk do të shpëtoni

na e keni prurë në majë të hundës

se mos na e bëni Shqipërinë si Amerikën

mjerë ju

po i patët këto mend

në hu do t'ju ngulim, në hu!

Dhe prej baltës si mjaltë s'do t'ju japim të ngjëroni as nje pikë

kthehuni, o plangprishës, skllevër të Amerikës

të fitoni lirinë!