Letërsi

Trekëndëshi magjik i poezisë-nga Vangjush Ziko

Sprovë teorike

Çdo krijimtari letrare përbëhet nga tre komponentë të lidhur ngushtë midis tyre: krijuesi, gjuha dhe diskursi, ligjërimi figurativ.  Raporti midis këtyre tre komponentëve është më i ndjeshmi dhe më delikati për poezinë. Ky trekëndësh pasqyron ecurinë e krijimtarisë personale dhe njëherësh edhe atë të krijimtarisë në tërësi. Në këtë trekëndësh përcaktuesi kryesor është Poeti. 

Njeriu, siç e ka përcaktuar edhe Aristoteli, është një “qenie politike”, pra një qenie me një ndjeshmëri, jo vetëm vetjake, por edhe shoqërore i ekspozuar përballë të gjitha korrenteve filozofike, shoqërore, politike, morale, estetike dhe etike të epokës së vet. Jo të gjithë krijuesit kanë ndjeshmëri dhe reflektim të njëjtë dhe të njëkohshëm ndaj secilës prej tyre.
Edhe gjuha, si elementi bazë me të cilin materializohet krijimi poetik, ka ecurinë e evoluimit të vet, është një “qenie e gjallë” e ndjeshme dhe refleksive, ka ligjet e veta morfologjike, sintaksore dhe leksikologjike. 
Poeti nobelist Josif Brodski thoshte se gjuha nuk është instrument i poetit, por poeti është instrument i gjuhës, është mjeti i saj, gjuha nuk e le atë të qetë tërë jetën, tërë jetën ai do të marrë në dorë penën dhe do të shkruaj diçka. Ai është i dënuar të lumturohet dhe të përpiqet për ta njohur dhe përvetësuar gjuhën. Është i detyruar ta ndjekë evoluimin e saj, duke dhënë dhe kontributin e vet të mundshëm.

Sipas studjueses N. M. Mongileva: “Diskursi poetik, i cili është një komponent dialektikisht i ndërlidhur "tekst - autor" dhe "tekst - lexues", është një strukturë estetike kuptimplote dhe funksionale e organizuar, e karakterizuar nga konceptet e funksioneve poetike dhe estetike”. Është, pikërisht struktura poetike, e cila, në bazë të paralelizmit dhe të prishjes së saj, strukturon të gjitha nivelet: fonetike, leksikore, gramatikore dhe sintaktike. Në këtë bashkëveprim, teksti është nyja lidhëse, që bashkon veprimtarinë estetike të prodhuesit (krijuesit) dhe të marrësit në tërësinë heterogjene të këtij diskursi.
Poezia ka sintaksën e vet poetike (vargun, ritmin, rimën, tropet, figuracionin artistik). Ritmi është ai që krijon “skeletin” e mendimit poetik. Ka rëndësinë e vet, gjithashtu, këndi botkuptimor dhe estetik i zgjedhur prej poetit. Ky diskurs lidhet me intonacionin e vargut të poetit, me informacionin që sjellin vargu, gjuha poetike dhe stili i autorit.

Trekëndëshi poetik mund të jetë barabrinjës ose i çrregullt, hermetik ose refraktar, i mbyllur ose i hapur; brinjët e trekëndshit mund të vihen në një vijë të drejtë apo të përthyer. Kjo përkufizon edhe tre kategori krijuesish.
Ka poetë “konservatorë”, të cilët e kanë të definuar këtë trekëndësh dhe gjithë jetën e tyre ndjekin të ndërgjegjshëm rrugën e vet, rezistentë ndaj rrymave dhe korrenteve të ndryshme, duke e galvanizuar kështu përfundimisht krijimtarinë, raportin midis filozofisë, estetikës dhe veshjes artistike.

Poetë të tjerë bëjnë “kompromise” dhe “gërshetime” të pranueshme për optikën e tyre krijuese. Këta janë në sintoni me kohën në të cilën jetojnë dhe krijojnë, i shkruajnë vargjet e tyre në bashkautorësi me Kohën e vet dhe dinamikën e saj. Krijimtaria e këtyre poetëve është po aq e re, sa edhe besnike e vetvetes dhe, njëkohësisht, ndryshe në një ose disa komponentë të trekëndëshit. Poezia e tyre na zbulohet kështu në një kënd të ri.
Ka edhe poetë avantguardistë, vizionarë, që e “çmontojnë” këtë trekëndësh, duke krijuar një stereometri krijuese krejt të re. Këta poetë vargjet dhe poezinë e tyre ia adresojnë së Ardhmes, një realiteti të ri, që porsa ka filluar të burbuqëzojë.
Ky trekëndësh poetik kaq heterogjen i poezisë nuk mund të merret i shkëputur nga mediumi të cilit i drejtohet krijimtaria poetike. Poezi pa lexues nuk mund të ketë. Çdo kohë ka jo vetëm poezinë, por edhe lexuesin ose, më mirë, lexuesit e vet.

Poetët “konservatorë” janë më të favorizuarit, më të lexuarit, sepse lexuesi i tyre është edukuar nga një traditë, tashmë, e konsoliduar.
Poetët “novatorë” janë të ndërgjegjshëm që kanë më pak lexues, përkohësisht, por ata ecin të vendosur, këmbëngulës dhe shpresëplotë, mbasi edhe lexuesi reflekton ndaj kohës dhe shijeve artistike dhe estetike.
Ndërsa për poetët “avantguardistë”, duke perifrazuar një shprehje të një gjeniu futurist të gjysmës së parë të shekullit të kaluar, poezia është një gur i hedhur në të tashmen për të zgjuar të ardhmen, poezinë dhe lexuesin e saj.
Sido që të jetë, vargjet e vërteta i shkruan gjithmonë Poezia e vërtetë!